Gjatë këtij viti, shpenzimet që Kryeministria ka bërë për pritje dhe përcjellje, karburant, udhëtime brenda dhe jashtë vendit vlerësohen në rreth 15 milionë euro më të larta se një vit më parë. Të dhënat e portalit Open Data Albania konfirmojnë shifrat e këtyre shpenzimeve, që konsiderohen me efektivitet të ulët, pasi nuk sjellin të mira mbrapsht për vendin.
Kryeministria ka rritur ndjeshëm këtë vit shpenzimet për pritje dhe përcjellje, karburant, udhëtime jashtë dhe brenda shtetit dhe honorare.
Sipas të dhënave të portalit Spending Date Albania, rezulton se vetëm për këta 5 zëra janë shpenzuar këtë vit 17.8 milionë lekë të reja më shumë se një vit më parë, ose rreth 15 milionë euro.
Kështu, për periudhën 1 janar-20 nëntor 2015, janë shpenzuar për pritje dhe përcjellje 29.4 milionë lekë ose 13 milionë lekë më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Për sa i përket karburantit, është shpenzuar deri më 20 nëntor, 11.9 milionë lekë ose 1.7 milionë lekë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Aparati i Kryeministrisë ka shpenzuar më shumë edhe në udhëtime jashtë shtetit.
Nga janari deri më 20 nëntor, shpenzimet kanë qenë 25.5 milionë lekë, me rritje 2.3 milionë lekë kundrejt vitit të kaluar.
Më shumë shpenzime janë bërë edhe për udhëtimet brenda vendit, me një shumë që vlerësohet në rreth 615 mijë lekë të reja.
Ndërsa për sa u përket shpenzimeve për honoraret, kundrejt një viti më parë janë shpenzuar 200 mijë lekë më shumë.
Shpenzimet në këto zëra konsiderohen me efektivitet të ulët, pasi ato nuk garantojnë të mira mbrapsht për vendin, siç ndodh në rastin e investimeve në rrugë.
E njëjta filozofi duket se do të mbizotërojë edhe në buxhetin e vitit të ardhshëm, ku nga 600 milion dollarë që jepen për investimet publike, 10 % e kësaj shume ose 58.5 milionë dollarë do të shkojnë për blerjen e pajisjeve të zyrave dhe kompjuterëve për administratën.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/