Njësia Antikorrupsion në Prokurorinë e Krimeve të Rënda regjistron procedimin penal për koncesionet e dyshimta të shëndetësisë pas një serie shkrimesh investigative. “Asnjë zyrtar nuk përjashtohet nga hetimi”.
Koncesionet me vlerë dhjetëra milionë euro të ministrisë së Shëndetësisë janë bërë objekt i një hetimi të gjerë, të nisur së fundmi nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Procedimi penal është regjistruar nga Njësia Antikorrupsion, përgjegjëse për hetimin e zyrtarëve të lartë publikë dhe pritet të shtrihet në të gjithë piramidën drejtuese të ministrisë së Shëndetësisë, përfshirë edhe ministrin Ilir Beqaj.
Hetimi për koncesionet në shëndetësi është nisur me iniciativë të Prokurorisë, pas publikimit të një serie artikujsh nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative, BIRN dhe agjencia Investigimi.al. Koncesioni për hemodializën, me vlerë 86 milionë dollarë, ai për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale me vlerë 100 milionë dollarë dhe koncesioni i check up-it falas do të jenë në qendër të verifikimeve të grupit hetimor.
I kontaktuar nga BIRN, këshilltari i Prokurorit të Përgjithshëm, Albi Serani konfirmoi nisjen e hetimeve me iniciativë për koncesionet në shëndetësi, pas investigimeve të botuara nga media.
“Ky hetim ka nisur pas shqetësimeve të shpeshta të ngritura në publik për disa tendera dhe koncesione të realizuara nga Ministria e Shëndetësisë gjatë muajve të fundit, vlera e të cilave arrin në disa dhjetëra miliona euro”, tha Serani.
I pyetur nëse procedimi penal përfshin edhe ministrin Ilir Beqaj, Serani u përgjigj se ”asnjë zyrtar nuk do të jetë i përjashtuar nga hetimet”.
Hetimi për koncesionet në sektorin e shëndetësisë, i regjistruar në Njësinë Antikorrupsion të Prokurorisë së Krimeve të Rënda do të asistohet edhe nga oficerë të policisë gjyqësore të Prokurorisë së Përgjithshme. Shkak janë bërë procedurat komplekse të dhënies me koncesion të shërbimeve publike, të cilat kërkojnë kohën e tyre për t’u hetuar.
Koncesionet multimilionëshe të shërbimeve mjekësore e kanë vendosur ministrin Beqaj në qendër të akuzave të medias dhe të opozitës, pasi kompani të panjohura dhe pa eksperiencë kanë qenë përfituese të tyre.
Në tetor 2015, BIRN investigoi kompaninë fituese të koncesionit të hemodializës, Evita sh.p.k, e cila përfitoi pjesën kryesore të kontratës së majme 10-vjeçare prej 86 milionë dollarësh. Zanafilla e kësaj kompanie është një bar-kafe modeste në qytetin e Beratit, ndërkohë që pronarja e saj, Majlinda Fetiu nuk rezulton të ketë lidhje me fushën e shëndetësisë.
Ministria e Shëndetësisë u përgjigj se “Evita” sh.p.k e fitoi koncesionin për hemodializën bashkë me Spitalin Amerikan. Më pas rezultoi se Spitali Amerikan do të ketë vetëm 15 % të aksioneve në kompaninë e re, të krijuar për operimin e koncesionit.
Koncesioni i sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale, me vlerë 100 milionë USD do të hetohet gjithashtu nga Njësia Antikorrupsion e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Sipas një investigimi të BIRN, kompania modeste e emigrantit shqiptar në Peruxhia të Italisë, Ilir Rrapaj fitoi 40 për qind të kësaj kontrate, si pjesë e konsorciumit italian të udhëhequr nga “Servizi Italia”.
Koncesioni i kontrollit mjekësor falas me vlerë 120 milionë euro, i fituar nga kompania “Marketing& Distribution” me eksperiencë në tregtimin e duhanit dhe alkoolit do të jetë gjithashtu pjesë e këtyre hetimeve.
Autor: Aleksandra Bogdani
BIRN
Tiranë
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/