Plot rrëfime e histori të mbushura me dramë kemi dëgjuar dhe kemi parë ku gratë janë viktimat por në emisionin “Me zemër të hapur” në News24 vjen sot një rast krejt i ndryshëm.
“BalkanWeb” zbardh historinë e 37-vjeçarit Hektor Lleshi, babai i një djali 2-vjeçar me origjinë nga Mirdita por me banim në Durrës që aktualisht vuan dënimin për dhunë në familje në burgun e Fushë-Krujës. Ai është martuar në gusht të vitit 2014 me Pavlina Lalën dhe sollën jete djalin e tyre Pahelin i cili është 2 vjeç.
Fillimisht martesa ka ecur shumë mirë mes tyre, por pas disa muajsh filluan probleme të vazhdueshme, zënka dhe mosmarrëveshje të cilat çuan në ftohjen e plotë të marrëdhënieve të tyre bashkëshortore.
Burimi i këtyre zënkave sipas prindërve të djalit që e përfaqësonin sot në emision, kanë qenë vazhdimisht sjellja dhe qëndrimi i Pavlinës kundrejt Hektorit dhe atyre. Djali kuptoi gjatë periudhës që jetuan bashkë, se ata fatkeqësisht nuk përputheshin në karaktere.
Hektori vendosi që në qershor të 2015 të kërkojë zgjidhjen e martesës në gjykatën e Durrësit me Pavlinën, pasi asgjë nuk funksiononte më mes tyre.
Çifti u nda dhe fëmija kaloi nën kujdestarinë e nënës dhe babai kishte të drejtat ligjore mbi fëmijën si dhe takimet që kishte vendosur gjykata. Sipas zyrës përmbarimore Hektori ka qenë shumë i rregullt me pagesat e djalit, edhe pse ish-nusja i ushtronte presion që ata të bashkoheshin sërish…, por babi i fëmijës kishte vendosur t’i jepte fund njëherë e përgjithmonë kësaj lidhjeje edhe pse kishte një fëmijë. Kjo e fundit shpesh herë tërhiqte pagesat që Hektori bënte në bankë dhe shkonte ia kthente me pretendimin se djalin do ta rriste vetë dhe nuk kishte nevojën e babait.
Ngjarja e rëndë që ka bërë Hektorin të ndodhet pas hekurave ka qenë dhjetori i 2016-ës.
“Si çdo baba, shkon për festat e fundvitit të marrë djalin dhe t’i blejë dhuratat. Pavlina, nëna e fëmijës inskenon një konflikt duke lajmëruar policinë dhe duke akuzuar babain e fëmijës se kishte ushtruar dhunë fizike ndaj saj. Kur ka qenë Pavlina ajo që ka ushtruar dhunë ndaj Hektorit. Pavlina është me profesion ushtarake”, thonë prindërit e Hektorit.
E vërtetë apo një trill…, fakti është se Hektor Lleshi ka afërsisht tre muaj që vuan dënimin për dhunë në familje. Ndërkohë prindërit e tij disponojnë audio…, ku Pavlina e kërcënon dhe i thotë se do ta fusë në burg nëse ai nuk ribashkohet me atë. Një histori delikate, marrëdhënie të prishura…, në mes është një fëmijë 2-vjeçar. 37-vjeçari dhe prindërit e tij kërkojnë të zbardhet e vërteta dhe të lirohet pasi ai është i pafajshëm dhe ka qenë nusja ajo që ka ushtruar dhunë ndaj tyre disa herë.
Vjehrra rrëfen live në TV ligësitë e nuses
“Ishte shumë e ndyrë nga goja, për një mirditore është turp”
“Ajo ishte e egër. Që në fillim nuk isha dakord për lidhjen e tyre. Ajo shumë e ndyrë nga goja që për një femër mirditore është turp”. Kështu deklaron në emisionin “Me zemër të hapur” në “News24”, Liza Lleshi, nëna e 37-vjeçarit Hektor Lleshi, i cili ndodhet në burgun e Fushë-Krujë, pasi ish-bashkëshortja e ka denoncuar për dhunë. Si prindërit ashtu edhe Hektori, baba i një djali 2 vjeç mohojnë dhunën, madje thonë se ka qenë Pavlina ajo që e ka dhunuar pasi nuk pranon ndarjen. Ndërkohë në rrëfimin për emisionin “Me zemër të hapur”, vjehrrit akuzojnë nusen, me profesion ushtarake se është e egër dhe se xhelozonte për ta.
Zonja Liza, kur janë martuar Hektori dhe Pavlina?
Në vitin 2012 u njoh me këtë gocën. Unë i thashë ‘jo mam se njihemi në rreth miqësor dhe e njoh që të vogël’. Ajo ishte vajzë e vetme dhe egoiste dhe janë dy persona me karakter diametralisht të kundërt. Ajo është shumë e egër. Djali im është shumë i urtë, jo budalla, i urtë. Ajo shumë e ndyrë nga goja që për një femër mirditore është turp. Më shumë vetë u njohën.
Si u njohën?
U njohën përmes një shoku të përbashkët. Djali im e pëlqeu dhe shoku i tha që ‘mos Hektor se është vajzë e egër’. ‘Jo’ tha djali im, ‘se do zbutet’.
Nëna e Pavlinës nuk donte, se donte një burrë 2 metrosh për vajzën, i dukej djali im i shkurtër. Ata janë njësoj. Më 14 korrik 2013 fejohen, vënë unazë. Nëna vuri kusht që vajza nuk do vijë në shtëpinë tuaj.
Pra, ju nuk ishit dakord që në fillim për lidhjen?
Nuk doja sepse ne kishim një miqësi me ta, boll ishte. Pastaj nëna e vajzës e ofendonte djalin tim edhe në syrin tim. Që nuk e di… të ishte Helena e Trojës nuk do e lejoja. I thoshte, ‘budalla’, ‘shemo’, ‘ti s’je për vajzën time’. Edhe djali me Pavlinën ziheshin shumë. Edhe ditën e premte para dasmës u zunë. Ishte shumë e ndyrë nga goja. Se di si fliste ashtu, me dy fakultete. Për hir të djalit, nëna e mbylli gojën.
Arrite të bëheshe shoqe me të?
Tre ditë ka ndenjur në shtëpinë time dhe iku në shtëpi më vete, erdhën në Tiranë.
Unë e kam trajtuar si vajzën time. Ndonëse ajo thotë se nëna më ka ndarë. Por s’mund të na vinte në rresht, ne se s’jemi ushtarë në Zallherr. Mirë mua, po burrit 67 vjeç s’mund t’ia bëjë me gisht. Ajo është ushtarake në Zallherr.
Ata kishin kontradikta edhe para se të lindte djali?
Po, po vetëm ziheshin. Edhe pasi lindi djali. Hektori e mori dhe iku në Gjermani tek e motra me të. Kur erdhën nga Gjermani, erdhi kjo e më tha ‘djali jot mos të ardhtë gjallë nga Gjermania’. Mos moj nënë i thashë se jam e sëmurë.
E mora djalin në telefon, i thashë keni bërë sherr në Gjermani, po më tha. I thashë më lini me këtë sëmundje dhe shkoni në shtëpinë tuaj, mos më shqetësoni. Ikën në Tiranë, ajo e kërcënonte djalin, i kishte grisur bluzën, e kishte bërë gjithë shenja. Ai lajmëroi policinë dhe shkoi në rajon. Gjithë natën atje luftë me u rregullu.
Ditën e 65-vjetorit të burrit, djali i thotë kam qejf t’i bëjmë një surprizë babit e shkojmë me djalin dhe hamë një drekë. Filloi sherrin ajo. E nuk u bë dreka, ikëm në shtëpi ne. Ajo ishte xheloze, pse flet me nënën, pse flet me motrën që vinte një herë në vit.
E akuzoi se i rrahu djalin, flet ish-nusja
“Dhunën e vjehrrës do ia tregoj dheut, edhe në hënë të jesh nga ajo nuk shpëton”
Pavlina Lala ka treguar versionin e saj për njohjen me Hektor Lleshin, ish-burrin e saj, dhe shkaqet që e çuan më pas drejt divorcit. Ndonëse prindërit e ish-burrit të saj, thonë se Pavlina ka dhunuar Hektorin, në një lidhje telefonike në studion e emisionit “Me zemër të hapur” në “News24” e reja tregon një tjetër version.
“BalkanWeb” raporton se Lala thotë se e dhunuara në këtë histori është pikërisht ajo. 29-vjeçarja thotë se ka qenë pikërisht ish-vjehrra e saj, ajo që ka ndikuar në prishjen e kësaj martese.
“Unë sapo u njoftova nga familjarët e ish-burrit. Sikur 100 jetë të kalojnë nuk do më hiqet kurrë nga mendja që personi që më shkatërroi jetën është gruaja në krahun tuaj (vjehrra). Pas viteve që kam kaluar në familjen time me ish-burrin dhe fëmijën tim, është që fëmija im të rritet i shëndetshëm. I vetmi problem ishte ajo grua.
Le të jetosh ku të duash, të shkosh në hënë, të shkosh ku të duash, nuk mund të jesh e lumtur për aq kohë sa ajo grua jeton. Nuk është problemi se ajo nuk më do mua, apo djalin tim, po ajo nuk do të birin. Edhe njerëzit e saj kanë problem me të. E kam kaluar gjithë dhunën psikologjike prej tyre. Boll e kam duruar atë grua. Tani dua vetëm të jem e lumtur. E donte ajo grua djalin e saj, le ta mbajë. Me djalin tim, s’ka punë fare”, ka rrëfyer live Pavlina Lala.
Sakaq, ajo i është përgjigjur edhe akuzave të prindërve ish-burrit të saj për dhunë ndaj tij.
“Unë nuk kam aftësinë për të dhunuar një mashkull. E aq më tepër të dhunoj njeriun që kam dashur më shumë në jetë. Jam 29 vjeç, jeta më pret para, fëmija, e ardhmja, puna. Zonja le të shohë jetën e saj, mos të merret me mua. Mos të flas unë për të pastaj”, u shpreh e reja.
Pas telefonatës së Pavlinës, edhe ish-burri i saj ka treguar versionin e tij për ngjarjen. Përmes një telefonate nga burgu i Fushë-Krujës, ai thotë se nuk kanë qenë prindërit e tij që kanë ndikuar në prishjen e martesës, por sjellja e Pavlinës.
“Lidhja jonë si fillim ka qenë tip shkuesie, dhe më pas jemi njohur. Që në fillim janë vënë re tiparet e ashpra të saj. Fakti që është fëmijë i vetëm dhe është rritur pa ta, ka bërë që të jetë pa ndryshe. Por mendova se do të socializohet me familjen time. Përjashtoj mundësinë që prindërit e mi të kenë ndikuar. Unë u kam thënë prindërve të mi që sapo të martohem do të jetojmë me vetë. Dihet që një vjehrre dhe një re nuk jetojnë me njëra tjetrën. Po nuk është kjo. Unë jam përpjekur t’i flas jo vetëm si bashkëshort, por edhe si vëlla. I kam folur për agresivitetin që ka, për mënyrën si i sheh gjërat.
Por gjërat që unë i thoja në një vesh i hynin në një vesh i dilnin. Pas një muaj martese kam debatuar me të. I kam mbledhur dy familjet, dhe prindërit e saj më kanë thënë herë tjetër do flasësh me mua. Pavlina duke biseduar me të ëmën ka vazhduar gjithmonë me paragjykime për familjen time”, tha Hektori.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/