Deputeti i PS-së Ben Blushi, nga foltorja e parlamentit, vijoi sot sërish me akuzat ndaj parlamentit. Sipas tij, ky është parlamenti më i shëmtuar në botë, pasi ka marrë përsipër vetë të pranojë se këtu ka kriminelë. Sipas Blushit, ligji për dekriminalizimin është i paplotë, për sa kohë nuk pastrohen partitë politike, që siç tha ai, janë përrenjtë që furnizojnë lumin e pisët të parlamentit.
“Për fat të keq kemi parlamentin më të shëmtuar në botë, i cili merr përsipër vetë të pranojë se këtu ka kriminelë. A fituan ata me votë të pavarur dhe u futën këtu, jo? A kandiduan me ndonjë platformë, jo. Çfarë propozuan ata, në fakt asgjë. Kush i futi ata në parlament? Kjo është çështja që diskutojmë. Sot është dita që të gjithë ne që e pranuam këtë gjë, duhet të kërkojmë një ndjesë. Njerëzit me të shkuar kriminale iu imponuan kuvendit nga partitë tona. Përgjegjësia sidoqoftë nuk është kolektive, por e personale, e atyre që i sollën në këtë Parlament, i atyre që i parfumosën, i bënë make-up politik”, deklaroi Blushi.
Këta njerëz u kthyen në model për shoqërinë. Të jesh i fortë dhe i paprekshëm kjo është kthyer në modë sot, rrezikon të na infektojë si shoqëri. Më shumë sesa të na infektojë ne, të infektojë të rinjtë në Shqipëri. Pyetja është çfarë i themi ne sot të rinjve të Shqipërisë? Ne i themi mos përdorni mendjen por përdorni muskujt. Ne i themi mos mësoni, mos u edukoni, mos shkoni në shkollë se është kot, por vrisni, vidhni, trafikoni, përdorni drogë, shisni drogë sepse kjo është mënyra më e shpejtë për të marrë një post publik dhe për të hyrë në Kuvend. Çfarë mendon sot një fëmijë që jeton në provincë, prindërit e tij nuk kanë mundësi të shkojnë në shkollë. Çfarë i themi ne sot? I themi shit drogë, vrit, shko në Itali bëj trafik se kështu mund të vish në parlament. Ne kemi bërë pak më shumë se kaq, kemi degraduar sistemin tonë arsimor. Nuk ka nevojë të mësosh të hysh në administratë, nuk ka nevojë të jesh i aftë për të ardhur në parlament. Mjafton të kesh bërë një krim, të kesh një mik dhe ai miku ta fshehë krimin. ne kemi ndërtuar një klasë të re, të atyre që nuk ndëshkohen. Kjo klasë e re është ndërtuar në Shqipëri, u shpreh Blushi.
Duke bërë edhe një autokritikë, ai sërish adresoi akuza për mosfunksionimin e strukturave të PS-së, duke rivënë theksin, sipas tij, te fakti se brenda partisë që ai aderon, prej vitesh as nuk votohet as nuk zgjidhet askush.
“Edhe unë jam pjesë e një partie që ka 3-4 vjet që as voton as zgjedh njeri, fut njerëz të dënuar në listë. E dini pse? Sepse në partinë ku jam unë, si në të gjitha partitë ku jeni ju, nuk ka votim. Kjo është kosto për të gjithë Shqipërinë. Çfarë ndodh në partitë tona? Nëse je i pasur hyn, nëse je i varfër del, nëse vjedh gjithë votat e një fshati të respektojnë. Kjo është e vërteta. Këto janë partitë tona politike”.
Me gjithë skepticizmin për ligjin e dekriminalizimit, Blushi pranoi se do e votojë atë, ndërsa apeloi, se xixëllonja ndihmon të gjesh derën e banjës, drita ndihmon popujt të dalin nga errësira.
“T’i jap edhe një përgjigje atyre xixëllonjave që rinë tek balli i partisë, e dini kush është ndryshimi mes xixëllonjës dhe dritës? …Xixëllonja ndihmon të gjesh derën e banjës, drita ndihmon popujt të dalin nga errësira. Megjithëse jam skeptik, do ta votoj këtë ligj pavarësisht se s’kam besim se politika jonë do dekriminalizohet me këtë ligj”, përfundoi Blushi.





