Inspektori i policisë bashkiake Besmir Karaj është thirrur sot në Prokurori.
Për rreth 30 minuta, inspektor Karaj ka qëndruar në zyrën e oficerit të policisë gjyqësore, duke kopjuar në tre flet të bardha tekstin që shkruhej në procesverbalin e gjobës, që bashkia e Tiranës i ka dërguar partisë demokratike. Pas kësaj, mësohet se shkrimi i inspektorit Karaj së bashku me fletë-gjobën dërguar selisë blu, është dërguar më pas në laboratorin e policisë shkencore, ku është kërkuar ekzaminimi krahasues i dy shkrimeve. Ky veprim hetimor, sipas prokurorisë, është kërkuar nga ekspertët për të konstatuar nëse pretendimet e inspektorit Karaj qëndrojnë,pasi, në një dalje për media, Besmir Karaj ka pretenduar se shkrimi i tij është falsifikuar nga eprorët e tij në bashki. Në kallëzimin që ka bërë në prokurori, Karaj ka pretenduar se shkrimi në procesverbalin e gjobës, që Bashkia e kryeqytetit i ka vendosur Partisë demokratike me emrin e tij, vetëm pak orë pas përfundimit të protestës së opozitës, është i falsifikuar.
Burimet thonë me përfundimin e këtij akt-ekspertimi, prokuroria do të vendos se çfarë procedura të tjera hetimore do të ndiqen. Nëse shkrimi në gjobën e vendosur, rezulton se nuk është i inspektorit Karaj, thonë burimet, atëherë do të merren në pyetje të gjithë zyrtarët e bashkisë. Në këtë listë, hetuesit thonë se janë eprori direkt i inspektorit Besmir Karaj, drejtuesi i policisë bashkiake, shefja e kabinetit të kryetarit të bashkisë Erion Veliaj. Dhe nëse është e nevojshme, thonë hetuesit do të merret në pyetje edhe kreu i bashkisë Veliaj. Pra gjithë hetimi i kësaj dosje, thanë burimet varet nga përgjigja e ekspertëve të policisë shkencore mbi shkrimin që ndodhet në gjobën e Partisë Demokratike.
Nga ana tjetër, drejtuesi i prokurorisë së kryeqytetit, kallëzimin e inspektorit Besimir Karaj e ka bashkuar me hetimin që prokuroria po i bënë organizatorëve të protestës dhe vet protestuesve të dhunshëm.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/