RELACIONI & PROJEKTLIGJI/ PD: Hetimi ndërkombëtar i CEZ i kushtëzuar nga presioni...

RELACIONI & PROJEKTLIGJI/ PD: Hetimi ndërkombëtar i CEZ i kushtëzuar nga presioni mazhorancës mbi drejtësinë

59
0
Shares

Partia Demokratike ka dorëzuar sot në Kuvend projektligjin e saj, nëpërmjet të cilit do të kërkojë hetim ndërkombëtar për çështjen e CEZ-it.
Në relacionin që shoqëron projektligjin, PD sqaron se “Presioni politik ndaj organit të prokurorisë dhe kërcënimet e vijueshme që i bëhen sistemit të drejtësisë nga mazhoranca aktuale, nuk krijojnë asnjë premisë për të pasur një hetim të plotë dhe të pavarur”.
Projektligji “Për lejimin e hetimit ndërkombëtar për akuzat e bëra publike për çështjen CEZ” shkon në Kuvend si propozimi i Grupit Parlamentar të PD-së, ndërkohë që paralelisht me të përfaqësuesit e opozitës do t’i drejtohen me një kërkesë Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e marrëveshjes së qeverisë shqiptare me kompaninë CEZ.
Ekspertët ligjorë në Partinë Demokratike kanë punuar gjatë këtyre ditëve për hartimin e projektligjit që do të përmbajë 14 nene, ku do të përcaktohen mekanizmat sipas të cilave do të bëhet ky hetim.

Relcioni shoqërues i projektligjit

RELACION
MBI PROJEKTLIGJIN PËR LEJIMIN E HETIMIT TË PAVARUR NDËRKOMBËTAR MBI AKUZAT PUBLIKE TË NGRITURA MBI CËSHTJEN “CEZ SHPËRNDARJE SH. A.”

Me Ligjin nr. 10116, datë 23. 04.2 009 “Për miratimin e kontratës së shitjes së 76 % të aksioneve të OSSH sh .a., ndërmjet METE dhe CEZ a. s”., kjo shoqëri ka blerë 76 % të aksioneve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) duke u bërë kështu operatori më i rëndësishëm i shpërndarjes dhe furnizimit  publik, me pakicë të energjisë elektrike. Në bazë të Ligjit Nr. 9072, datë 22. 05. 2003 “Për sektorin e energjisë elektrike” (i ndryshuar) (neni 45), CEZ Shpërndarje si shoqëri e licencuar për furnizimin e përdoruesve me energji elektrike, është e detyruar të sigurojë furnizimin me energji elektrike te konsumatoreve të energjisë elektrike. Për këtë shërbim aplikohen tarifat përkatëse që në bazë të nenit 28 të ligjit të sipërcituar shqyrtohen dhe miratohen nga ERE.
Mirëpo CEZ a. s. nuk zbatoi kushtet e kontratës së nënshkruar me shtetin shqiptar, duke shkaktuar  dëme të pariparueshme sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike. Në këto kushte, në Tetor të vitit 2012, Banka Botërore këshilloi shtetin shqiptar të ndërmerrte masa për heqjen e licencës së CEZ a. s dhe orientoi Qeverinë të kontaktonte dhe të thërriste në garë disa kompani ligjore të specializuara në fushën e arbitrazhit të investimeve. Për këtë arsye, më 5 Nëntor 2012 nga Ministria e Drejtësisë u shpallën fituesi të një gare ndërkombëtare dy firmat ligjore “Derains, Gharavi & Lazareff”.
Në Nëntor 2012, pas dështimit të negociatave me CEZ a .s., studio ligjore ndërkombëtare këshilloi Qeverinë Shqiptare t’i hiqte licencën CEZ shpërndarje dhe në vijim të angazhohej fuqishëm për ngritjen e padive në arbitrazh ndërkombëtar referuar Marrëveshjes së privatizimit. Konkretisht, CEZ a. s duhet
të mbante përgjegjësi për:
a) Dëme të rrjedhura nga mosrealizimi i masës së investimeve të nevojshme për përmbushjen e detyrimeve të CEZ a. s. Sipas kontratës për shitblerjen e kuotave dhe abuzimi me pasuritë e CEZ Shpërndarje të vlerësuara përafërsisht në masën 700 milion Euro;
b) Dëme të rrjedhura nga shkëputja e pajustifikuar e energjisë elektrike më 16 nëntor 2012 dhe në raste të tjera;
c) Likuidimi i faturave ndaj KESH dhe OST në masën e rreth 300 milion Euro.
Përveç, padive civile, studio ligjore ndërkombëtare këshillonte Qeverinë të ngrinte kallëzim penal ndaj stafit ekzekutiv të CEZ si dhe përgatiti një plan masash të cilat duhet të ekzekutoheshin nga ana e institucioneve të shtetit shqiptar. Ky kallëzim është depozituar në Avokatura e Shtetit me nr. 526/34
prot., datë 24. 07. 2013 në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Më 5 mars 2013 CEZ kërkoi zgjidhjen e mosmarrëveshjes me ndërmjetësim. Më 19 Prill 2013 studio ligjore ndërkombëtare, i ka paraqitur me shkrim autoriteteve shqiptare, avantazhet dhe disavantazhet e zgjidhjes me ndërmjetësim, duke vlerësuar se në kushtet kur ende nuk janë mbledhur provat, nuk mund të vijohet me vlerësimin e plotë ekonomik dhe juridik të situatës, për të evidentuar mundësitë e zgjidhjes me ndërmjetësim. Më 28 Gusht 2013 është nënshkruar kontrata me BDO dhe më pas me Becker Buttner Held që do të përfundonte në 8 javë Vlerësimin Teknik të Cez sh. a. dhe BDO. Më 30 shtator 2013 av. Hamid Gharavi shpreh shqetësimin e madh për cenimin e interesave ekonomikë të Republikës së Shqipërisë në rast se nuk ndërmerren në mënyrë urgjente disa masa të caktuara.
Në Shkurt 2014 janë përgatitur Raportet e ekspertëve (Vlerësimet teknike, financiare dhe vlerësimi i Claims kundër CEZ a. s. dhe nga CEZ a.s.), por rezultatet janë mbajtur të fshehura nga Qeveria dhe Raportet nuk janë zhvilluar më tej sipas porosive të lëna nga ekspertë në mënyrë që të finalizoheshin
referuar termave të Kontratës me ta. Dy raportet e vlerësimit teknik dhe financiar, të cilat ishin vënë në dispozicion të Qeverisë që në 10 Shkurt 2014, parashikonin shprehimisht se:
(i) CEZ a. s. nuk investoi në kompaninë e shpërndarjes referuar marrëveshjes (fq. 67-74 Vlerësimi i Padive BDO);
(ii) kompania u shkatërrua me qëllim nga CEZ a. s., e cila kishte një vit që përgatitej të largohej (67-74, 80-85 Raportit BDO);
(iii) paratë e marra me kredi nuk ishin përdorur për të bërë investimet e kërkuara (po aty);
(iv) CEZ kishte dështuar për të reduktuar borxhin e keq referuar SPA (fq75-79 BDO);
(v) pjesa takuese e shtetit shqiptar 24 % kishte shkuar në zero (80-100 BDO);
(vi) e gjithë vlera e kompanisë kishte shkuar në zero (80-100 BDO);
(vii) paratë e mbledhura nuk ishin investuar por në kundërshtim me ligjin ishin transferuar në parajsat fiskale nga kompanitë fantazmë të kontraktuara nga CEZ (fq. 92-97 i raportit BDO);
(viii) CEZ a. s. kishte dështuar të investonte, të ulte humbjen në rrjet dhe të ulte borxhin e keq, i cili rezultonte i rritur nga 8 milion ne vitin 2007 në 53 milion në Janar të vitit 2013;
(ix) CEZ shpërndarje në kundërshtim me ligjin kishte transferuar para tek CEZ a. s. në mënyrë preferenciale karshi kreditorëve të tjerë (fq. 100 BDO);
(x) heqja e licencës nga ERE ishte më se e drejtë;
(xi) faturat e papaguara nga CEZ ndaj KESH dhe OST 3,6 Miliard lek (fq. 102-106 i BDO);
(xii) paditë e paraqitura nga CEZ a. s. janë të mbivendosura dhe nuk janë të llogaritura drejt (fq. 132 BDO);
(xiii) paditë në lidhje me taksat të cilat janë humbur në gjykatat e brendshme në 3,9 miliard Lekë (fq. 125 i BDO).
Pavarësisht detyrimi që kompania CEZ a. s. i detyrohej shtetit shqiptar në minimumin e saj kapte vlerën 1 bilion Euro (500 milion USD CEZ a. s. i detyrohet vetëm KESH dhe OST), Qeveria deklaroi se kishte arritur të zgjidhte me mirëkuptim mosmarrëveshjen, duke i falur të gjitha detyrimet dhe duke i dhënë CEZ a. s. 95 milion Euro. Por kjo marrëveshje arrihet në një situatë kur CEZ a. s. pretendonte 200 milion EURO në një arbitrazh investimesh, ndërkohë që kjo kompani ishte e ekspozuar karshi shtetit shqiptar në një padi Arbitrazhi Tregtar nga 1-3 bilion euro.
Është e qartë dhe e provuar katërcipërisht se asnjë avokat apo ekspert ndërkombëtar nuk rezulton ta ketë konsultuar Qeverinë shqiptare për të zgjidhur në këtë formë mosmarrëveshjen me CEZ a. s., përveç konsulentëve privatë të Kryeministrit dhe avokatëve të shtetit dhe zyrtarëve të tjerë, të cilët kanë pasur
klientë CEZ a. s. apo kanë qenë të punësuar nga CEZ a. s. 
Për të gjitha faktet mësipërme, rezulton që nga nënshkrimi i marrëveshjes për zgjidhjen me mirëkuptim ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë CEZ, a. s., të miratuara me ligjin nr. 114/2014, datë 31. 07. 2014, i janë shkaktuar shtetit shqiptar miliona EURO dëm ekonomik, të cilat përbëjnë vepër penale dhe që kanë nevojë për një hetim të plotë dhe të thelluar, për të vënë përpara përgjegjësisë ligjore autorët e kësaj vjedhje të rëndë që i është bërë xhepave të çdo shqiptari.
Mirëpo, në vitin 2015, nga media janë bërë publike disa fakte të rënda, për një tjetër aferë të rëndë korruptive, që ka lidhje gjithashtu me kompaninë CEZ. Ish-kryeministri dhe kreu aktual i parlamentit, Ilir Meta akuzohet se ka marrë ryshfet nga Debt International Advisory, DIA, një kompani mbledhje borxhi që ka hedhur në gjyq OSHEE-në në gjykatën e arbitrazhit në Vjenë. Detajet e akuzave kanë rrjedhur pasi DIA hodhi në gjyq kompaninë e shpërndarjes së energjisë elektrike për prishje kontrate, duke kërkuar 130 milionë euro në vitin 2013, kohë kur kjo e fundit quhej CEZ Shpërndarje dhe ishte nën pronësinë e
gjigantit Çek të energjisë, CEZ Grup. Sipas një kërkese për t’i hedhur poshtë akuzat e ngritura nga DIA, studio ndërkombëtare ligjore e Qeverisë shqiptare “Clifford Chance” pretendon se Kryetari i Kuvendit ka qenë një nga përfituesit e pagesave prej miliona eurosh, të përfituara nga kompania e mbledhjes së
borxheve prej CEZ Shpërndarje gjatë viteve 2010 dhe 2011.
Sipas dokumentit të protokolluar nga Clifford Chance në gjykatën e arbitrazhit më 30 Qershor 2015; DIA ka përfituar në total 4.5 milionë euro nga CEZ Shpërndarje, gjatë një periudhe gati një vjeçare nga Nëntori 2010 deri në Tetor 2011. Këto para u paguan nga CEZ Shpërndarje për një raport të pavlerë për
identifikimin e debitorëve, si dhe si një parapagesë për kostot operative të DIA për mbledhjen e borxhit. Sipas raportit të avokatit ndërkombëtar të Qeverisë Shqiptare: “Brenda transfertave [përfituesve] të lekëve që DIA mori nga CEZ Shpërndarje ishin… politikanë të rëndësishëm shqiptarë, përfshirë një ish
kryeministër i proceduar për korrupsion.”.
Ilir Meta është i vetmi ish-kryeministër shqiptar që në dy dekadat e fundit është proceduar penalisht për korrupsion. Në shkurt të vitit 2011, ai u akuzua nga Prokuroria e Përgjithshme për korrupsion aktiv, pas publikimit të një video nga emision Fik Fare, ku dëgjohej të diskutonte një pagesë prej qindra mijëra eurosh me ish ministrin e ekonomisë, Dritan Prifti.
Emri i Ilir Metës është lakuar si i lidhur me aferën e CEZ edhe nga ish-kreu i bordit të drejtorëve të CEZ, Jozef Hejsek. Hejsek në dëshminë e tij më 26 Tetor 2014 në Pragë për llogari të avokatëve të studios ligjore të OSHEE-së, Clifford Chance, thotë se Ilir Meta, në kohën kur ishte ministër i Jashtëm, ka negociuar që Çekët e CEZ të punonin me DIA, duke e prezantuar biznesmenin si njeriun që kishte mbështetjen e qeverisë shqiptare. Clifford Chance shkruan që hetimi i rastit DIA-CEZ mund të ekspozojë rastin më të madh të korrupsioni dhe mashtrimit në Shqipëri.
Për vetë kompleksitetin që kanë këto dy çështje, si dhe për faktin se në këtë aferë janë të përfshirë zyrtarët më të lartë të shtetit (përfshirë Kryeministrin, Kryetarin e Kuvendit, Ministrin e Energjetikës, Avokatin e Përgjithshëm të Shtetit, etj.), vlerësojmë se një hetim i pavarur nga ekspertë ndërkombëtar të organeve ligj-zbatuese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës apo vendeve të Bashkimit Europian, do të garantonte besueshmëri tek opinioni publik, se hetimi është i plotë dhe i përgjegjshëm. Hetimi nuk mund të kryhet vetëm nga autoritetet ligj-zbatuese shqiptare, për shkak se bëhet fjalë për të hetuar drejtuesit kryesor politik dhe shtetëror në vend. Presioni politik ndaj organit të prokurorisë dhe kërcënimet e vijueshme që i bëhen sistemit të drejtësisë nga mazhoranca aktuale, nuk krijojnë asnjë premisë për të pasur një hetim të plotë dhe të pavarur.
Ne besojmë, se është në interesin e Shqipërisë dhe shqiptarëve, që kjo çështje të hetohet në mënyrë të plotë dhe gjithëpërfshirëse, nën një ekspertizë të specializuar ndërkombëtare. Askush dhe në asnjë rrethanë, nuk mund të keqpërdor interesin e shqiptarëve dhe t’i vjedhë ato me skema mashtruese dhe
kriminale. Një hetim i plotë ndërkombëtar, do të hidhte dritë mbi këto fakte të bëra publike, dhe do të rikthente besimin tek opinioni publik, se abuzuesit me pushtetin ndëshkohen.
Për këtë qëllim propozojmë për miratim nga Kuvendi projektligjin “Për lejimin e hetimit të pavarur ndërkombëtar mbi akuzat publike të ngritura mbi çështjen “CEZ SHPËRNDARJE sh. a.”.
Ky projektligj ka për objekt përcaktimin e rregullave që garantojnë kryerjen e hetimeve të pavarura, të plota dhe
gjithëpërfshirëse, nga organe ligj-zbatuese të huaja, për faktet e bëra publike lidhur me akuzat për çështjen “CEZ SHPËRNDARJE sh. a.” me Qeverinë shqiptare.
Qëllimi i ligjit është të sigurojë besueshmëri të plotë tek opinioni publik mbi hetimin e gjithanshëm të fakteve të bëra publike, si dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të personave përgjegjës. Dispozitat e tij do të zbatohen për procedimet në lidhje me veprat penale për çështjen “CEZ SHPËRNDARJE sh. a.”, me Qeverinë Shqiptare, që në çastin e miratimit të këtij ligji, janë nën juridiksionin e autoriteteve gjyqësore të Republikës së Shqipërisë.
Konkretisht, propozohet që një strukturë e specializuar hetimi që ushtron veprimtarinë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe/ose në një vend të Bashkimit Europian, dhe që pranon të caktojë prokurorë të saj në Shqipëri për llogari të hetimit të akuzave të bëra publike për çështjen “CEZ SHPËRNDARJE
sh.a.”, të ketë mundësi të hetojë mbi ligjshmërinë e veprimeve apo mosveprimeve të funksionarëve publik apo personave privatë, gjatë marrëdhënies midis shoqërisë “Debt International Advisory, DIA”  dhe shoqërisë “CEZ SHPËRNDARJE”, si dhe akuzave të bëra publike për veprime korruptive; si dhe të hetojë mbi faktet e bëra publike për dëmtimin e interesave financiare të shtetit shqiptar, nga realizimi i marrëveshjes për zgjidhjen me mirëkuptim ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë “CEZ, a. s.”, të miratuara me ligjin nr. 114/2014, datë 31.07.2014.
Në emër të Republikës së Shqipërisë, Prokurori i Përgjithshëm është bashkërenduesi i bashkëpunimit me organin ligj-zbatues të huaj dhe vepron si autoriteti kompetent për marrjen dhe sigurimin e ndjekjes së veprimeve të kërkuara për hetimin e plotë dhe të pavarur të akuzave publike mbi çështjen “CEZ
SHPËRNDARJE sh. a.”, me Qeverinë shqiptare. Prokurori i Përgjithshëm, brenda 10 ditëve nga hyrja në fuqi e ligji, ngarkohet të lidhë marrëveshje bashkëpunimi me organe ligj-zbatuese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe/ose vendeve të Bashkimit Europian, të cilat shprehin gatishmërinë për të ndihmuar në hetimin e plotë dhe të gjithanshëm të akuzave të bëra publike mbi çështjen “CEZ
SHPËRNDARJE sh. a.”, me Qeverinë shqiptare.
Objekt i marrëveshjes do të jetë caktimi i prokurorëve të organit ligj-zbatues të huaj për të hetuar mbi çështjen “CEZ SHPËRNDARJE sh. a.”, me Qeverinë shqiptare, me qëllim zbardhjen e plotë dhe individualizimin e përgjegjësisë penale për personat përgjegjës.
Organi ligj-zbatues i huaja, do të ketë të drejtë të dëgjojë dëshmitarë, ekspertë dhe persona të akuzuar në Shqipëri; të marrë prova dhe të mbajë çdo dokument dhe të gjitha materialet që janë të rëndësishme për hetimin dhe gjykimin, në përputhje me legjislacionin shqiptar; të këqyrë mjedise apo dokumente; apo të ndërmarrë çdo veprim procedural dhe/ose veprime të tjera, që mund të jenë të nevojshme për
realizimin e një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm, për përfundimin e hetimit dhe/ose përgatitjen e zhvillimin e ndjekjes penale në gjykim. Në çdo rast, nëse veprimet ose aktivitetet hetimore që ndërmerren nga organet ligj-zbatuese të huaja duhet të mbështeten nga një vendim prokurorie apo gjykate, sipas ligjeve shqiptare, procedohet pa asnjë vonesë në përmbushjen e tyre nga autoritetet shqiptare.
Ekzekutimi i çdo veprimi, që kërkon forcë ose kufizon të drejtat dhe liritë themelore të shtetasve, kryhet në pajtim me legjislacionin shqiptar në fuqi.
Çdo autoriteti shqiptar duhet t’i transmetojë organit ligj-zbatues të huaj, brenda 15 ditëve nga fillimi i veprimtarisë së tij, çdo informacion për veprat penale që kanë lidhje me çështjen “CEZ SHPËRNDARJE sh. a.” me Qeverinë shqiptare, të mbledhura gjatë çdo procedimi penal, civil, apo administrativ, të zhvilluar brenda apo jashtë territorit të Shqipërisë. Fshehja apo refuzimi për të dhënë informacionet e plota e ngarkon personin përgjegjës me përgjegjësi penale sipas ligjit.
Në përfundim, në kundërshtim flagrant me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, nëpërmjet marrëveshjes për zgjidhjen me mirëkuptim ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë CEZ, a. s., të miratuara me ligjin nr. 114/2014, datë 31.07.2014, Qeveria Shqiptare ka hequr dorë nga çdo  procedim (përfshirë procedimin penal) për çështjet që lidhem me aferën CEZ Shpërndarje.
Ky ndalim, përveçse del jashtë fushës së veprimtarisë së një marrëveshje tregtare mirëkuptimi, cenon autoritetin e prokurorisë për të ndëshkuar çdo krim që kryhet në territorin e Republikës së Shqipërisë. Qeveria, e vetëdijshme se në çështjen “CEZ Shpërndarje” janë konsumuar vepra të tmerrshme penale, për shkak se është shkaktuar një dëm financiar në miliona Euro, ka tentuar ti jap vetes dhe zyrtarëve
të CEZ, imunitet dhe paprekshmëri nga ndjekja penale. Pra, me pak fjalë ka tentuar të amnistojë çdo krim të kryer.
Ky është një parashikim i papranueshëm në një shtet demokratik, sepse çdo krim, pavarësisht nëse kryhet nga Kryeministri, ministri, apo zyrtarë të tjerë të lartë të shtetit, apo nga kompani të fuqishme tregtare, duhet të ndëshkohet. Për këtë arsye,  projektligji parashikon se çdo dispozitë ligjore në fuqi, përfshirë dispozitat e marrëveshjes për zgjidhjen me mirëkuptim ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe
shoqërisë CEZ, a. s., të miratuara me ligjin nr. 114/2014, datë 31.07.2014, të cilat pengojnë hetimin, ndjekjen penale, gjykimin, apo dënimin, e personave që gjenden përgjegjës penalisht për cështjen “CEZ SHPËRNDARJE sh. a.” me Qeverinë shqiptare, shfuqizohet.
Miratimi i këtij projektligji, jo vetëm i hap rrugë një hetimi të plotë dhe real për aferat e mësipërme korruptive dhe antiligjore, por mbi të gjitha provon se Shqipëria është një shtet demokratik, kur krimet hetohen dhe autorët/përgjegjësit ndëshkohen sipas ligjit. Është momenti që çdo deputet i Kuvendit të Shqipërisë, mbi interesin e ngushtë personal apo partiak, të vendos interesin publik dhe mirëqenien financiare të shtetit dhe qytetarëve shqiptar.
KRYETARI I GRUPIT PARLAMENTAR TË PARTISË DEMOKRATIKE
DEPUTETI
EDI PALOKA

Projektligji i depozituar në Kuvend


prl1


prl2


prl3


prl4


prl5


prl6


prl7


prl8


prl9

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY