ILIR NIKOLLA/ Zgjidhja “në rrugë partie”, një alibi më e mirë për...

ILIR NIKOLLA/ Zgjidhja “në rrugë partie”, një alibi më e mirë për Ramën, sesa “pengesat kushtetuese”

71
0
Shares
ilir nikolla, e vogel

Ilir Nikolla

Edi Rama ka nisur një fushatë të pashpresë për të paraqitur kushtetutën si pengesën e pakapërcyeshme që e pengon atë t’i dalë në shteg konsensusit dhe zgjidhjes së krizës politike, duke angazhuar deputetë, funksionarë partie, kalemxhinj dhe shkrues në rrjetet sociale për të pikturuar imazhin se ai e ka të pamundur të mbështesë një alternativë tjetër që s’e sheh atë si kryeministër. Deklarata për shtyp, takimi me primadonat e ambasadorisë dhe non-paper që i shpërndahen medias klientelë kanë qenë përshkrimi i ditës së djeshme politike të kryeministrit Edi Rama.
Në fakt, kjo strategji ngjan disi e sforcuar për një protagonist të 20 viteve politikë e pushtet në Shqipërinë postkomuniste, pak demokratike e shumë të korruptuar. Kujtesa politike dhe precedentët duhet ta ndihmonin Edvinin të mos i futej aventurës së fshehjes pas prerogativave kushtetuese, pasi ato ofrojnë po aq siguri sa u ofrojnë mbrojtje të drejtave të shqiptarëve në qelitë e paraburgimit a para arrogancës së nëpunësve, apo edhe po aq prezencë sa u ofrojnë bashkatdhetarëve tanë në Itali, Greqi e gjetkë (pra, asnjë!). Fshehja pas pengesave kushtetuese është një zgjedhje shumë e keqe për një vend ku respektimi i ligjit s’është pika e tij e fortë e ku respektimi i të drejtës zakonore është ku e ku me më shumë të drejta qytetarie sesa normativat ligjore që dridhen si tel nga zyrtarë vendorë e qendrorë.
Edi Rama e ka zgjedhur artikulimin e kushtetutës si pengesë për dialogun politik dhe ofrimin e ndonjë zgjidhjeje në kushtet e mungesës së alternativave të tjera dhe në morsën e kohës, meqenëse afati për regjistrimin e partive politike në zgjedhjet e “18 qershorit” pothuajse po skadon. Megjithatë, lartësia diktatoriale nga e cila ai qeveris oborrin e politikës private, duket se e ka penguar atë të dallojë një mundësi të artë që i vjen në shteg, krejt besnikërisht, siç thotë populli, se jo çdo e keqe vjen për keq. Lartësia e arrogancës po e pengon kryeministrin në detyrë të zgjidhë ato detyra çka mund të zgjidhen dhe i pamundur të pranojë alternativën njëkalimëshe të qeverisë teknike (të besimit, apo të çfarëdolloj etiketimi tjetër), ai s’po sheh se betejën për 18 qershorin e ka humbur dhe tani po rrezikon të bëhet irrilevant edhe për zhvillimet e ardhshme brenda PS-së (apo të majtës në përgjithësi).
Tashmë kuptohet se pamundësia për të deklaruar faqe botës së është dakord t’i bashkohet ofertës kombëtare dhe ndërkombëtare për një dialog që do prodhojë një qeveri me mbështetje të gjerë politike, po e çon Edi Ramën të kërkojë alibi të dobëta dhe që rrezikojnë të sjellin zgjidhje që e përjashtojnë krejt ndikimin e kryeministrit. Ai është strehuar në çadrën me vrima të pengesave kushtetuese, kur në fakt do të ishte më e frytshme të thoshte një pjesë të së vërtetës, të thoshte se ka një front bllokues për zgjidhje politike edhe brenda lidershipit të Partisë Socialiste. Kryerja e kësaj transparence do t’i legjitimonte zgjidhjet e pasdisfatës zgjedhore, pra do t’i garantonin aleatë në momentin kur do t’i duhej të shpallte grupet armiqësore. S’kuptohet mirë nëse Edi Rama grupet armiqësore ka interes t’i thërrasë si grupe antidialog (sektare), apo si grupe disfatiste, por me strehimin tek “pengesat kushtetuese” ai po humbet kohë dhe po e nulifikon vlerën e tij politike. Sido të vijnë punët, kur momentuum-i ka thirrur në skenë qeverinë e besimit të gjerë, për Edi Ramën imperativ është identifikimi brenda PS-së i grupit që do t’i shërbejnë në të ardhmen atij dhe privatëve që ai përfaqëson. Përzgjedhja e duhur do të ishte alibia e duhur për politikanin Edvin Kristaq Rama.      

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY