Në prag të datës simbolike 1 prill, kur katër vjet më parë u nënshkrua marrëveshja mes PS-së dhe LSI-së, partia e Ilir Metës lëshon një tjetër mesazh në drejtim të Edi Ramës. Mesazhi është një përgjigje për deklaratën e Saimir Tahirit dje “për shkelje syri të LSI ndaj PD”, por edhe një “të fërkuar koke” Shpëtim Idrizit, ndaj të cilit pakënaqësitë e LSI-s nuk kanë munguar.
Kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Luan Rama tha se kjo forcë politike nuk ia luan syrin as PS-së dhe as PD-së, por vlerëson propozimet racionale të Shpëtim Idrizit për tryezë mes Bashës dhe Ramës.
“LSI është forcë politike e dialogut dhe transparencës. LSI nuk ja luan syrin as PD dhe as PS. LSI i ka sytë tek e vërteta dhe zemrën te qytetaret. Zgjedhje duhet të jenë sipas standardeve për Shqipërie, jo zgjedhje për partinë! Propozimet e Shpëtim Idrizit janë përpjekje për kontribut pozitiv. Mbështesim thelbin racional të propozimeve të Idrizit”, tha Luan Rama.
Më herët Shpëtim Idrizi, një prej anëtarëve të koalicionit qeveritar kërkoi sot që krerët e dy partive më të mëdha politikë PD dhe PS të ulen për të gjetur një zgjidhje për zgjedhjet.
“Ne kërkojmë sot publikisht që të ulet në një tavolinë Rama me Bashën, që ti japin zgjidhje dhe të bëjnë një pakt të madh kombëtar, të cilin ja kemi detyrim qytetarëve të Shqipërisë”, tha kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi gjatë një takimi me strukturat e partisë së tij në Librazhd.
Gjatë fjalës së tij, Shpëtim Idrizi shprehu kryesisht shqetësimet mbi krizën politike që ka mbërthyer vendin.
Ai propozoi edhe një masë për të shmangur vjedhjen dhe blerjen e votave.
“Ne propozojmë që një grup prokurorësh specialë të jetë pranë KQZ-së, në mënyrë që të veprohet urgjentisht në raste të blerjes apo transferimit të votave. Ne nuk pranojmë dot si parti e interesit kombëtar dhe interesit qytetar, që sot shqiptarët të blihen me 5 mijë lekë apo me një thes miell. Nuk pranojmë që sot të blihet dinjiteti i shqiptarëve”, u shpreh Idrizi.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/