RRËFIMI/’’Si e gjeta nënën dhe nipin të larë në gjak’’

RRËFIMI/’’Si e gjeta nënën dhe nipin të larë në gjak’’

73
0
Shares

Mesditën e djeshme më mori në telefon bashkëshortja, e cila më tha ta lija punën dhe të shkoja urgjent në shtëpinë ku banonte nëna ime. Kur shkova tek banesa, e gjeta derën mbyllur, ndaj u ngjita me shkallë në katin e dytë. Ishte e tmerrshme ajo që pashë. Nënën e gjeta në krevat të mbytur në gjak. Ndërsa, nipi ishte shtrirë i pajetë në dysheme. U shokova nga skena e krimit. Ende nuk dua ta besoj atë që ndodhi”.
Kështu ka deklaruar në policinë e Durrësit, Isuf Curri, djali i viktimës Hurma Curri dhe njëkohësisht xhaxhai i autorit të krimit të dyfishtë, Irsid Curri. Gjatë marrjes në pyetje, ai ka treguar me detaje ngjarjen e rëndë. Ndërkohë, Isuf Curri ka pohuar se që pas daljes nga burgu, nipi i tij vuante nga depresioni dhe se ishte agresiv me të afërmit e tij. Gjithashtu, xhaxhai i 23-vjeçarit që vrau gjyshen e tij dhe më pas u vetëvra tha se nipi i tij kishte kërkuar azil në Gjermani dhe ishte deportuar nga autoritetet e këtij shteti, pasi ishte treguar agresiv me pjesëtarët e familjes së tij gjatë qëndrimit atje. “Gazeta Shqiptare” ka mundur të sigurojë dëshminë e plotë të dhënë para oficerëve të policisë nga Isuf Curri.

Hetuesi: Çfarë ndodhi në shtëpinë e nënës suaj?
Isuf Curri:
Sot (dje) rreth orës 12:00 më mori bashkëshortja ime në telefon e alarmuar dhe më tha që të mbyllja dyqanin fruta-perime që unë kam në pronësi dhe të shkoja tek shtëpia e nënës sime.

Hetuesi: Konkretisht, çfarë ju tha bashkëshortja juaj në telefon?
Isuf Curri:
Gruaja më tha se i kishte telefonuar nënës gjithë paraditen dhe ajo nuk i përgjigjej. Në mesditë, ime shoqe kishte shkuar tek shtëpia e vjehrrës, nënës sime, por e kishte gjetur derën e shtëpisë të mbyllur. Kishte trokitur dhe askush nuk i ishte përgjigjur. I kishte thirrur me zë të lartë: ‘Hurma, Hurma!’, por sërish asnjë përgjigje. E shqetësuar, ajo më telefonoi dhe kërkoi që unë të lija punën dhe të shkoja urgjent atje.

Hetuesi: Shkuat në shtëpinë e nënës suaj?
Isuf Curri:
Po, shkova menjëherë pas telefonatës që më bëri ime shoqe. Kur mbërrita tek shtëpia e gjeta derën e mbyllur. Gjithashtu edhe dritaret e katit të parë. I gjendur në një situatë të tillë, mora një palë shkallë dhe u ngjita në ballkonin e katit të dytë. Por, edhe dritaret e katit të dytë ishin mbyllur. Theva njërën nga dritaret dhe futa brenda.

Hetuesi: Çfarë patë brenda në banesë?
Isuf Curri
: Sapo hyra në dhomën ku flinte nëna e gjeta atë në krevat të mbytur në gjak. Shtanga nga tmerri.

Hetuesi: Po nipi juaj?
Isuf Curri
: Nipi ishte shtrirë në dysheme, po i mbytur në gjak. Pranë tij ishte edhe arma. Nuk po më besohej se ata kishin vdekur, ndaj u thirra të dyve në emër me shpresë se mos ndonjëri ishte gjallë, por ishte e kotë. Ata të dy kishin marrë fund. I tronditur tejet nga skena e tmerrshme lajmërova policinë për ngjarjen. Nuk ma merrte mendja që nipi im të kryente një krim të tillë.

Hetuesi: Kishte shfaqur ndonjë problem nipi juaj para ngjarjes?
Isuf Curri:
Prej disa kohësh, Irsidi kishte shfaqur shenja depresioni, ishte bërë agresiv. Ai ka qenë dënuar 11 vjet për vrasje dhe doli nga burgu afro një vit më parë. Nipi bëri 7 vjet burg me gjykim të shkurtuar.

Hetuesi: Çfarë bëri pas daljes nga burgu?
Isuf Curri:
Menjëherë sapo doli nga burgu, nipi im iku në Itali tek nëna e tij. Bashkë me pjesëtarët e familjes ai shkoi në Gjermani dhe kërkoi azil. Autoritetet e këtij vendi e deportuan, pasi Irsidi ishte treguar agresiv me familjarët e tij. Pas kthimit këtu, ai rrinte me nënën time, pra me gjyshen e tij.

Hetuesi: Si sillej Irsidi pas kthimit në Shqipëri?
Isuf Curri
: Kohët e fundit ishte bërë agresiv. Pak ditë më parë, nëna ime i kishte thënë motrës sime që e kam këtu në Durrës se ishte e shqetësuar me sjelljen e Irsidit. “Po më bën ndonjë gjë ai djalë, pasi është shumë i ngarkuar dhe i rënduar psikologjikisht”. Kështu i kishte thënë nëna motrës sime. Dhe ndodhi kjo që ndodhi.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY