“Edi Rama e ndoti edhe më shumë sot opinionin publik me një lum mashtrimesh, kur u shfaq në mes të dy simboleve; simbolit të korrupsionit, Ilir Beqa, dhe simbolit të krimit, Saimir Tahiri”, tha sot Luciano Boci në një deklaratë për mediat.
“Çdo shqiptar e di se kjo është qeveria e Beqës së 28 tenderave që ka marrë për veten e tij me 11 milionë euro, e beqës së qindra milionë eurove me koncesionet në shëndetësi për miqtë e kryeministrit.
Çdo shqiptar e di që kjo është qeveria e Tahirit, i rrethuar nga çdo anë me lidhjet me bandat e trafikantët, i kapur, i provuar me fakte e dëshmi, si shërbëtor i mafias, deri në djegien e provave në laboratorin kriminalistik për interesat e tyre”, theksoi Boci.
Në vijim deputeti i PD-së, Boci tha se “ndërkohë që jeton përrallën me 40 hajdutët e tij, nuk ka rritur me asnjë qindarkë shpërblimin për 600 mijë pensionistë.
Papunësia është shtuar me 3 përqind, pra ka shkuar në nivelin më të lartë në rajon me 17.3 përqind, ku vetëm rinia është 32 përqind e papunë sot.
Për dy vite e çoi në 73 përqind borxhin publik.
35 vende humbi Shqipëria në raportin më të rëndësishëm të Bankës Botërore.
Vetëm në 9 muajt e fundit janë vjedhur 231 milione dollarë në dogana e tatime.
Këto janë dy vitet me Ramën, një gërshetim i hajdutërisë me krimin. Një shtet ky i korruptuar e kriminal, që i ka zënë frymën vendit, të cilin duhet dhe do ta pastrojmë bashkë me qytetarët”.





