ARTAN FUGA/ Politika për sportet dhe jo sport për politikë

ARTAN FUGA/ Politika për sportet dhe jo sport për politikë

60
0
Shares

Këtu ka tre probleme të mëdha që kërkojnë një përgjigje strategjike.
E para, a ka shanse të eci kjo politikë që kemi me sportet?
Unë them jo, prej vitesh e dekadash është e dështuar, nuk bën hajër. Ajo mbështetet në tharjen pothuajse të gjithë mbështetjes publike të të gjitha sporteve me përjashtim të atyre të topit, sidomos të futbollit. Por, edhe këtu vëmendja përqendrohet ku të gjenden 11 çuna që luajnë jashtë dhe me bë një skuadër, si politikë marketingu politik, duke e shitur si emblemën e zhvillimit të vendit, çka nuk është e vërtetë.
Sporti shndërrohet në politikë marketingu e pushtetit. Futet edhe pak nacionalizëm i projektuar atje dhe me këtë shpresohet se do të harxhohen energjitë shpërthyese të një publiku të ri që vetë-identifikohet me futbollin. Lojtarë që luajnë jashtë dhe sidomos kur periudha e verës mbaron dhe tregu i futbollit mbyllet, nuk kanë më arsye ta konsiderojnë kombëtaren si trampolinë sepse lodhen në klubet jashtë e nuk kanë motivin e mëparshëm. Ekipet vendase thahen dhe sportistët nuk kanë motiv të ngrenë cilësinë e futbollit vendas.
Çdo politikë nuk ka kohë të investojë në sportin vendas sepse do rezultat menjëherë, brenda katërvjeçarit të mandatit elektoral, dhe e ka më të lehtë të marrë nga jashtë.
Rezultati, asnjë hap përpara nuk bëjmë në rankim pavarësisht shkojmë ose jo në Francë, sepse atje rëndësi ka të japësh imazh cilësor, jo vetëm sa të futesh sepse kush nuk futet…
A nuk jemi përsëri në nivelin e skuadrave të nivelit të katërt në Europë si dyqind vjet më parë si me futbollistë marrë nga jashtë ashtu si me ata që luanin brenda??? Si me trajner të huaj ashtu edhe me vendas???
Portugalia e nivelit të dytë na mundi në shtëpi. Serbia si skuadër e nivelit të tretë a nuk na mundi dje? A nuk do të diskutohemi me Armeninë si skuadër e nivelit tê katërt??? Ky është pra niveli i arritur si me trajner të huaj ashtu edhe me vendas.
Modeli është i dështuar si politikë për sportet, sepse kështu bën edhe harxhin e madh meqë pengon, nuk e nxit rininë, të përfshijë edukimin dhe motivimin sportiv.
Problemi i dytë, pas politikave të sportit, të dështuara, sporti që bëhet sport politik. Futbolli bëhet sport politik.
Pushteti ndodhet në një kontradiktë. Të fitojë ekipi kombëtar përdoret si propagandë brenda vendit duke forcuar pozitat në elektorat. Por ka nevojë sigurisht që edhe të tregojë aktorëve të mëdhenj ndërkombëtarë dy gjëra: E para që e zotëron dhe e komandon shoqërinë, është në gjendje ta mbajë zap, e dyta se në rajon anën shqiptare të një nacionalizmi agresiv të supozuar e administron duke u bërë garant për shuarjen e tensioneve regjionale.
Dhe nuk mendoj se mungesa e tifozerisë ishte shkaku i humbjes si thonë disa. As që djemtë tanë u ndodhën nën presionin e politizuar të medias. Këta që thonë këtë kujtojnë se futbollistët lexojnë gazetat e Tiranës mbushur me analiza politike. Ku lexon rinia gazeta! Jo më futbollistët! Jo më të jashtmit! Asnjë presion politik nuk pati mbi ta. Sa për mbështetjen e tifozëve, pse serbët që fituan kush i mbështeti! T’i lemë marrëzitë!
Kështu midis fitores në fushë dhe fitores në ruajtjen e rendit, nëse këto një ditë do të quheshin kontradiktore, që në fakt nuk janë, pushteti do të donte të fitonte pikët e ruajtjes të rendit sepse siguron imazhin jashtë vendit si pushtet i fortë.
Por me çfarë çmimi amà ?
Me çmim të rëndë afatgjatë.
E para me imazhin që nëpërmjet medias krijon duke e përfytyruar Shqipërinë në opinionin e jashtëm si një vend ku po qe se nuk është pushteti, bëhet nami, gati për skandale, dhunë dhe reprezalje horizontale. E kush të do, e kush vjen për investim, e kush të pranon kështu??? Nuk ka arsye të krijohet ky imazh iluzor që pastaj në vend të menaxhohet realiteti duket se menaxhohet më kollaj imazhi iluzor.
E dyta, sepse sporti politizohet dhe mbi të vendoset politika, rendi, policia, dhuna e shtetit, dhe krijohet përshtypja se administrata është edhe trajnere e futbollit. Politizimi i jetës sportive, sikurse universitare, artistike është me pasoja aspak të mira për një shoqëri që tashmë ka të politizuar ekonominë, drejtësinë, mediat, etj.
E treta, duke e kthyer sportin si një logo marketingu të brendshëm dhe të jashtëm politik zhvillon një model politikash sportive që dështon dhe gjithçka e nisur si marketing kundërshton vetveten.
Ja përse ne kemi një model politikash sportive prej vitesh që nuk është efikas, pra është i dështuar në thelb, dhe pastaj sporti i politikës, pra sporti jo si qëllim në vetvete por për të treguar se çfarë jemi politikisht, humbet kuptimin, politizohet dhe e pëson si shoqëria ashtu edhe vetë politika.
Pra nuk duhet bërë politikë me sportin, as sport me politikën, por duhen ndërtuar politika publike për sportin dhe sporti në vetvete të depolitizohet. Duhen hequr duart e politikës nga sporti.
Por, si problem i tretë madhor, këtu ndërhyjnë disa media, jo të gjitha, aspak, që e duan këtë binom reversibël të sportit politik dhe të politikës sport, sepse ngjyrosja e evenimenteve sportive me nacionalizëm, dhunë, frikë, etj, shton lexuesin, për të mos thënë që si një media (jo të gjitha) e varur krejtësisht nga strategjitë e marrëdhënieve publike të zyrave politike, duke pasqyruar deklaratat e politikës, humbet pavarësinë editoriale dhe të përmbajtjes duke u bërë gjeneruese e politikës për sport dhe e sportit për politikë. Aq më shumë që një pjesë e medias duke qenë e formatit klasik, krejtësisht të tejkaluar nga koha dhe të vdekur në Perëndim, atë të lajmit të përditshëm kombëtar politik, sigurisht nga që nuk ka kapacitetin të analizojë sferat e veçanta të shoqërisë në bazë të prirjeve specifike të përbrendshme të tyre, i sheh ato vetëm në aspektin politik dhe dëshiron që politika të jetë sport, sepse ashtu e kupton më lehtë, dhe sporti të bëhet për politikë, sepse ashtu e gëlltit dhe e asmilon dot.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY