Gazeta gjermane: Gangsterë si vëllezërit Frroku kanë mbrojtje nga lartë

Gazeta gjermane: Gangsterë si vëllezërit Frroku kanë mbrojtje nga lartë

124
0
Shares

Vera në Shqipëri është e nxehtë dhe e thatë dhe lakrat lulëzojnë shumë. Policia është e zënë duke lokalizuar ngastrat e marihuanës nëpër male. Sipas të dhënave të saj në gjashtëmujorin e parë të vitit rezultojnë 216 000 rrënje kanabis të shkatërruara kundrejt 530 177 në vitin 2014. Marihuana është ndër artikujt më profitabël të eksportit të vendit

Qëkurse njësitë speciale policore në verë 2014 nisën një ofensivë kundër bastionit të drogës në Lazarat, jo larg qytetit jugor të Gjirokastrës, dhe në krahinën e Dukagjinit pranë kufirit malazez fshatarët kanë ndryshuar mënyrë. Ata nuk e mbjellin më hashashin rrëshiror në sipërfaqe të mëdha por në ngastra të vogla, vështirësisht të zbulueshme, nëpër male. Për një kilogram bimë të thatë (gjethe, kërcyell e lule) ata marrin 300 euro. Në Itali, ku eksportohet shumica e të korrave, kilogrami kushton 5000 euro.
Policët që ndjekin banditët rrezikojnë jetën. Në qershor një oficer policie i cili ndaloi makinën e një bosi droge u vra me armë zjarri. Prodhimi dhe kontrabanda janë aq profitabël saqë gangsterët kanë mjaftueshëm para për të lyer rrotën e policëve, prokurorëve e gjykatësve. Dhe disa syresh, të përzier ne afera kriminale janë madje deputetë në parlamentin shqiptar.
Jana  Arsovska, sociokriminologe nga ShBA në një studim të porsapublikuar (Decoding Albanian Organized Crime, University of California Press, 2015) paraqet lidhjet e kriminalitetit të organizuar me partitë politike që në fillimet e viteve 90. Dhuna e korrupsioni, privatizimet mashtruese, ekstorsioni dhe krime të tjera shoqëruan tranzicionin nga një regjim totalitar në demokraci.
Një kulm i bashkëpunimit mes politikës e kriminalitetit u arrit ne vitin 1997 kur fonde investimesh të toleruara politikisht organizuan piramida financiare ofronin interesa nga 10 deri 25 %. Afro dy të tretat e shqiptarëve investuan dhe humbën kursimet e tyre. Kolapsi i sistemit kriminal ishe pretekst i një kryengritjeje të nxitur nga ish komunistët e që çoi në rrënimin e rendit publik. Depot e ushtrisë u plaçkitën, më shumë se gjysmë milion armë zjarri dhe 1,6 milion granata e bomba përfunduan në tregun e zi të Europës Lindore e Juglindore.
Situatat kaotike në afatgjatë veprojnë negativisht edhe për bizneset e kriminaliteti të organizuar. Ato lulëzojnë më mirë pa u dukur ne zonën gri midis klientelizmit e demokracisë. Një anëtar i klanit, i cili hyn në politikë, mbështetet nga fshati apo qyteza, ciladoqoftë përkatësia politike e tij. Si kundërshpërblim ai i shërben klientelës. Kriminaliteti i organizuar synon të jetë pranë pushtetit; paragjykime politike apo ideologjike janë të huaja për të. Deri në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 në pushtet ishte PD e aleatët e saj; tani janë Socialistët dhe aleanca e tyre “Për një Shqipëri evropiane”
Ashtu si Sali Berisha para tij edhe  Edi Rama, kryeministër socialist dhe shef i partisë premton se do të luftojë korrupsionin e kriminalitetin e organzuar. Por nuk ka ndryshuar gjë. Kurrë më parë nuk ka qenë lidhja mes qeverisë e krimit kaq e ngushtë deklaron kryetari i ri i Partisë Demokratike Lulzim Basha. Jo më pak se 19 deputetë të koalicionit të majtë vijnë nga bota e krimit ose kanë lidhje me të.
Në zgjedhjet lokale të qershorit Rama hodhi në kosh paralajmërimet eksplicite të ambasadorit amerikan dhe të disa ambasadorëve të shteteve të Bashkimit Europian dhe kandidoi persona të dyshuar për krime. PD tërhoqi një kandidat të dënuar për drogë. PS nuk pyeti për pasojat. Në Krujë e Kavajë, dy qytete të vogla në Shqipërinë e Mesme, kandidatë socialistë të arrestuar më parë për trafik narkotikësh fituan zgjedhjet.
Se sa të dobishme mund të jenë kontaktet politike për një gangster u dëshmua në tetor të vitit të shkuar. Atëherë policia shqiptare, malazeze e italiane bashkëpunuan në operacionin e koduar Laguna Viluni në bregdetin verior shqiptar për të kapur një bande të specializuar në kontrabandën e drogës drejt Italisë përmes gomoneve. Disa “peshq të vegjël” u kapën si dhe armë, para e drogë u sekuestruan. Por arrestimi i shefit të bandës Bardhok Pllanaj dështoi. Deputeti Mark Frroku i aleancës së majtë të kryeministrit Rama, e futi Pllanajn në veturën e tij dhe i refuzoi ndërhyrjen e policisë duke pretenduar imunitet parlamentar. Pasi u konsultua me eprorët policia e la të ikte bosin e drogës.
Mark Frroku u zgjodh deputet nga listat e PS në vitin 2013. Mediat shqiptare raportonin asokohe se ndaj tij kishte një hetim në Belgjikë. Ai dyshohej se tok me tre të tjerë kishte vrarë një person në vijim të një konflikti në aktivitetin e prostitucionit. Në janar të këtij viti Interpoli përcolli për të një urdhër arresti i cili u fsheh nga drejtori i policisë dhe nga shefi i zyrës shqiptare të Interpolit. Skandali plasi dhe të dy oficerët e policisë u larguan. Ndaj shefit të Interpolit filloi ndjekja penale ndërsa drejtori u rregullua si atashe në ambasadën shqiptare në Washington.
Që të dy i kishin marrë postet e tyre pas fitores zgjedhore të Ramës; më parë ata kishin qenë në funksione të Partisë Socialiste. Vetëm në fund të prillit u arrestua më në fund Mark Frroku.
Edhe vëllai i tij, i paditur në gjyq për vrasjen e një komisari policie, gëzon proteksion nga lart. Arben Frroku i shtiu me kallashnikov duke e vrarë në një parking para banesës së tij.
Pavarësisht nga provat dhe me gjithë dëshminë kundra të një dëshmitari okular Frroku u shpall i pafajshëm në gjykatën e faktit. Në pranverë ai u angazhua në fushatën zgjedhore të PS në qytetin verior të Pukës. Pak para se të shprehej apeli ai u zhduk jashtë vendit. Në 30 qershor ai u dënua në mungesë për vrasje. Avokati i Frrokut  thotë se nuk e di ku ndodhet klienti i tij.
Gangsterë si vëllezërit Frroku si rregull nuk e kane të domosdoshme të intimidojnë policë, prokurorë e gjykatës aq më pak të ushtrojnë dhunë. Në qershor u publikua një raport i hartuar me porosi të qeverisë nga ekspertë vendas e ndërkombëtarë për të shërbyer si material  pune për reformën në drejtësi. Raporti përshkruan se si kriminelët ja dalin që të blejnë pafajësinë.
Kjo fillon me policët të cilët kundrejt shumave të vogla prishin provat. Prokurorë janë të gatshëm që për 1000 deri në 2000 euro të mos fillojnë çështjen penale. Goxha më shtrenjtë bëhet në gjykatë ku duhen 60 000 deri 80 000 euro për të bindur një gjyqtar për një vendim të favorshëm. Në proceset civile thuhet se gjyqtari mund të arkëtojë nga të dy palët. Ata vetë paguajnë shpesh shuma midis 100 000 deri 300 000 euro për të avancuar në karrierë si p.sh për emërime në gjykata me çështje “të kamura” apo në KLD.

Titulli në gazetën gjermane, “Vendi ku lulëzon hashashi”
Nga Karl-Peter Schwarz

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY