Edi Rama o Pinok, nuk ke parë gjë akoma! *

Edi Rama o Pinok, nuk ke parë gjë akoma! *

81
0
Shares

Sapo mora vesh se kryeministri Rama paska akuzuar studentët si gënjeshtare, pasi nuk janë drejtuar me fjalë, por me fyerje dhe si rrjedhojë, gënjejnë se janë dhunuar. Mirëpo për ta kuptuar se kush ka të drejtë dhe se kush u dhunua, mjaftojnë të paktën pamjet filmike të cilat të gjithë i kemi parë. Fjalët e studentëve drejtuar kundër kryeministrit kanë një vit e gjysmë që kanë hasur veshë të shurdhët.
Fyerjet?! Nëse të akuzoj për të shitur nuk është fyerje, por konstatim. Kur të tërheqin për veshi pronarët e diplomoreve private për të miratuar reformën e nisur nga Berisha, a nuk je i shitur dhe klientelist? Nëse flet për arsimin te bizneset, te diplomoret, në salla madhështore e ndërkohë pafytyrësisht flet për biznesin brenda në universitet a nuk je sharlatan? Nëse bën kamerierin në ambiente luksoze diplomoresh private dhe gangsterin arrogant me xhandarë që dhunojnë studentët në hapësirën e tyre, universitetin publik, a nuk je siç u thirre: “kryeministër plehrë”? – pasi ofendove nëpër dhëmbë dhe një nga gorillat e tua pështyu në fytyrë aktivisten Vitori Cipi?
Për sa i përket dhunës veç t’u kenë plasur sytë dynjasë që të mos shohin videot të cilat e reflektojnë veç pjesërisht ngjarjen e 2 nëntorit. Pas momentit që kam hedhur të shumëpërfolurën vezë shihet shumë qartë se si më rrëzojnë në tokë e tërhiqem forcërisht nga gorillat e tij jashtë fakultetit ku rrethohem nga individë të cilëve u bashkohen edhe oficerë të policisë. Duhet theksuar se ndonëse pesë prej nesh ishin vajza, nuk ka qenë e pranishme asnjë oficere grua për të më prekur. Tek tentonim të largoheshim se po na mbanin pa na vënë as në dijeni se me ç’të drejtë më ndaluan, argumentimi qe: “Na ke prek shefin.” Rama mund të jetë shefi i shpurës se tij, por jo i imi dhe aktivistëve të tjerë.
Nga videot sado amatore dallohet shumë qartë se si goditen shokët e shoqet e mia. Ndoshta me vështirësi se si te rrëzojnë Valtonin më tërheqin për flokësh poshtë. (Tufat e tyre që binin i ka parë edhe zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë. Tek tërhiqen zvarrë vajzat nga oficerë burra të cilët i zhveshën duke u tërhequr bluzat. Ke dëshmitarë dynjanë me njerëz vërdallë për secilin prej këtyre veprimeve që as kamera nuk i ka kapur mjaftueshëm dhe mohohen pafytyrësisht në media nga ky gënjeshtar. Dëshmojnë studentët që Durim Jasharaj është goditur me grusht në furgon.
Deklarojmë unë dhe Valtoni për grushtin që mora në shpinë, si pasojë e të cilit u rrëzova në korridorin hyrës të komisariatit nr. 2. Ata që janë kureshtarë për arsyen, është kërkesa ime ndaj një civili cub që të mos ofendonte në mënyrë banale familjarët e mi dhe mua duke më thënë që bënte ç’të donte me mua. Deklarojmë sërish unë dhe Valtoni për goditjen që mori Valtoni kur erdhi të më ngrinte.
Mua dhe aktivistëve të tjerë, me gjithë kërkesat e vazhdueshme në komisariat dhe në drejtorinë e policisë, na është refuzuar ndihma mjekësore. Ndonëse kemi qenë të shoqëruar, jemi trajtuar si të arrestuar duke na sekuestruar sendet personale, duke mos na lejuar të telefonojmë dhe na fotografuan me emra para. Presioni psikologjik ka qenë i lartë duke na refuzuar të takonim avokatin si dhe me ulërimat e harbutërinë e tejskajshme.
Në refuzimin që kemi bërë për të dhënë dëshmi dhe deklaratë pa praninë e avokatit, na janë përgjigjur me kanosje që do dënoheshim deri në një vit burg si dhe ofendime: “Kush jeni ju që guxoni të gjuani me vezë kryeministrin më të suksesshëm të historisë?!, “U bë surrati juaj!! Brez muti!” , e shumë gomarllëqe të tilla. Përveç momentit të fotografimit, në asnjë moment gjatë marrjes në pyetje nuk ka pasur të pranishme oficere gra. Kur shpesh kërkoja praninë e tyre brenda në zyrë, shprehja harbute ishte:” dashke dhe femra ti, hajt fol aty!”Kur kam kërkuar sërish ndihmë mjekësore, më kanë ironizuar që nuk ma japin pa praninë e avokatit. Ama ishte qesharake tek shihje këta harbutë të pëshpërisnin të shqetësuar se si do ia bënin me lëndimet e dukshme në trup të disave prej nesh. Kur e pyeta një ndër të paktët oficerë etikë e të sjellshëm se si kishte mundësi që unë vetë nuk kisha shenja edhe pse kisha marrë goditje të forta më tha nën zë dhe duke më kërkuar që te mos ia bëj publik emrin se jepen qëllimisht goditje të cilat nuk lenë shenja.
Kur kemi shkuar te Mjekësia Ligjore me kërkesë të Avokatit të Popullit e na kanë sorollatur se mjeku i vetëm( me ç’duket) i institucionit nuk ndodhej aty. Ekzaminimi, edhe pse pas 48 orësh që u bë ndonëse shenjat mund të qetësoheshin, prapë arrin të dëshmojë dhunën e ushtruar.
Përfaqësuesit e Avokatit të Popullit dhe ata të Komitetit të Helsinkit fillimisht as nuk janë lejuar të hynë brenda Drejtorisë së Policisë. Edhe pas hyrjes nuk janë lejuar të kontaktojnë me ne. Aktivistëve Klodi Hoxha, Vitori Çipi dhe Liri Kuçi u është bërë kontroll në banesë duke u thënë se nëse nuk japin çelësin për të hapur derën do ua shqyejnë. Pas gati shtatë orë e gjysmë Odiseje policeske, jemi lënë të lirë me akuzë të përbashkët “Për mosbindje ndaj forcave të rendit” . Në fakt ne të akuzuarit nën hetim jemi ata që do t’ju padisim për sa shpreha më lart.
Më pyesin se kush më shtyu ta quaja sharlatan dhe ta godisja me vezë, dhe ja tek e them: Edi Rama ka qenë personi që më shtyu ta bëj me shkatërrimin që po i bën universitetit, rrjedhimisht edhe shoqërisë. Do bëhemi makthi i atij që po tenton të shuajë ëndrrat tona dijëse. Dhunë nuk është veç ajo e ushtruar në 2 nëntor, por edhe ajo sistemore që na ushtrohet çdo ditë me këto reforma të dhimbshme, që gjithnjë bëhen në kurriz të atyre që varfërohen. Veza nuk është akti ynë i dëshpërimit, përkundrazi. Rezistenca do vazhdojë dhe ajo po përhapet gjithnjë e më shume, e po bëhet gjithnjë e më e fortë.
Sa për ty Pinok, siç ta thashë mediatikisht sa dola: Nuk ke parë gjë akoma!

* “Rreth Kryeministrit gënjeshtar të Republikës së Privatëve”, statusi i Bora Memas, aktiviste e “Lëvizjes për Universitetin”

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY