Punë me një “klik”

Punë me një “klik”

114
0
Shares

“Të rinjtë nuk duhet të jenë të papunë, është diçka vërtet e keqe për ta”. Kështu tha Margaret Thatcer në vitin 1984. Sot, 31 vite më pas, të rinjtë në të gjithë botën po mbeten gjithnjë e më tepër të papunë. Përjashtim nuk bën as Shqipëria…
Problemi i papunësisë së të rinjve në vendin tonë ka ardhur duke u përkeqësuar, në mënyrë të çuditshme edhe me rritjen e numrit të të rinjve me arsimimin e lartë. Por, cilat mund të jenë arsyet për shpresë? Nismat e qeverisë dhe Ministrisë së Mirëqenies Sociale për të rregulluar mospërputhjet mes edukimit dhe tregut të punës, kthimi i syrit nga profesionet, marraj e më tepër përgjegjësive nga kompanitë për të investuar tek të rinjtë, në vend që t’i kërkojnë “eksperiencën”. Si dhe, teknologjia: ajo shihet nga të gjithë ekspertët e punësimit si ndihma e edukimit, trajnimit dhe shtimit të njohurive.

Studimi i tregut të punës
Tregu i Punës për të Rinjtë në Shqipëri 2015, një studim i kryer nga Friedrich Ebert Stiftung, Shërbimi Kombëtar i Punësimit dhe Shteti Web, tregon se tranzicioni më i frytshëm drejt tregut të punës për të rinjtë ndodh në vendet që kombinojnë një ekonomi dinamike, një treg pune funksional, si dhe politikat e duhura publike. Raporti tregon se, për shkak të një situate të zymtë makroekonomike, të tregjeve dytësore të punës e të një sistemi arsimor dhe trajnues, të cilit i mungojnë elementet e përfshirjes të punëdhënësit dhe përvoja e punës gjatë studimeve, të rinjtë shqiptarë shpesh përballen me një periudhë të zgjatur të jostabilitetit në karrierë. Nuk është vetëm niveli i arritjeve arsimore, por edhe cilësia e arsimit dhe lidhjet e ngushta me tregun e punës që çojnë në përvoja të ndryshme të tranzicionit nga shkolla në punë. Në përgjithësi, vendet me një integrim më të lartë mes shkollës dhe punës, shfaqin një tranzicion më të butë dhe më të shpejtë për të rinjtë.
Ky studim i publikuar këtë muaj, vijon duke shpjeguar se tregu i punës rinore në Shqipëri mund të përkufizohet si “fleksibël” dhe “sekuencial”:
Fleksibël sepse ofron një kontekst ligjor dhe kontratat të cilat lejojnë kompanitë të kenë një kosto të ulët të pushimit nga puna, pra i lejon ndërmarrjet të punësojnë dhe të pushojnë nga puna më lehtë. Kjo pikë i lejon të rinjtë të punësohen relativisht shpejt dhe të zhvillojnë aftësitë ndërsa janë në punë, edhe në qoftë se pozicioni i punës nuk është i lidhur direkt me nivelin dhe specializimin e diplomave dhe kualifikimeve;
Sistemi sekuencial i arsimit ka si mision të ofrojë arsimim të përgjithshëm, ndërsa përvoja e punës duhet të bëhet kryesisht pas shkollës. Implikimi shumë i ulët i punëdhënësve në edukimin e të rinjve shqiptarë, e mbështet këtë hipotezë.
Ndër mënyrat më efektive për të gjetur punë për të rinjtë është përdorimi i rrjeteve joformale, kryesisht familje dhe shoqëri. Të dhënat e INSTAT, si dhe të dhënat nga studimi në fjalë tregojnë se 87,5% e individëve kërkojnë punë kryesisht përmes marrëdhënieve të tyre familjare, 62% e ndërmarrjeve të anketuara tregojnë se punësojnë përmes rekomandimeve që vijnë nga familja dhe nga miqtë. Kjo shkakton një ndarje të fortë mes atyre që kanë lidhje dhe atyre që nuk kanë të njohur ose kontakte. Raporti thotë se kjo vë në pah tiparet e një infrastrukture të pazhvilluar të tregut të punës dhe se evidentohet nevoja për të rritur dukshmërinë dhe efikasitetin e agjencive të punësimit publike dhe private.

Punësimi online
Regjistrimi në zyrat e punësimit dhe dërgimi i CV-ve nëpër zyra e kompani, kanë qenë për vite me radhë mënyra e vetme e kërkimit të një pune. Tani, agjenci të ndryshme ofrojnë dhe një tjetër alternativë, atë të aplikimit online. Të shumta në numër, agjencitë e ndryshme të punësimit në vendin tonë, kanë të listuar numrin e vendeve vakante, të reklamuara nga kompanitë e ndryshme në vend, por edhe më gjerë. Por, sa efikase janë këto platforma? Drejtuesit e disa kompanive të tilla tregojnë për ‘Monitor’ se nga viti në vit ka më shumë aplikime si dhe punësime, më tepër nga të rinjtë, me zhvillimin e teknologjisë që e bën aksesin online tejet të lehtë, me shtimin e kompanive që ofrojnë vendet e tyre vakante mes këtyre strukturave.
Në website shtetërore puna.gov.al, pjesë e Shërbimit Kombëtar të Punësimit, aktualisht janë 1474 vende të lira pune, ndërsa punëdhënës të regjistruar: 18165. Krahasuar me një vit më parë, ka një tendencë rënëse të vendeve vakante, pasi fillimviti 2014 pa rreth 3000 vende vakante pune. Në këtë website, numri i punëdhënësve të regjistruar sheh rritje muaj pas muaji. Po ta krahasosh me një agjenci private punësimi, duapunë numëron 70,500 të regjistruar si punëkërkues, rreth 3,065 punëdhënës të regjistruar. Deri më sot, numëron mbi 11,000 vende të shpallura pune, me një numër total aplikimesh mbi 250,000.
Të pyetur nga ‘Monitor’ për vendet vakante të punës, disa të rinj tregojnë se ata i drejtohen më së shumti website të tilla si duapunë, anegino, vende-pune, pasi në ndryshim nga puna.gov.al kanë vende më të shumëllojshme dhe kjo e fundit është më tepër e fokusuar në profesione.
A janë të rinjtë skeptikë për këtë formë punë kërkimi? Pamela Bejleri, një 25-vjeçare, banore e kryeqytetit, prej një viti ndodhet në një pozicion pune falë kërkimit online, aplikimit përmes tij dhe në fund të këtij procesi, është shpallur fituese e një vendi vakant në një kompani private. Ajo tregon se kjo formë është tepër e lehtë për përdorim, komode pasi kursen kohë dhe kërkime në terren dhe se shumëllojshmëria e vendeve vakante që ofrohen të japin mundësi të bësh disa aplikime njëkohësisht në kohën që t’i pret për vendosjen e një kontakti. Sipas znj. Bejlerit, formë tjetër të marrjes së informacionit në kohë reale për vendet vakante, si dhe vendosjes së kontaktit të drejtpërdrejtë me kompanitë, nuk ka veçse kësaj forme punëkërkimi. Ajo shton se për të gjithë të rinjtë e papunë, sidomos ata të sapodiplomuar, kjo formë i mban ata në kontakt me të gjithë të rejat e vendeve vakante, por edhe për personat që nuk janë të kënaqur me një punë aktuale.
Sa i përket moshës që janë më tepër të regjistruar në këto website, administratori i një platforme të tillë, z. Dritan Mezini, thotë se grupmosha e regjistruar më tepër e që është në kërkim është ajo 24-35 vjeç. Ky fakt i bashkëngjitet edhe statistikave më të fundit të INSTAT, i cili pohon se shkallën më të lartë të papunësisë e kanë grupmosha e të rinjve, deri 29 vjeç, e që në tremujorin e parë të këtij viti, përqindja e tyre të papunë është 34,1%.

Call Center, më tepër vende të lira pune
Të pyetur nga ‘Monitor’, drejtuesit e agjencive të punësimit privat në Shqipëri tregojnë se në listën e vendeve vakante të punëve kryeson “operatorë për call center”. Këtij trendi në rritje, sipas Dritan Mezini, i përkon fakti se të shumta janë call center e hapura jo vetëm në Tiranë dhe vendet vakante janë më tepër në këtë sektor, duke qenë edhe si mundësia e vetme për një pjesë të madhe të të rinjve.
Aktualisht sektorët kryesorë që janë duke ofruar vende pune sipas raportit “Tregu i punës për të rinjtë” janë ata që prodhojnë produkte me një vlerë të shtuar të ulët dhe me produktivitet të ulët. Rrjedhimisht, raporti thekson se nuk pritet të ketë paga të larta të cilat do të justifikojnë vitet e kaluara në përvetësimin e njohurive specifike.
Sipas të dhënave të përpunuara nga Monitor, kompanitë që kanë ofruar vende pune në vitet e fundit janë fasonë dhe call center, të cilat kanë si përparësi kryesore shfrytëzimin e kostos së lirë të fuqisë punëtore, krahasuar me vendet e BE-së.
Kompanitë e tekstileve dhe këpucëve që punojnë kryesisht me materiale të porositura dhe me një vlerë të ulët të shtuar në procesin teknologjik përbëjnë numrin më të madh në listën e 100 punëdhënësve më të mëdhenj shqiptarë me 24 ndërmarrje.
Janë 12 ndërmarrje call center në listën e 100 punëdhënësve më të mëdhenj, që punësojnë një total prej 9.500 individë;
Punëdhënësi i tretë më i madh në listën e 100 më të mëdhenjve, është i sektori financave dhe bankave. Në total, fund të periudhës 9-mujore në 2014, sipas Shoqatës së Bankave, 16 banka në vend kanë pasur 6.745 të punësuar, me një shtesë neto prej vetëm 37 të punësuarve krahasuar me fundin e vitit 2013.

“Joshja” matanë detit
Hoteleria duket si mundësia më e mirë për të gjithë të rinjtë që aplikojnë për punësim jashtë vendit dhe ku vendet si Arabia Saudite po joshin me pagat e majme dhe kontratat e leverdishme. Ermal Jauri, nga “Europa Agency”, thotë se pjesa më e madhe e kontratave për jashtë janë në sektorë të hotelerisë, duke filluar nga shërbimet por edhe vende të tjera që kërkojnë një profesionalitet më të lartë.
I pyetur se pse të rinjtë janë të interesuar për vende të tilla, ai përgjigjet se “në kushtet ku në Shqipëri një të sapodiplomuari i kërkohet llogari se pse nuk ka përvojë, jashtë mendësia është ndryshe. Programet e punësimit nuk kërkojnë eksperiencë të veçantë (ndryshe është në vende vakante tejet profesionale), ndaj dhe të rinjtë tërhiqen nga shërbimet në hoteleri, ku dhe pjesa më e madhe e tyre kanë një bazë të mirë anglishteje, por që njëkohësisht trajnohet paraprakisht nga ne si agjenci përpara se të dërgohet jashtë, ku dhe merr një tjetër formim trajnues, para nisjes së punës”- përfundon Jauri.
Në mënyrë të veçantë, ai shtoi se të rinjtë kërkojnë për mundësi jashtë, të pakënaqur me nivelin e pagave në Shqipëri, si dhe të nxitur nga fakti se një agjenci e kësaj kategorie realizon edhe kontratat me kompanitë jashtë, nuk është thjesht “hapësirë” ekspozimi i vendeve vakante.

VENDET KRYESORE VAKANTE NË WEBSITE (sipas aktorëve të tregut)
Operatorë në Call Center
Shije në terren, menaxhim shitjes
Teknologji Informacioni
(Monitor)

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY