Nishani uron Jahjagën, nënshkrimi i MSA-së, gur themeli për integrimin

Nishani uron Jahjagën, nënshkrimi i MSA-së, gur themeli për integrimin

58
0
Shares

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani zhvilloi një bisedë telefonike me Presidenten e Republikës së Kosovës, Sh.S.Znj. Atifete Jahjaga.

Presidenti Nishani i përcolli Presidentes Jahjaga urimet më të ngrohta për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Europian, duke e cilësuar atë një ngjarje historike për Kosovën, që shënjon institucionalizimin e marrëdhënieve kontraktuale me Bashkimin Europian. “Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje është një mbështetje dhe shprehje e fuqishme e besimit europian ndaj institucioneve të Kosovës, një gurthemeli për integrimin e përparimin e mëtejshëm të saj në strukturat europiane e euro-atlantike”, u shpreh Kreu i Shtetit. Ai shprehu besimin se ky moment do të shërbejë si nxitje dhe katalizator për vazhdimin e reformave të guximshme e të domosdoshme në të gjitha fushat.

Presidenti Nishani u shpreh se përfshirja institucionale e Kosovës në qasjen europiane nëpërmjet nënshkrimit të MSA është një lajm i shkëlqyer edhe për të gjithë rajonin tonë, për të ardhmen e përbashkët europiane si dhe për paqen, stabilitetin dhe ripajtimin në Ballkanin Perëndimor.

Duke uruar edhe një herë Presidenten Jahjaga, dhe nëpërmjet saj qeverinë dhe gjithë popullin e Kosovës për këtë arritje të madhe, Kreu i Shtetit u shpreh besimplotë edhe për anëtarësimin e pritshëm të Kosovës në UNESCO më 9 nëntor, dhe në organizata të tjera rajonale dhe ndërkombëtare, duke e siguruar njëkohësisht për mbështetjen e plotë të Shqipërisë në çdo hap.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY