Policia ka evakuuar këtë mbrëmje zonën afër Kullës së Eifelit.
“Zona e Kullës së Eifelit në Paris është evakuuar. Forca të mëdha policore gjendet përreth Hotelit “Pullman” në distriktin e 7-të të Parisit”, ka thënë një dëshmitar për Reuters.
Ndërkaq, sipas Reuters-it, edhe stacioni i metrosë “Champs De Mars” në qendër të Parisit është mbyllur nga Policia.
Pak kohë më parë Papa Francesku i ka konsideruar aktet terroriste në Paris si një copëz e Luftës së Tretë Botërore.
“Kjo është një copëz e Luftës së Tretë Botërore dhe për këto gjëra nuk ka justifikime. Kjo nuk është njerëzore, prandaj i jam pranë të gjithë Francës që e dua aq shumë”, ka thënë Papa
Ai është shprehur “i prekur dhe i hidhëruar” për ngjarjet e së premtes mbrëma, që sipas tij janë të vështira për t’u kuptuar edhe pse bëhen nga vetë njerëzit.
“Për këtë jam i prekur, i hidhëruar dhe lutem. Jam pranë familjarëve të viktimave dhe lutem për të gjithë ata”, ka thënë më tej Papa Françesku.
Në orët e mbrëmjes ishte planifikuar që të fikshin dritat e Kullës së Eifelit në nderim të viktimave të djeshme gjatë sulmit terrorist në disa pika në Paris.





