Polica e Shtetit ka dhënë hollësi për operacion e përbashkët italo-shqiptar, kundër trafikantëve të drogës, të koduar “Enigma”.
Sipas burimeve të Policisë së Shtetit, mësohet se në orët e para të mëngjesit është finalizuar me sukses operacioni ndërkombëtar “Enigma”.
Ky operacion është zhvilluar nga Drejtoria e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve te Rënda, Prokurorinë Italiane të Venecias, Guardia di Financa dhe Zyrën Ndërlidhëse Interforce në Tiranë si dhe me mbështetjen e Drejtorive të Policisë Vendore Tiranë dhe Durrës.
Hetimet kanë mundësuar identifikimin e një grupi kriminal trans-nacional të përbërë nga subjekte me origjinë shqiptare të cilët vepronin në territorin Italian duke tregtuar sasi droge e duke investuar më pas përfitimet në sektorin turistik dhe hotelerisë.
Hetimet dhe operacioni
Hetimet kanë filluar në vitin 2010 nga Gjykata e Venecias e cila në përfundim të hetimeve ka lëshuar 21 urdhër arresti për personat përgjegjës të këtij grupi kriminal.
Vendimi është ekzekutuar në të njëjtën kohë si në territorin shqiptar ashtu dhe në territorin italian në bashkëpunim të ngushtë midis Autoriteteve Gjyqësore dhe Policisë së të dy vendeve, me koordinimin e policisë të Drejtorisë Qendrore të Antidrogës, të Shërbimit Qendror për Bashkëpunimin Ndërkombëtar të Policisë dhe të Ministrisë së Brendshme si edhe të Komandës së Përgjithshme të Guardia di Finanza – Reparti i Dytë.
Ende janë në vazhdim kontrolle në Itali dhe në Shqipëri si dhe janë impenjuar forca të shumta policore nga të dy policitë në bashkëpunim dhe koordinim të plotë.
Deri tani janë arrestuar 16 persona në flagrancë dhe janë shpallur në kërkim 5 persona të tjerë.
Lidhur me mënyrën e të vepruarit të grupit kriminal,
Droga me origjinë të paditur, në bordin e autoveturave dhe të kamionëve arrinte në Veneto dhe në Trentino Alto Adige ku grupi kriminal dispononte bazat logjistike për përpunimin dhe konfeksionimin.
Më pas sasitë e lëndës narkotike shpërndaheshin në Veneto, Trentino Alto Adige, Lombardi dhe Toskana.
Droga dhe paratë
Organizata kriminale e cila ishte në gjendje të fuste në tregun italian deri në një ton heroinë në vit, kishte krerët e saj në Shqipëri.
Paratë që buronin nga shitja e drogës dërgoheshin në Shqipëri nëpërmjet korrierëve për t’u përdorur për blerjen e lëndës narkotike dhe për realizimin e investimeve në pasuri të patundshme.
Hetimet teknike kanë treguar një cilësi të veçantë të grupit kriminal, i cili përdorte për komunikimin në distancë, një kod alfa-numerik, periodikisht i rinovuar. Që këtu rrjedh emri “Enigma” për operacionin që i referohet kodeve që përdoreshin nga forcat e armatosura gjermane gjatë luftës së dytë botërore.
Policia e Shtetit falenderon për bashkëpunimit e cmuar policinë italiane dhe autoritetet gjyqësore italiane dhe në veçanti Prokurorinë e Republikës së Venecias, Drejtorinë Qendrore për Shërbimet Antidrogë, Shërbimin Ndërkombëtar të Bashkëpunimit të Policisë Italiane dhe Zyrën Interforca.
Struktura e bandës kriminale
Struktura e bandës kriminale ishte ndërtuar në mënyrë të tillë që atëherë kur një qelizë e vetme do të neutralizohej nga forcat e policisë, organizata do të vazhdonte të furnizonte tregun me lëndë narkotike dhe mbi të gjitha do të ishte shumë e vështirë të arrihej te degëzimet vepruese.
* një qelizë shpërndarje dhe dorëzimi të lëndës narkotike me bazë në Trento;
* një qelizë e dytë logjistike në Trento e ngarkuar për mbledhjen e parave në dorë dhe të transferimit të tyre në Shqipëri nëpërmjet korrierëve në bordin e autoveturave të pajisura me një fund të dyfishtë ose nëpërmjet rrugëve ajrore;
* një grup i ngarkuar për pritjen, përpunimin dhe shpërndarjen e ngarkesave të heroinës që ndodhej në Roverkiara (VR);
* një strukturë kriminale që ndodhej në Padova, e cila kishte si detyrë lidhjen ndërmjet trafikantëve të zonës dhe krerëve të organizatës, gjithashtu merrej dhe me shpërndarjen e lëndës narkotike dhe me mbledhjen e parave.
Për më shumë mund të lexoni edhe …
Itali, shkatërrohet rrjeti i trafikut të drogës Shqipëri-Itali, 21 arrestime
/web/Itali_shkaterrohet_rrjeti_i_trafikut_te_droges_Shqiperi_Itali_21_arrestime_9061_1.php
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/