Spaho: Zhurma me kasat për të mbuluar kontrabandën dhe rritjen e taksave

Spaho: Zhurma me kasat për të mbuluar kontrabandën dhe rritjen e taksave

62
0
Shares

Nënkryetari i PD-së, Edmond Spaho, i cilëson justifikime për të mbuluar gropën prej 160 milionë dollarësh që i shkaktuan buxhetit të shtetit, pretendimet e maxhorancës se të ardhurat ranë për shkak të rritjes së konsumit vendas të cigareve dhe energjisë elektrike.
“Nëse nuk kemi importuar energji elektrike, kjo do të thotë se kemi rritur prodhimin e brendshëm. TVSH-ja që mblidhet nga energjia elektrike është e njëjtë si për energjinë e importit, ashtu edhe prodhimin vendas, sepse atë e paguajnë konsumatorët fundorë, të cilët janë qytetarët dhe bizneset. Veç kësaj, ne e rrisim konsumin e energjisë elektrike me 10 % çdo vit në krahasim me vitin paraardhës, për rrjedhojë duhej të kishim mbledhur edhe më shumë TVSH nga energjia elektrike. A dalin qeveritarët tanë në treg të shohin llojet e pafundme të paketave të cigareve që shiten me çmime nën kosto dhe shumë më lirë se në vendet e tjera? Kjo nuk quhet “reformë” që pakëson konsumin e duhanit dhe përmirëson shëndetin e popullit, por i vjen era kontrabandë, të cilën qeveria e lejon me vetëdije. Pavarësisht se “ka rënë” importi i cigareve, kompanitë e mëdha të tregtimit të cigareve deklarojnë që konsumi nuk ka rënë, përkundrazi është rritur”, shprehet Spaho.
Në një intervistë për “Panorama”, Spaho thekson se qeveria vijon të aplikojë taksën e sheshtë, për të cilën akuzonte opozitën me përjashtim të tatimit mbi të ardhurat personale.
Aksionin që maxhoranca ka paralajmëruar se do të nisë nga 1 shtatori për të luftuar informalitetin, nënkryetari i PD-së e cilëson si tentativë të shumicës për të mbushur gropën e shkaktuar në buxhet.
“Aksioni i shpallur nga qeveria për ‘reduktimin e informalitetit’ është butaforik, sepse synon të mbulojë mungesën e 160 milionë USD të shkaktuar kryesisht nga kontrabanda e cigareve dhe karburantit, duke ia faturuar atë biznesit të vogël dhe mungesës së kasave fiskale. Argumenti bëhet fare qesharak kur qeveria deklaron se në dy vjet ka instaluar 25 mijë kasa fiskale më shumë. Evazioni që vjen nga biznesi i vogël është thërrime në krahasim me evazionin nga kontrabanda që bëhet me dijeni dhe miratim të zyrtarëve tanë apo evazioni i një pjese të bizneseve VIP. Çështja e mungesës së 160 milionë USD në buxhetin e shtetit duhet parë më thellë dhe më seriozisht. Ajo është shprehje jo vetëm e kontrabandës, por, në radhë të parë, e dështimit të modelit ekonomik që ofroi e majta në pushtet. Problemi nuk qëndron te kasat fiskale, sepse të dhënat e xhiros që raportojnë bizneset, të cilat aktualisht kanë kasa fiskale, nuk përdoren nga organet tatimore për t’iu llogaritur atyre detyrimin tatimor. Zhurma me kasat fiskale, veç mbulimit të kontrabandës, kërkon të mbulojë dështimin e politikës së rritjes së taksave, e cila jo vetëm nuk prodhoi më shumë të ardhura, por për herë të parë po ndodh që të mbledhim në buxhet më pak të ardhura se viti paraardhës”, vijon më tej Spaho.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY