Zbardhen shkaqet, për të cilat, dje, në Komisionin parlamentar të Sigurisë Kombëtare, dy deputetët të kampeve kundërshtare, u përfshinë në një sherr, deri edhe me shkëmbime grushtesh me njëri-tjetrin.
Ka qenë nëndrejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror, Ylli Alushi, duke argumentuar nevojat e këtij institucioni, të cilat nuk përmbusheshin përmes projektbuxhetit të vitit 2016.
Në një moment të argumenteve të nr. 2 të SHISH, deputeti socialist Pirro Lutaj, ju është drejtuar përfaqësuesve të SHISH-it të pranonin si të mjaftueshëm dhe të mos ankoheshin për buxhetin e planifikuar nga Ministria e Financave dhe se nuk është nevoja të ketë shtesë në të.
Ky reagim i deputetit socialist është pasuar nga ndërhyrja e deputetit demokrat, Asllan Dogjani, i cili e ka cilësuar Pirro Lutajn si njeri me dy fytyra dhe dy qëndrime ndaj SHISH-it, tjetër qëndrim kur ka qenë në opozitë dhe tjetër qëndrim tani që është në pushtet për të njëjtin institucion.
Nga ana e tij, Lutaj, për të njëjtën akuzë, të dyfytyrësisë, i ka kujtuar Dogjanit, “që gdhihesh socialist dhe ngrysesh demokrat”.
Pas mbylljes së mikrofonit, Lutaj është ngritur në këmbë duke futur këmishën nën pantallona. Duket se Asllan Dogjani e ka marrë këtë veprim me duar të Lutajt si mesazh ofendues ndaj tij, është ngritur menjëherë dhe e ka goditur kolegun e Sigurisë Kombëtare, Pirro Lutajn, me grusht, i cili ka tentuar edhe ky të kundërpërgjigjet.
Ndërhyrja e deputetëve Pjerin Ndreu dhe Arben Çuko ka bllokuar degradimin e situatës.
Tonet e debatit verbal u ngritën aq shumë edhe në korridor, madje u dëgjuan dhe përplasje karrigesh, ç’ka bëri që punonjësit e Gardës të hynin brenda sallës së Komisionit për të vendosur qetësinë.
Në këtë moment, deputeti Dogjani ka lënë sallën e mbledhjes në mënyrë demonstrative shumë i zemëruar dhe pa bërë asnjë deklaratë.





