Subjekti blerës nuk ka të drejtë të kreditojë kompensimin prej 20 % të paraqitur në faturën tatimore, nëse nuk provon kryerjen e kompensimit të fermerit nëpërmjet likuidimit të vlerës së faturës nga llogaria bankare e tij në llogarinë bankare të fermerit…
Drejtoria e tatimeve u ka rikujtuar bizneseve që kanë bashkëpunim me fermerët, ndryshimin e fundit ligjor në Udhëzimin Nr. 23, datë 07. 09. 2015 “Për një shtesë në udhëzimin nr. 19, datë 03. 11. 2014, “Për zbatimin e regjimit të veçantë të skemës së kompensimit të prodhuesve bujqësorë për qëllime të tatimit mbi vlerën e shtuar” botuar në fletoren zyrtare nr. 157, datë 11. 09. 2015, në fuqi me botimin në fletoren zyrtare.
Me këtë udhëzim është bërë një shtesë në nenin 9 ”E drejta e zbritjes së TVSH-së së kompensuar”, pika 3. Sipas kësaj shtese përcaktohet se, citojnë tatimet: “Personi i tatueshëm blerës nuk ka të drejtë të kreditojë kompensimin prej 20 % të paraqitur në faturën tatimore të lëshuar sipas këtij neni, nëse nuk provon kryerjen e kompensimit të fermerit nëpërmjet likuidimit të vlerës së faturës nga llogaria bankare e tij në llogarinë bankare të fermerit.”.
Sipas udhëzimit fillestar, Blerësi, person i tatueshëm, për çdo furnizim të produkteve bujqësore, të marrë prej fermerit, lëshon një faturë tatimore me TVSH sipas formatit të miratuar të faturave nga organi tatimor, në të cilën evidenton si shitës, shitësin fermer (prodhues bujqësor), NIPT-in e fermerit dhe të dhënat e tjera të kërkuara sipas faturës. Vlera totale e faturës përfaqëson vlerën e furnizimit të paguar nga blerësi për llogari të shitësit fermer, përfshirë normën e kompensimit e cila është 20 %. TVSH-ja e shënuar në faturë prej 20% përbën normën e kompensimit të fermerit. Kompensimi i akorduar i paguhet fermerit nga blerësi, person i tatueshëm, përkundrejt furnizimeve të kryera. Norma e kompensimit aplikohet mbi çmimin pa TVSH.
Kjo skemë e kompensimit të TVSH-së, ndërsa ka qenë pozitive për të nxitur bujqësinë vendase dhe zëvendësuar importet, pasi nxiti supermarketet të furnizoheshin me produkte vendase, është “fajësuar” nga ministri i financave si një nga arsyet që ka ndikuar në uljen e të ardhurave të TVSH-së (TVSH-ja nga produktet e importit vilet më kollaj, sepse parapaguhej në doganë) .
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/