“Partia Demokratike falënderon ambasadorët e SHBA dhe BE në Tiranë për fillimin e tryezave publike për diskutimin e Reformës në Drejtësi. Falënderim për mundësinë që iu dha ekspertëve të opozitës për të shpjeguar qëndrimin e tyre konstruktiv dhe racional për reformën në drejtësi”.
Kështu është shprehur sot për media, deputeti i PD-së, Eduard Halimi.
Sipas Halimit, “Partia Demokratike e ka mbështetur dhe e mbështet plotësisht reformën në drejtësi, luftën pa kompromis ndaj korrupsionit në drejtësi, e bindur se vetëm gjyqtarët e ndershëm, profesionistë e të pavarur, do të mund të hetojnë e gjykojnë korrupsionin qeveritar”.
PD vlerëson se, “fillimi i tryezave, diskutimi publik, kanë qenë kërkesë e hershme e opozitës për të gjetur zgjidhjet me racionale, më të dobishme që përshkruhen nga 3 parimet kryesore: luftë ndaj korrupsionit në drejtësi, luftë ndaj koorporativizmit në gjyqësor, dhe pavarësi e plotë nga politika, nga kjo mazhorancë dhe nga mazhoranca që do vijë pavarësisht se kush është në pushtet. Qëndrimi i Partisë Demokratike është parimor, oponenca dhe propozimet e saj janë tërësisht racionale dhe në funksion të parimeve ndërkombëtarisht të pranuara, për një drejtësi të pa korruptuar, të aftë profesionalisht dhe njëkohësisht të pavarur nga politika. Tryezat duhet ti shërbejnë sensibilizimit sa më të madh që drejtësia të bëhet më e pavarur. E kundërta, kapja dhe marrja nën kontroll, është vetëm asgjësim i drejtësisë, i shërben partisë, por jo qytetarëve dhe të ardhmes së vendit”.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/