Duke folur në festivalin e letërsisë, shkrimtari dhe njëkohësisht deputeti i mazhorancës, Ben Blushi, kritikoi mënyrën sesi po funksion vendi sot.
Ndërsa analizoi pjesë të romanit “Shqipëria”, Blushi u shpreh se popullit shqiptar i mungon qëndresa dhe këtë e ka vërtetuar komunizmi që zgjati 50 vite dhe korrupsioni, brutaliteti si dhe emigracioni me të cilin po përballemi sot.
“Duhet t’i kishim rezistuar më shumë të keqes, kjo do të na forconte identitetin e do të na jepte një shpirt qëndrese, që koha provoi që nuk e kemi në masën që duhet ta kemi. Sot që flasim jemi përballë varfërisë, korrupsionit, brutalitetit, padrejtësisë, pabarazisë, integrimit, emigrancionit, injorancës. Dhe nëse ka një popull në Evropë që ka arsye mos t’i pëlqejnë shumë gjera jemi ne, se nuk vidhet asnjë popull siç vidhemi ne, është e provuar me fakte”, u shpreh deputeti socialist.
Ben Blushi ngriti si shqetësim edhe largimin në masë të shqiptarëve në emigrim gjatë kohëve të fundit.
“Kjo është e papranueshme sepse nëse 40 mijë veta ikin për 6 muaj do të thotë në tetor janë bërë 100 e ca mijë zyrtarisht. Po mirë, a mendojmë ne nëse kjo ikje vazhdon çfarë perspektive ka ky vend, dhe në fund të fundit kush do i punojë tokat tona. E beson dot që pas 30 vjetësh nga 2 milionë që jemi sot këtu të jenë 1 milion?”, u shpreh më tej Blushi.
Festivali Ndërkombëtar i Letërsisë “Deti i Bardhë II” u organizua në Tiranë në datat 29-31 Tetor dhe solli pranë lexuesve shqiptarë, shkrimtarë nga shumë vende të Europës.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/