Duke folur për librin e tij “Vajza e mjegullës”, deputeti i Partisë Socialiste, Namik Dokle numëron disa prej pseudonimeve të spiunëve të paguar gjatë diktaturës, subjekt që përfshihet edhe në shumë faqe të librit, por të tjerë që ai i përmendi në Parlament.
Në një intervistë dhënë për Gazetën Shqiptare, Dokle tregon se situata e spiunëve është shumë e njohur dhe ka arritur deri në parlament.
“Situata e tyre është e njohur, aq sa kanë arritur në parlament. Ju e dini debatin për ta, që kanë arritur të vijnë në Parlament, e që ndoshta ka akoma. Janë ata që quheshin 1200 lekëshat, sepse kaq paguheshin. Populli i njihte dhe i quante 1200-a. Unë kam njohur në parlament ndonjë nga këta, po jo në fshatin tim. Nga ditari i xhaxhait e kam ndjerë atmosferën që krijonin. Por kjo më duket se funksionon në çdo kohë, në një mënyrë a një tjetër”, thotë Dokle.
Deputeti socialist thotë se edhe në parlament mëse një herë ka publikuar pseudonim e spiunësh që ishin deputetë. “Unë kam diskutuar në Parlament për këtë çështje. Para vitit 2000 kam mbajtur një fjalë në parlament, ku kam përmendur disa pseudonime që i dija. Nga ato pseudonime, si ‘Kali i Shalës’ apo ‘Qukapiku’, nuk ka më në Parlament. Mund të ketë të tjerë që unë nuk i di, por ata që unë dija nuk janë më, e ky është fat për Parlamentin. Unë jam për transparencë. Edhe ata mund të kenë qenë viktima të kohës, por, gjithsesi gjërat duhet të dalin në dritë e të njohim njëri-tjetrin”, thotë Dokle.





