Nga muaji janar i vitit 2016 qeveria ka vendosur të rrisë me 7 për qind taksën mbi primet e sigurimeve. E thënë ndryshe, taksën që paguhet sa herë që presim sigurimin e makinave.
Aktualisht kjo taksë është 3 për qind. Qeveria ka vendosur ta bëjë 10 për qind. Dhe logjika që ka ndjekur në paketën e re fiskale, tregon qartë se këto para do t’i marrë nga qytetarët. Nuk janë pak, por rreth 450 milionë lekë, ose 4.5 milionë USD.
Vjet qeveria përjashtoi nga TVSH-ja të gjitha primet e sigurimit. Pas përjashtimit, vendosi t’i taksonte me 3 për qind, një taksë e re kjo. Por duket se nuk i ka bërë mirë llogaritë. Një vit më vonë, vendos sërish të rrisë këtë taksë me gati 2.5 herë, sepse heqja e TVSH-së nuk paska dhënë efekt në uljen e çmimit.
Çdo taksë e re, apo e rritur, paguhet nga konsumatori. Qeveria e di këtë, dhe nevojapër para e ka vendosur përballë konsumatorit, duke i shpallur luftë financiare. Aktualisht janë të paktën 400 mijë konsumatorë që do të paguajnë 7 për qind më shtrenjtë sigurimin e makinës. Gazeta “Panorama” po boton një tabelë, ku tregohet sa është sot primi i sigurimit të makinave dhe sa do të bëhet pas miratimit të taksës së re.
Qartësisht më shtrenjtë. Paaftësia e qeverisë për të kontrolluar uljen e çmimit nga heqja e TVSH-së po mbulohet me kostot që duhet të paguajnë qytetarët. Taksa vendoset mbi vlerën e siguracionit dhe shkon direkt në buxhetin e shtetit.
Siguracioni është i detyrueshëm, dhe shteti përdor një treg të rregulluar për të fituar para. Në rast se një sigurim makine kushton 10 mijë lekë në vit, pas 1 janarit do të kushtojë të paktën 10.700 lekë.
Kjo nga shtesa e taksës me 7 për qind. Nga llogaritjet del se për siguracionin e makinave të prodhuara pas vitit 2005 shtesa do të jetë minimalisht 1 mijë lekë në krahasim me pagesën e sotme, shkruan ‘Panorama’.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/