Rama: Ja kushtet tona për negociata dhe marrëveshje me PD

Rama: Ja kushtet tona për negociata dhe marrëveshje me PD

51
0
Shares

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, sot, ka dhënë një intervistë ekskluzive për emisionin “Opinion” në TV Klan, në lidhje me disa nga çështjet kryesore në vend të zhvillimeve politike të kohëve të fundit. Kryeministri Rama, përgjatë kësaj interviste, është pyetur për negociatat dhe kushtet dhe mundësinë që palët politike të ulen në një tryezë të përbashkët për dialog.

Nëse Partia Demokratike në zgjedhjet e qershorit vendos të mos hyjë, po kështu edhe LSI-ja që duket se ka hedhur ide të tilla, ju, do të hyni i vetëm në zgjedhje?
Kryeministri: Së pari, unë vazhdoj të besoj që të gjithë do të hynë në zgjedhje dhe së dyti; unë mbroj bindjen se zgjedhjet janë dita e popullit sovran, nuk janë dita e partive dhe respektimi i datës së zgjedhjeve është respektim i një lirie dhe i një të drejte themelore kushtetuese të popullit sovran për të gjykuar dhe për të zgjedhur. Kështu që, Partia Socialiste, as nuk e ka shtruar njëherë për diskutim nëse, duhet apo s’duhet, për të hyrë në zgjedhje.

Në rast se nuk ka një forcë tjetër politike përballë jush, a është kaq sovran populli atëherë, duke mos pasur alternativë tjetër?
Kryeministri: Populli duhet të gjykojë patjetër edhe faktin që një parti tjetër apo parti të tjera mund të refuzojnë të dalin para edhe gjykimit të tij dhe unë përfitoj nga rasti t’iu them të gjithë demokratëve që Partia Socialiste është e gatshme të hapet edhe ndaj tyre dhe të nënshkruajë edhe me ta një kontratë katërvjeçare, në rast se Partia Demokratike nuk paraqitet, pastaj pas 4 vitesh ata të rivlerësojnë ofertat e partive dhe të bëjnë zgjedhjet e tyre të lira dhe sovrane.

Kjo do të thotë se mundësia për një qeveri teknike nga ana juaj si është?
Kryeministri: Qeveria teknike nuk është një mundësi, ajo është një kërkesë politike e opozitës, e cila është në të drejtën e saj të kërkojë çdo gjë që dëshiron të kërkojë, por kjo nuk përbën as detyrimin më të vogël që ne të marrim në konsideratë këtë kërkesë apo kërkesa të kësaj natyre, sepse, ndërkohë ne kemi një kontratë me një milion shqiptarë dhe kontrata skadon me 18 qershor.

Në këtë klimë që ju sapo thatë, a ka shanse që zgjedhjet e 18 qershorit të shtyhen?
Kryeministri: Unë nuk thashë asgjë, pasi nuk shoh asnjë klimë të posaçme, unë shoh një situatë në të cilën PD-ja, e cila është në një krizë lidershipi, është në një krizë skuadre, në krizë programi, është në krizë alternative në tërësi, që nga dita e parë pas humbjes së pushtetit, synon ta transferojë këtë krizë nga rrethi i ngushtë i elitës së saj në jetën politike dhe me gjasë edhe në jetën tonë shoqërore. Ky është një synim që nuk ka asnjë shans të ketë sukses. Sepse nuk reflekton ndonjë shqetësim popullor, por reflekton thjesht dhe vetëm një konfuzion të madh që e karakterizon PD-në, për fat të keq, gjatë këtyre viteve dhe që është kthyer në një ankth të madh për shkak të Vettingut dhe patjetër edhe për shkak të paaftësisë për t’i dhënë njerëzve një ofertë reale, një ofertë të besueshme, një ofertë të votueshme.

Ndërkohë, për t’u kthyer përsëri tek zgjedhjet, a ekziston ndonjë propabilitet po themi që të ketë një marrëveshje të gjerë për ndryshime elektorale, ku secila forcë të garojë e vetme pa një koalicion parazgjedhor?
Kryeministri: Ne kemi një Kushtetutë, kemi një Kod Zgjedhor dhe për aq sa na takon jemi të gatshëm prej muajsh që të votojmë të gjitha rekomandimet e bëra nga OSBE-ODIHR në raportin e zgjedhjeve të shkuara për të sjellë ato përmirësime që OSBE-ODIHR i konsideron të nevojshme. Kemi hasur në një kundërshti të plotë nga ana e Partisë Demokratike, vazhdojmë të presim PD-në, madje jemi të hapur për çdo propozim, për çdo sugjerim dhe për çdo mekanizëm që PD-ja mund të gjykojë si të nevojshëm për të pasur ajo vetë më shumë garanci sipas saj, ne tani nuk kemi asgjë dhe po vlerësojmë mundësinë e implementimit të rekomandimeve OSBE-ODIHR-it, pa Partinë Demokratike, gjë e cila nuk është e dëshiruar dhe për këtë arsye, presim deri në sekondën e fundit atë, që mund ta zgjerojë këtë paketë rekomandimesh, mund të sjellë propozime të reja, çdo gjë që PD e konsideron të arsyeshme për rregullat e lojës dhe që nuk është cenim i standardeve ndërkombëtare, gjë që e certifikon OSBE-ODIHR-i dhe jo ne. Ne jemi gati ta pranojmë pa e diskutuar.

Edhe nëse kjo është një kërkesë për hyrje në zgjedhje pa koalicione?
Kryeministri: Unë nuk flas asnjëherë me “nëse”, sepse nëse-t nuk janë për mua janë për ju. Ku për arsye të profesionit duhet të merreni me nëset. Unë di të them vetëm kaq, që ne jemi të hapur për çdo gjë që Partia Demokratike do të sugjerojë, por duke marrë parasysh nivelin e zbatueshmërisë në njësinë e kohës që kemi në dispozicion dhe standardeve ndërkombëtare, ç’ka certifikohet nga ODIHR-i dhe jo nga ne. Sepse ne nuk mund të bëjmë gjykatësin e propozimeve të PD-së në këtë rast.

A ekziston mundësia që të ketë një reduktim të numrit të deputetëve për këto zgjedhje?
Kryeministri: Gjithçka është e mundur, por kjo është një temë për të cilën unë nuk shoh më kohë të arsyeshme.

Kjo do të thotë që Kuvendi i pas 18 qershorit, do dalë po me një numër të tillë deputetësh?
Kryeministri: Do të thotë që unë nuk shoh kohë të arsyeshme, mbase të tjerët shohin. Përgjigja ime është se jemi shumë ngushtë me kohën dhe do të presim Partinë Demokratike deri në sekondën e fundit për t’ia dhënë të gjitha shanset dhe, pastaj ne kemi punë me popullin dhe s’kemi punë me çadrën.

Z. Rama, kjo deklaratë e juaja për PD-në, është një ftesë për dialog edhe pas sugjerimeve të ndërkombëtarëve?
Kryeministri: Ftesa për dialog ka qenë e hapur gjithmonë, e kam përsëritur vazhdimisht, por sigurisht duke theksuar se për çfarë nuk mund të negociohet, që është data e zgjedhjeve, sepse ajo është data e popullit dhe jo e partive. Nuk kemi asgjë në dorë për të vendosur brenda një grupi përfaqësuesish të popullit, që populli të kalojë në plan të dytë dhe tekat tona të kalojnë në plan të parë. Si me qeverinë teknike që nuk negociohet për faktin që jemi nën një kontratë dhe kontrata respektohet deri me 18 qershor.

Që do të thotë se të tjerat mund të negociohen deri në çfarë pike?
Kryeministri: Çdo gjë tjetër është e negociueshme, pikat duhet t’i kërkojnë ata që nuk ndjehen mirë, ne ndjehemi shumë mirë dhe s’kemi asnjë problem të marrim në konsideratë çdo gjë që mund ta bënte Partinë Demokratike të ndjehej më mirë. Por, sigurisht nuk mund të shkojmë përtej kompetencave tona.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY