Kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë së PD-së, Enkelejd Alibeaj, ka denoncuar sot lidhjet e kushërinjve të ministrit të Brendshëm me krerët e policisë kufitare, në pikat kyçe të kalimit të narkotikëve.
“Kushërinjtë e Saimir Tahirit, Habilajt që hetoheshin për trafik droge, dhe që policia i njeh mirë për aktivitetin e tyre në Vlorë e më gjerë, po vazhdojnë të forcojnë lidhjet me pikat kyçe të kalimit të narkotikëve. Kemi këtu, Moisi Habilajn, kushëriri i preferuar i Tahirit, në një lidhje të ngushtë bashkëpunimi me kreun e policisë kufitare në Dhërmi. Pikërisht në Dhërmi, aty ku sipas dëshmisë së oficerit të lartë të antidrogës Zagani, banda e drogës magazinon mallin dhe e bën gati për ta nisur në Itali”, shprehet Alibeaj.
Sipas tij, kreu i policisë kufitare e ka marrë mesazhin, ndaj edhe është vënë në shërbim të kushëririt të ministrit.
“Por siç dëshmojnë këto foto, kreu i policisë kufitare në Dhërmi, Sokol Bode, nuk ka prioritet hetimin e trafikut të drogës sepse në fakt është vënë në shërbim të tyre. Ja tek festojnë së bashku kreu i kufirit të Dhërmiut me Habilajt, arritjet në biznesin kriminal. Dolli pa fund për drogën dhe për shefin e madh në Tiranë. Oficeri Bode e ka marrë mesazhin. Ai nuk mund të hetojë kushëririn trafikant të ministrit të Brendshëm. Nuk mund të prekë Habilajt që ndajnë makinën me Saimir Tahirin”, shtoi Alibeaj.
Më tej, kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë së PD-së i është rikthyer akuzave, sipas tij, tashmë të ndërkombëtarizuara, ndaj ministrit Saimir Tahiri, që ka alarmuar edhe prokurat e antimafias italiane.
“Është provuar publikisht tanimë, dhe e ka pohuar vetë me gojë Tahiri, se makina e tij që shërben si mbrojtje, si garanci e imunitet, është në dispozicion të habilajve kur ata kanë punë me drogën, e më pas në dispozicion të Saimirit kur ai shkon me pushime. Kjo aferë kriminale, ky skandal i padëgjuar më parë, tashmë është ndërkombëtarizuar. Mediat italiane kanë pasqyruar akuzat tronditëse që rëndojnë ndaj narkoministrit të Brendshëm shqiptar. Prokurorët italianë të antimafias janë vënë në alarm për volumin e madh të drogës që po kalon nga Shqipëria drejt vendi fqinj”, shtoi Alibeaj.
Sipas Alibeajt, megjithëse narkomisnistri AA 003 GB mund të bëjë krenar kryeministrin Edi Rama, vetëm largimi i menjëhershëm i Saimir Tahirit, i hap rrugë drejtësisë.
“Por narkoministri, zoti AA003GB, bën krenar Edi Ramën me gjithë këto bëma. Prej 33 ditësh ai është ministri i Brendshëm më i diskredituar në faqen e rruzullit, njeriu që favorizon bandat e drogës, nxit krimin dhe imkriminon policinë. Çdo ditë në detyrë e narkoministrit është një ditë më shumë në kalendarin e krimit dhe drogës. Vetëm largimi i tij i menjëhershëm i hap rrugë drejtësisë dhe heq njollën e turpit, korrupsionit e inkriminimit, me të cilën narkoministri ka ndotur punën, përpjekjet dhe sakrificat e mijëra efektivëve të policisë së shtetit”, përfundon deklarata e Enkelejd Alibeajt.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/