INTERVISTA/ Sali Berisha: PD duhet të ndezë motorët, zgjedhjet mund të jenë...

INTERVISTA/ Sali Berisha: PD duhet të ndezë motorët, zgjedhjet mund të jenë edhe në dhjetor

68
0
Shares

Ish-kryeministri, Sali Berisha, mbetet i vendosur për të mos u tërhequr nga jeta politike, duke deklaruar se do të jetë deputet në Parlament edhe pas zgjedhjeve të 2027-ës.
Edhe pse kjo varet nga kreu Basha, Berisha është i bindur se ai do jetë në listat e deputetëve duke ia njohur vetes meritën e të qënit përfaqësues i popullit aktiv dhe punëtor.
Në një intervistë për Ora News, Berisha ka mohuar të ketë influencë mbi zotin Basha. Ai vlerëson punën e tij në drejtimin e PD, por nuk mohon faktin se ka punë të cilat mund të ishin bërë më mirë.
Berisha është i bindur se PD është një alternativë e shkëlqyer për zgjedhjet e 2017, por duhet të shpejtojë dhe të funksionojë me të gjithë motorët e saj, pasi sipas tij zgjedhjet mund të jenë edhe në dhjetor.
Për debatin e hapur lidhur me ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe propozimin e Bashës për tkurrjen e deputetëve në Parlament, Berisha ëhstë kundër dhe ka këtë koment:
“Ka ide tkurrje, por ajo që jam, dhe duhet ti kthehem pak origjinës, se ky, Rama, është një njëri që për të fjala karakter nuk ekziston. Se nga një anë çon misionarë njëri pas tjetrit për të më thënë për primin dhe nga ana tjetër zotohet se është kundër primit. Natyrisht eksperienca ime më bën mua që të shof përtej kërkesave të tij, por primi p. sh:., do të ishte interesi vendit, kur ai bëhet pa një qëllim. Sepse në qoftë se primi bëhet me qëllim për të dënuar dikë tjetër atëherë ato nuk shërbejnë. Po interesi i vendit në këtë mënyrë siç po shkon do ishte primi. Absolutisht, me qëndrimin që mbajti të harrojë se mund të çojë më emisarë”.
Berisha ka komentuar edhe mbi situatën ekonomike në vend, punën e qeverisë, koalicionin PD-LSI dhe çështjen e ÇEZ.
Intervista e plotë dhënë gazetarit Everest Dedaj për Ora Neës

– Ju jeni shumë aktiv në denoncimin e rasteve të korrupsionit, kriminalitetit, apo rasteve përsa i përket problematikave mbi ekonominë e vendit, vërtet mendoni se në dy vjet të qeverisjes socialiste u përkeqësuan këto tregues?
Sali Berisha:
Mendoj se bilanci dy vjeçar i qeverisjes socialiste është bilanci më dramatik, një bilanc të cilin vende të tjera e kanë realizuar luftëra civile, eksodi masiv i qytetarëve, një bilanc i cili shënohet nga fillimi në fund me një pasurim të çmendur të klaneve qeveritare dhe varfërim masiv dhe largim masiv të shqiptarëve nga Shqipëria. Fushata e fundit anti-biznes apo e tatimit të jashtëzakonshëm, është goditja e mëshirës për ekonominë shqiptare. Edi Rama, pasi mori 2.3 miliardë dollarë borxh në dy vjet, pasi rriti borxhin në 73 % nga 62 % që ishte, pasi rrënoi me buldozerë me mijëra e mijëra biznese në mbarë vendin, dyfishoi një numër të konsiderueshëm taksash, dështoi plotësisht ashtu siç ishte paralajmëruar. Në rast se ju kujtohet, në gusht të vitit 2013, BB organizoi në Sheraton një konferencë ndërkombëtare për ekonominë shqiptare dhe një nga oratorët me kryesorë dhe reformatorët e shquar e ekonomisë në Europë, u tha publikisht pas dy ditë punimesh, se ju shanset e dështimit i keni 95 %, sepse ju mohoni gjithçka dhe se ai që mohon gjithçka, ai nuk di asgjë. Dhe kjo pikërisht po ndodh, por po ndodh një katastrofë e vërtetë ekonomike tani. Ju mund të shkoni dhe do të gjeni me dhjetëra e qindra biznese, ndaj të cilave një lukuni e tërë agjentësh tatimorë, policë të Policisë së Shtetit, FRESSH-istë spiunë të paguar janë vërsulur mbi bizneset, kontrollojnë të njëjtët biznese disa herë në javë, e gjobisin të njëjtin biznes disa herë në javë, dhe po krijojnë një situatë të paimagjinueshme. Sot mediat njoftuan se kanë vendosur me krenari 4400 gjoba. Gjobat mund të jenë 4 mijë, mund të jenë edhe 40 mijë, mund të jenë dhe 400, por unë të garantoj se shumica dërrmuese e tyre janë gjoba për të rrjepur dhe për të mbushur gropën që krijoi Edi Rama prej 300 milionë euro me kontrabandën dhe evazionin e tij fiskal. Këto gjoba janë një ndëshkim i pamerituar për biznesin e vogël në radhë të parë, për biznesin e madh jo qeveritar në radhë të dytë, sepse klanet e qeverisë janë shndërruar në mumuth të korrupsionit. Sivllau Kokëdhima që mori naftën, simotra Nushi që çfarë nuk mori, si check up-in mjekësor, doganat për procedurë të shpejtuar, dhe me dhjetëra tendera të tjerë në shëndetësi dhe kudo tjetër, Papul e Carapul dhe Leskajt etj, po plaçkitin në mënyrë të paimagjinueshme pasurinë kombëtare të këtij vendi, në tatime, në dogana, në koncesione, hekurudha dhe kudo. Pra gjendja është vërtetë dramatike, në grahmat e fundit një qeveri që ka marrë fund, ditën dhe natën ajo është e angazhuar me plaçkitjen me klanet e saj të pasurisë kombëtare të vendit.

– Zoti Berisha nga ana tjetër është po kjo qeveri që ju akuzon juve se e latë Shqipërinë në këto kuota që thoni dhe madje të gjithë këto reforma që ju atakoni ata i cilësojnë si operacion që i bëhet një metastaze që është shkaktuar nga qeverisja juaj 8 vjeçare.
Sali Berisha:
Qeveria ime pa diskutim që u përball me vështirësi si çdo qeveri tjetër, por qeveria e mëparshme ja doli, me paratë e taksapaguesve shqiptarë të ndërtojë 11 mijë km rrugë, autostrada, tunele, superstrada, rrugë dytësore e tretësore në mbarë vendin. Le të na tregojnë një kilometër rrugë që kanë përfunduar nga ato që ne i lamë në punë e sipër. Qeveria e mëparshme kishte një politikë konstante të uljes së taksave dhe me uljen e taksave qeveria e mëparshme dyfishoi të ardhurat, qeveria e mëparshme rriti rrogat nga 100-150 % të shëndetësisë, arsimit dhe sektorëve të tjerë, rriti pensionet 80-100 %. Qeveria e mëparshme ja doli që Shqipërinë ta sjellë në moshën dixhitale, nga 4.8 % që ishte përdorimi i internetit kaloi në 60-65 % dhe u ulën disa herë telefonitë celulare.
Ju kujtohet ju kur unë, kundër çdo dëshire u detyrova t’u deklaroj këtyre kompanive, se këto tarifa janë ç’njerëzore dhe të papranueshme, se përndryshe, ne që vendosëm taksën 10 % do detyrohemi të shohim mundësi të tjera. Naryrisht, me një përballje shumë të ndershme me to, duke u përpjekur gjithnjë për suksesin e tyre, por ja dolëm që shqiptarët ta harrojnë “cërrin” dhe të kenë tarifa 3-5 herë më të ulta se sa ç’i kishin më parë. Po kështu tarifat e internetit. Qeveria investoi në bujqësi 43 mijë projekte, u financuan në ullinj, vreshta, sera, frutikulturë etj. Qeveria, sigurisht edhe më shumë duhet të bënte por ja doli që 90 % e shqiptarëve të marrin ujë rubineti, ja doli të ndërtojë e të financojë 10 impiante përpunimi të ujërave të zeza. Shihni impiantin e Tiranës se si duke grabitur paratë dhe kreditë po dështon, e tëra e siguruar nga qeveria e mëparshme, një dhuratë e madhe e qeverisë japoneze.
Pra, në dy vjet bilanci i kësaj qeverie është vjedhje, plaçkitje, grabitje, dhe dështime. Tani prapë do e çojnë buxhetin e ri, e keni dëgjuar besoj. Po ta marrësh të shohësh Edi Ramën, atij mund ti thuash një tru sine materia, ose një kokë sine materia. S’ka tru ai, absolutisht! Më dëgjonte mua që thosha se ky është buxheti më i madh i çdo viti, se kështu vijnë buxhetet, unë thosha një të vërtetë se çdo vit buxheti bëhej më i madh dhe ky tani, për ta bërë të stërmadh buxhetin, shkoi dhe mori 1.4 miliardë dollarë borxh. S’ka gjë më të thjesht, por borxhi të kërrus kurrizin, dhe po ja kërrus tani. Prit se viti tjetër do jetë edhe më i vështirë, do jetë skenari grek me të gjithë shfaqjet e tij. Pra dështim. Mund të më thotë kush se cili investitor i huaj ka ardhur në dy vite në Shqipëri. Unë mund të them se janë dhe dhjetëra e qindra që janë larguar. Vetëm Call Center-a, janë larguar 49 prej tyre. Kjo është statistikë zyrtare e miqve të mi italianë. Janë me dhjetëra biznesmenë që vijnë dhe largohen të vendosur se këtu nuk investohet dot.

– Zoti Berisha ju thoni se kjo qeveri ka marrë fund por në fakt kemi deklarata të dy bashkëdrejtuesve të mazhorancës, të kryeministrit dhe kryetarit të kuvendit se ky koalicion po funksionon më së miri. Ku e bazoni ju këtë deklaratë?
Sali Berisha:
Për hir të së vërtetës Rama vet e pranoi që mund të iki shpejt, kurse deklaratat e Metës janë të tilla; të flak kur të dua unë. Ai që do të lexojë me ndershmëri, me gjakftohtësi dhe pa pasion deklaratat cinike të Ilir Metës ndaj mazhorancës dhe qeverisjes janë këto; kemi koalicion, unë të flak kur të dua unë. Ky është i gjithë teksti i atyre deklaratave të Metës, ku herë del vet, herë nxjerr Petritin apo njëri tjetër. Dhe kjo ka qenë e qartë dhe evidente. A vazhdon Rama të besojë dhe të rri në mëshirë të “të flak kur të dua vet”, ajo është puna e Ramës, por në fakt Rama është i rënë dhe faturën e paguan vendi, se për vendin rëndësi ka të ketë një qeveri që funksionon, një qeveri që merr vendime, një qeveri që shtyn përpara proceset, kurse kjo është një qeveri që vetëm vjedh.

– Lidhur me çështjen e CEZ, a jeni i gatshëm të hetoheni bashkë me ish-drejtuesit tuaj për çdo kontratë të firmosur me kompaninë çeke, nga dita që ka ardhur në Tiranë e deri ditën e fundit….
Sali Berisha:
Absolutisht po! E kam deklaruar që në fillim dhe e deklaroj se ai ka qenë procesi më transparent i ndërmjetësuar nga Banka Botërore. Cilido që do dëshirojë ta shqyrtojë, e ka dosjen aty. Edi Rama bëri deal para se të vinte në pushtet për CEZ-in, i cili kishte detyrime ndaj sipërmarrjeve shqiptare. Po marr kontrollin e KLSH, që është një kontroll nuk do thoja i plotë sepse Kontrolli Shtetit nuk mund të bëj dot të plotë sepse Kontrolli nuk mund të kontrollojë dot CEZ-in në Ceki, por me atë kontroll që ka bërë, duke ballafaquar të gjitha faturat e palës shqiptare, KLSH ka gjetur mbi 400 milionë euro detyrime të pastra të CEZ ndaj sipërmarrjeve shqiptare. Po DIA-n? DIA është një akt madhor korruptiv, kryekëput midis CEZ dhe sipërmarrjes private shqiptare. Kush e mori DIA-n përsipër, në një kohë kur, ne CEZ-i na kishte deklaruar se DIA-n do ta marri vetë, se DIA-n e kishte krijuar vetë CEZ-i. Ai është një mekanizën që u krijua për të shpërdoruar paratë në prag falimentimi të CEZ-it. Kush e mori? Ne nuk ishim palë me DIA-n, ishte CEZ-i palë me DIA-n. E morën qeveritarët që donin të ndanin me dhjetëra milionë euro me DIA-n nga paratë e taksapaguesve shqiptarë. Po BDO-ja? Kompania e cila bëri auditin e gjithë dokumentacionit shqiptar dhe çek dhe gjeti nen për nen dhe ja u dorëzoi Edi Ramës raportin që ai e fshehu, sepse me atë raport s’mund të firmosej kurrë ajo marrëveshje. Nuk ka njëri që mund ti lejonte vetes të bënte një veprim të tillë anti-publik, anti-kombëtar. Ai raport thoshte se, përveç 620 milionë euro detyrime, fatura dhe kamata të CEZ-it ndaj palës shqiptare, janë të tjera dëmtime dhe rrënime që shkojnë deri në 3.2 miliardë euro. Dhe ky është vetëm njëra kompani. Nuk janë këtu dëmet teknike që ka llogaritur kompania tjetër. Cili ishte ky, që firmoste në kulisa, në zyrat e një burokrati europian, një marrëveshje për të cilën ne kishim kontraktuar avoketërit më të mirë në Europë, të cilët na kishin dhënë garanci të plotë se do ta fitonim në arbitrazh, të cilët kanë deklaruar se zgjidhja me marrëveshje është cenim dhe dhunim i interesit të shqiptarëve. Pra, e kam thënë dhe e them prapë, se CEZ është afera më e madhe korruptive në memorien time dhe kjo nuk mund të mbyllet. Hetimi ndërkombëtar është rruga më e drejtë. Le të jetë dakord Edi Rama, të thërrasim prokurorë ndërkombëtar. Lexoni pak çfarë po ndodh në Guatemalë. Prokurorë ndërkombëtar për presidentin aty, dhe presidenti është vënë në arrest bashkë me disa ministra, është republikë presidenciale, po i dërgon OKB. Prokurori është amerikan. Hajde urdhëro ti drejtohemi OKB-së, ti drejtohemi OSBE-së. BE-së dhe ta hetojmë çështjen. Pse ka frikë? Burracak, frikacak, të nesërmen që dorëzoi komisioni i kontrollit, tha do fillojmë hetimin që në fillim. Po atë e kam thënë disa herë unë, hajde bëje në ta mban. Pra, hetimi CEZ-it është një kusht madhor i paqes sociale në këtë vend.

– Zoti Berisha është hapur një debat për ndryshime në Kodin Zgjedhor, zoti Basha ka hedhur idenë për tkurrjen e deputetëve në Parlament. Ju si e mendoni, a e mbështesni këtë ide?
Sali Berisha:
Të jem i sinqertë, nuk jam familjar me këtë ide. Mund të jenë më pak, numri është… d. m. th.:, ka idera të ndryshme, ka ide krijim senati, ka ide tkurrje, por ajo që jam, dhe duhet ti kthehem pak origjinës, se ky, Rama, është një njëri që për të fjala karakter nuk ekziston. Se nga një anë çon misionarë njëri pas tjetrit për të më thënë për primin dhe nga ana tjetër zotohet se është kundër primit. Natyrisht eksperienca ime më bën mua që të shoh përtej kërkesave të tij, por primi p. sh.:, do të ishte interesi vendit, kur ai bëhet pa një qëllim. Sepse në qoftë se primi bëhet me qëllim për të dënuar dikë tjetër atëherë ato nuk shërbejnë. Po interesi i vendit në këtë mënyrë siç po shkon do ishte primi. Absolutisht, me qëndrimin që mbajti të harrojë se mund të çojë më emisarë.

– Zoti Berisha ka një situatë jo normale politike në shtetin e Kosovës. Si i gjykoni ju këto zhvillime atje por dua të di edhe një mendim tuajin për qëndrimin e qeverisë shqiptare por edhe të opozitës shqiptare në raport me këto zhvillime.
Sali Berisha:
Së pari është një rast i shkëlqyer për mua të përshëndes shumë përzemërsisht autoritetet e Kosovës dhe qytetarët e Kosovës se në Strasburg, Kryeministri Kosovës firmosi kontratën e parë të shtetit të pavarur të Kosovës me Bashkimin Evropian, firmosi MSA-në, një akt shumë i rëndësishëm ky, themelor në rrugën e integrimit në BE. Mendoj se, situata aktuale në Kosovë është qartësisht problematike. Per mua si opozitar nuk ka gjë më të rëndë se të mos e gjej veten të rreshtuar me opozitën e Kosovës, por absolutisht, është në vlerësimin tim më të sinqertë, se është absolutisht e gabuar praktika dhe taktika që ajo ndjek. Dhe kur e them këtë, e them me bindje se qëndroj në anën e opozitës, se nuk ka gjë më kundërproduktive për opozitën se sa veprime obstruktive me metoda tërësisht të papranueshme. Unë kam ndjekur dhe ndjek çdo ditë, sepse siç lexoj për Shqipërinë lexoj edhe për Kosovën.
Kam ndjekur me shumë preokupim çështjen e Gjykatës, opozita nuk e votoi. Një herë u votua kundër, dhe e deklarova se ishte votë kundër Kosovës, por nuk kisha parasysh opozitën, kisha parasysh ata deputetë të mazhorancës të cilët në luajalitet me koalicionin duhet të votonin dhe e votuan. Opozita sigurisht përpiqet të nxjerrë përfitime. Marrim marrëveshjen. Këtu, çdo shqiptar duhet të ketë të qartë, pavarësia e Kosovës nuk ishte një pavarësi e pakushtëzuar. Pavarësia e Kosovës u bazua në një dokument ndërkombëtar dhe ky dokument është dokumenti Ahtisari, të cilin e mbështetëm universalisht pavarësisht se brenda kishte edhe defekte. Në atë kohë unë kam qenë në opozitë dhe kam kritikuar krijimin e super minoritetit serb në Kosovë, por ai dokument dhe ai burrë, ai dokument është bazë që shërbeu për pavarësinë dhe ne si dalim borxhi kurrë Ahtisarit. Nuk është se ishte një klimë kaq e ndezur për pavarësimin e Kosovës, kishte dhe variante të tjera që ishin të ndryshme nga ky variant, u pranua dokumenti Ahtisarit, u shpall pavarësia e Kosovës, u konsakruan një sërë të drejtash për minoritetin serb në Kosovë. Një shtet serioz dhe i civilizuar u qëndron një për një detyrimeve të veta.
Kështu që, marrëveshjet e firmosura në Bruksel, janë një konsakrim i njohjes nga ana e Serbisë të integritetit territorial të Kosovës. Serbia nuk ka njohur pavarësinë, se kur e njeh është puna e saj, por integritetin territorial të Kosovës ajo e ka firmosur në Bruksel. Atëherë, këto marrëveshje nuk janë pa defekte, Zaedica nuk është pa ndonjë defekt por përparësi për mua ka integriteti territorial i Kosovës dhe njohja e tij. Së dyti, nëse nuk je dakord, atëherë fito zgjedhjet, ki durim. Ose shko në gjykatë kushtetuese dhe provoje, ose fito zgjedhjet dhe me zgjedhje mbaj qëndrimin tënd. E vetmja gjë që s’mund të bësh dhe që s’ta pranon njëri është të bllokosh në mënyrë mekanike e me mjete shumë të papranueshme. Të hedhësh gaz lotsjellës në një sallë, atëherë ti kërcënon aty sigurinë dhe shëndetin e të gjithë atyre që janë në sallë, pasi aty ka gra, mund të ketë edhe gra shtatzëna. Pra, akte të tilla, në planin ndërkombëtar i japin qeverisë së Kosovës një ndihmë të cilën ju nuk do donit që ta merrte. Dhe duhet kuptuar kjo. Por nëse mendojmë se ne nuk pyesim për faktorin ndërkombëtar, pastaj kthehemi te një histori shumë e vjetër e shqiptarëve që s’ka të ardhme më.

– Zoti Berisha për t’u rikthyer te zhvillimet në vend dhe për t’u fokusuar te opozita, a mendoni se PD dhe aleatët e saj në opozitë kanë arritur të krijojnë një frymë besimi tek qytetarët dhe a mund ta cilësojmë atë si alternativë për zgjedhjet e 2017?
Sali Berisha:
Absolutisht PD është një alternativë dhe një alternativë e shkëlqyer për zgjedhjet e 2017 por PD duhet të shpejtojë dhe duhet të funksionojë me të gjithë motorët e saj se zgjedhjet mund të jenë edhe në dhjetor. Unë e kuptoj që skemat janë të ndryshme por forca kryesore e opozitës duhet të përgatitet edhe për variantin më të vështirë, në mënyrë që të dalë fitimtare, pasi do ishte ndëshkim çdo variant tjetër, çdo rezultat tjetër do ishte ndëshkim madhor për shqiptarët dhe atë ndëshkim shqiptarët nuk e meritojnë.

– Aleatët e PD por dhe disa analistë pranë kësaj force politike, në shumë raste theksojnë se ekspresiviteti juaj, angazhimi politik, daljet publike, daljet në Parlament, shihen në një farë forme si konkurrim që i bëhet kryetarit Basha në drejtimin e PD. Si e gjykoni ju këtë?
Sali Berisha:
Analizë qesharake. Të drejtosh një parti, të udhëheqësh një parti, është një proces i përbërë nga dhjetëra në mos qindra procese të tjera brenda tij. Sali Berisha, absolutisht, e ka deklaruar dhe e deklaron se ka qenë përfundimtar dhe pa ekuivok vendimi i tij. Por, nëse e them këtë, gjithë jetën time kam në mëndje një fjalë të Edmund Burke, që thotë “ e keqja s’do gjë tjetër për të triumfuar veçse indiferencën e njerëzve të mirë”. As nuk më ka gjetur kush kurrë ndonjëherë dhe as nuk do më gjejë kush kurrë indiferent në mbrojtje të interesit publik, dhe çdo prononcim i imi, çdo qëndrim i imi, sot dhe gjithnjë, ka qenë dhe do të jetë në mbrojtje të interesit publik, ashtu siç e konceptoj unë. Nuk pretendoj asnjëherë që të kem monopolin e të vërtetës. Dëgjoj ndonjëherë me shumë interes qëndrimet e të tjerëve, por absolutisht qëndrimi im nuk ka asnjë synim tjetër përveç interesit publik të shqiptarëve.

– Nuk ka asnjë moment ku ju keni ndërhyrë në vendimmarrjen e zotit Basha në drejtimin e PD?
Sali Berisha:
Në asnjë moment nuk kam ndërhyrë. Unë shpreh mendimin tim për çfarëdo që më pyet kryetari duke menduar se ai është mendimi më i mirë që kam. Por, kryetari nuk ka asnjë detyrim të marrë asnjë këshillë timen parasysh. Kryetari nuk ka asnjë detyrim të konsultohet me mua për asnjë çështje të liderit dhe kryetarit të PD. Varet nga ai. Nëse më pyet, jo vetëm kryetari por cilido, ish bashkëpunëtorët e mi ose parlamentarë, unë jam i gatshëm të shpreh qëndrimin tim.

– Zoti Berisha ne gazetarët mbajmë shënim gjithçka dhe është e çuditshme se çdo deklaratë e juaja publike përkon pastaj me një aksion opozitar dhe ndoshta kjo shihet që ju keni një influencë në aksionin dhe vendimmarrjen politike të opozitës.
Sali Berisha:
Jo, duhet kuptuar diçka. Lulzim Basha është një kryetar i ri, në dy kuptime, i ri në moshe dhe i ri në stazhin e kryetarit të Partisë. Që të dyja, pavarësisht nga plus minuset e linjës së tij, unë pëlqej më shumë që ai ka përcaktuar linjën e vet sesa po të ndiqte linjën e Sali Berishës. S’jepja dorëheqjen unë po të isha i vendosur të vazhdoja linjën time. Unë thashë se tani duhet të vijë dikush tjetër dhe unë ti jap mundësinë që të ketë një linjë tjetër dhe një kryetar i ri. Dhe cilido që do të vijë pas meje, mendoja që do instalojë një linjë të re dhe Lulzim Basha e ka bërë këtë. Kam unë keqardhje për këtë? Jo përkundrazi veçse më vjen mirë. Natyrisht duke thënë këtë, absolutisht ka një spektër të gjerë punësh që mund të bëhen më mirë, mund të ecin më mirë. Me një fjalë ky është një proces kompleks, pozitive është që ajo është një linjë e re.

– A mendoni se ka një debat të brendshëm mes brezit të vjetër të PD dhe brezit të ri? Kujtojmë këtu një debat në grupin parlamentar të PD midis ish-ministrit Ruli dhe drejtuesve ë rinj të PD.
Sali Berisha:
Unë mendoj se, të jem i hapur fare, duhet të ketë më shumë debat. Për këtë jam i sigurt. Pse mund të ketë dhe duhet të ketë më shumë debat? Kryetari PD ka nevojë të dëgjojë mendime, se vendimet i merr vetë ai, se në fakt në çdo parti vendimet i merr kryetari sado që mekanizmat kolegjialë ekzistojnë por kryetari është përgjegjësi. Në këtë kontekst unë nuk shoh as edhe një problem për debatin e brendshëm. Por ka një problem tjetër. Asnjë demokrat, në rregullin e famshëm të Ronald Regan, nuk duhet të sulmojë një demokrat, por shprehje mendime, kundërshira e debate janë të dobishme. Në këtë kontekst unë them që kryetari ka një tolerancë të admirueshme për debat çka është shumë e dobishme për PD-në.
Tani vijmë tek momenti i dytë i asaj që the për të rinjtë. Po, ata janë një realitet. Kryetari Lulzim Basha ka afruar në strukturat drejtuese të partisë një grup të rinjsh. A është kjo një gjë e gabuar? Absolutisht jo, kjo është një gjë shumë e dobishme, një gjë e cila është në interesin më të mirë të çdo anëtari të PD, i vjetër apo i ri qoftë ai. Këta të rinj, të mirë-shkolluar, duan kohën e tyre për të pasur fibrën e duhur politike, për të konsoliduar fibrën politike. Askush s’mund të pres prej tyre që ata menjëherë të paraqiten me një fibër politike të fortë apo të përsosur. Jo, jo, ajo krijohet. Të tjerët, ata janë një trashëgimi, ata janë fibra politike e Partisë Demokratike, janë absolutisht shumë të vlefshëm. Komplekset për të rinj e për te vjetër, janë të gabuara. Secili, zyrtar i mëparshëm, dhe ka nuk them se s’ka që ka bërë gabime, fatmirësisht kemi kundërshtarin, i cili po bën gjithçka për persekutimin e tyre, deri tani çdo veprim ka qenë politik ndaj dhe ka dështuar. E them me përgjegjësi të plotë.
Se të marrësh të akuzosh një ish ministër për eurobondin, që përbënte me të gjitha dokumentet, një nga sukseset e financave shqiptare, do të thotë se ti je një ordiner në financat shqiptare dhe botërore. Të marrësh të akuzosh dhe të çosh dosje se pse ministri Tafaj i ka dhënë tokën komunitetit musliman, një kohë kur unë kam qenë për ti dhënë tokë komunitetit ortodoks dhe i kemi dhënë në qendër të Tiranës dhe kemi bërë shumë mirë, komunitetit katolik në qendër të Tiranës dhe kemi bërë shumë mirë, komunitetit musliman po ashtu, po shumë mirë. Po sa toka kanë humbur këto komunitete, sa prona kanë humbur, edhe thesare kanë humbur, se kanë pasur objekte, dhe kjo qenka problemi, për një vendim kolektiv? Dhe kush e bën këtë? Ata që po vjedhin me thes, ata që i dhanë Carapulit. E dini sa milionë euro i ka dhënë ministrja Nikolla Carapulit me urdhër të Ramës për Kompleksin Dinamo? 5 milionë euro i ka dhënë dhe ka shkuar në burg se ka gjetur një njëri që ka firmosur në vend të saj. Në vend të saj është ajo me Ramën.

– Zoti Berisha ju publikoni në Facebook mesazhe dhe shqetësime të qytetarëve të ndryshëm që ja u sjellin ndërkohë që ju nuk keni mundësi ti verifikoni ato. Përse nuk zgjidhni tj u çoni organeve kompetente.
Sali Berisha:
Së pari, mua në të gjitha inboxet, Blackberry, sms etj më vijnë shumë mesazhe. Nuk kam mundësi që të gjitha ti paraqesë. Paraqesë ato që gjykoj se janë një dhunim flagrant i të drejtave të njeriut, aty po, se jam opozitar dhe do ta bëj atë. Dhe paraqes mesazhe të tjera të cilat përbëjnë një fenomen. Po siç keni konstatuar, nuk është përgënjeshtruar asnjë nga autoritetet zyrtare. Edhe i fundit, e kushërirës së Ditmir Bushatit, të emëruar jashtë çdo kriteri ambasadore e SHBA. Çfarë thoshte zonja? Ajo akuzohej se kishte darkuar me një delinkuent të dalë nga burgu federal dhe nuk merrej me këtë, por merrej me një tjetër që nuk ishte ai fare dhe thoshte se mesazhin e ka dërguar njeriu i Berishës, një Eduard Aliko. Absolutisht nuk e ka dërguar ai, dhe Eduard Aliko, kur ta procedojë në gjykatat federale ambasadoren, do të ketë mesazhin nga kush më ka ardhur, në mënyrë që të faktojë që ajo shpifi. Pra, unë zgjedh gjëra të cilat qëndrojnë jo gjëra të tjera që nuk i marr përsipër. Jo, unë nuk marr përsipër vërtetësinë e tyre, ama përzgjedh. Vura unë sms-në për drogën e Zotkës, e di çfarë ka ndodhur? E kanë liruar vëllanë, e kapën me dhjetëra kile drogë dhe e liruan, sigurisht se është njeriu i Ramës. E liroi Rama. Pra unë zgjedh gjëra të cilat i shërbejnë interesit publik dhe sidomos gjëra që përbëjnë dhunim të të drejtave të njeriut, aty nuk hesht sepse ato janë gjëra që aty opozita po heshti, pastaj nuk është më opozitë.

– Zoti Berisha një pyetje të fundit, do vazhdoni të jeni pjesë e parlamentit edhe në zgjedhjet politike të 2017?
Sali Berisha:
Edhe pas zgjedhjeve të vitit 2027.

– Po kjo varet nga Basha zoti Berisha, është ai që harton listat…
Sali Berisha:
Edhe nga puna, deputetët që punojnë shumë e meritojnë!

– Faleminderit që pranuat intervistën zoti Berisha!
Sali Berisha:
Faleminderit juve!

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY