Qeveria ka dështuar të zbatojë edhe këtë vit një standard të NATO-s që lidhet me buxhetin për Ministrinë e Mbrojtjes. Sipas projektit buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes për vitin 2016 do të jetë sa 1.1% e prodhimit kombëtar, edhe pse në fakt standardet e vendeve anëtare të NATO-s e kanë sa 2% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Ministrja Mimi Kodheli, tha në komisionin e Mbrojtjes në Kuvend se po bëhen përpjekje që fondet për këtë diskater të rriten çdo vit, në mënyrë që të arrihen rekomandimet e NATO-s.
Në fakt e vetmja rritje që po bëhet është tërësisht fiktive duke shtuar asete jashtë ministrisë në inventarin e saj për të rritur nëpërmjet transferimit formal të spitalit të Traumës dhe helikopterëve të Urgjencës nga Ministria e Shëndetësisë tek ajo e Mbrojtjes.
Opozita e ka akuzuar ministren se ka anashkaluar Presidentin e Republikës në cilësinë e kryetarit të Forcave të Armatosura për ta konsultuar planin e zhvillimit të Mbrojtjes.
Sipas të dhënave Ministria e Mbrojtjes e ka patur buxhetin të lartë afër 2% vetëm gjatë vitit që u anëtarësua në NATO në vitin 2009, 1.87% të PBB, më pas ai erdhi duke u ulur. Në 2015 buxheti për Mbrojtjen ishte vetëm 0.86% të prodhimit të brendshëm.





