DOSJA/ I burgosur “tradhtohet” nga avokati, gruaja “i rrëmben” fëmijën

DOSJA/ I burgosur “tradhtohet” nga avokati, gruaja “i rrëmben” fëmijën

58
0
Shares

Foto Ilustruese

Prokuroria Prane Gjykates se Shkalles se Pare ka perfunduar hetimet dhe derguar per gjykim shtetasit:
• L. V., (noter) hetuar në gjendje të lirë, akuzuar për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 186/3 – 25 i kodit penal,
• M. N.,hetuar në gjendje të lirë, akuzuar për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 186/2 i kodit penal.
Në datë 16. 05. 2016, kjo prokurori, mbi bazën e kallëzimit të shtetasit D. N., ka regjistruar procedimin penal për veprën penale të “Falsifikimi i dokumenteve”, parashikuar nga neni 186 i K.Penal, në ngarkim të të pandehurve L. V., dhe M. N.
Nga hetimet e kryera rezulton se kallëzuesi D. N., është i martuar me shtetasen M. N.
Aktualisht kallëzuesi vuan dënimin në IEVP ‘X’. Ai ka kallëzuar se me dt. 15. 02. 2016 bashkëshortja e tij është larguar për në shtetin italian nga aeroporti i Rinasit, së bashku me vajzën e mitur, pa dijeninë e tij. Kallëzuesi shpjegon se për largimin e vajzës, bashkëshortja e tij ka përdorur një akt noterial, në të cilin nënshkrimi i tij është i falsifikuar.
Nga veprimet e kryera rezulton se nga noteri, është hartuar deklarata noteriale dt. 11. 02. 2016 e shtetasve D. N., dhe M. N., në lidhje me udhëtimin jashtë shtetit të vajzës së tyre, deklarate qe eshte perdorur per udhetimin jashte shtetit.
Shtetasi D. N., në deklarimin e tij të marrë pranë IEVP, ku vuan dënimin, deklaron se nuk ka nënshkruar në deklaratë noteriale dhe nuk ka dijeni se kush ka nënshkruar në të.
Ai deklaron se ka marrë dijeni për udhëtimin e bashkëshortes me vajzën, pesë ditë pas largimit të tyre jashtë shtetit. Më pas, nga avokati i tij (mbrojtës në gjykimin për dënimin penal te kallezuesit), sipas tij ka marrë dijeni se avokati ka autorizuar bashkëshorten e tij për të nënshkruar në emër të tij.
Shtetasi N. V., avokat i të dënuarit  D. N., ka deklaruar se ka lëshuar një autorizim në emër të D. N., ku ky i fundit autorizonte bashkëshorten të nënshkruante në emër të tij në deklaratën noteriale. Këtë autorizim e ka nënshkruar ai me tagrin e avokatit të D. N.
Nga përmbajtja e prokurës së posaçme dt. 11. 04. 2016 të lëshuar prej të arrestuarit D. N., në IEVP Tiranë, rezulton se ky shtetas emëron si avokat të tij mbrojtësin N. V., që ta mbrojë në proceset gjyqësore të të gjitha shkallëve, për veprën penale të parashikuar nga neni 283/a/2 i kodit penal. Tagrat e avokatit kanë lidhje vetëm me këtë proces gjyqësor penal dhe nuk janë dhënë edhe për çështje të tjera civile apo familjare.
Autorizimi figuron i hartuar me dt. 10. 02. 2016 dhe nënshkruar prej avokatit veprim të cilin sipas deklarimit të tij, ky shtetas e ka bazuar në prokurën e posaçme të dt. 11. 04. 2014 që ka pasur për mbrojtjen e të arrestuarit. Në këto kushte noteri ka lejuar që në emër të kallëzuesit, të nënshkruante bashkëshortja e tij.
Shtetësja M. N., deklaron se ka shkuar në zyrën e noterit dhe i ka kërkuar hartimin e një deklarate noteriale për të udhëtuar jashtë shtetit, me vajzën e saj. Ajo e ka vënë në dijeni noterin se bashkëshorti ndodhej në IEVP. Noteri ka përpiluar deklaratën noteriale, në të cilën ka nënshkruar ajo edhe tek emri i saj edhe tek emri i bashkëshortit. Sipas saj, bashkëshorti ka pasur dijeni dhe ka autorizuar avokatin për të bërë këtë gjë. Në zyrën e noterit në këtë moment kanë qenë të pranishëm vetëm ajo dhe vajza e saj, e cila në deklarimet e saj ka pohuar të njëjtat fakte. Qëllimi i udhëtimit sipas saj ishte se duhet të
shkonte tek djali i saj.
Në deklarimin e tij, noteri pohon se në deklaratë nuk ka nënshkruar kallëzuesi, për faktin se ai ndodhej në burg. Sipas tij, ai i ka dhënë deklaratën noteriale, avokatit të zgjedhur të kallëzuesit, me qëllim që t’ia çonte kallëzuesit në IEVP, ku ai vuante dënimin.
Në deklarim noteri shpjegon se avokati nuk kishte mundur të shkonte në IEVP, por kishte dhënë një autorizim në emër të tij, që të nënshkruhej deklarata noteriale.
Nga hetimi dhe provat e administruara rezulton se shtetasi L. V., në detyrën e noterit, nuk ka verifikuar dhe nuk është bindur për vullnetin e palës pjesëmarrëse në deklaratë (kallëzuesit D. N.). Gjithashtu ai ka lejuar që në këtë akt të hartuar prej tij, të nënshkruajë i njëjti person, i cili ka nënshkruar edhe për veten e tij. Kjo për faktin se rezulton se kallëzuesi është në IEVP “X” dhe nuk është paraqitur në zyrën e noterit për të nënshkruar. Në emër të tij ka nënshkruar shtetësja M. N., jo si person i autorizuar, por thjesht duke vendosur nënshkrim, poshtë emrit të shtetasit D. N.
Argumenti i përdorur nga të pandehurit se kallëzuesi ka lëshuar një prokurë të posaçme dhe avokati i tij ka autorizuar bashkëshorten për të nënshkruar në emër të tij, nuk justifikon veprimin e noterit, aq më tepër që kjo prokurë është lëshuar rreth dy vjet para hartimit të deklaratës noteriale. Avokati nuk ka kompetenca ligjore të kërkojë prej noterit hartimin e një dokumenti zyrtar. Njëkohësisht ai nuk ka pasur
tagra të përfaqësojë vullnetin e kallëzuesit në një çështje familjare, por vetëm tagra për përfaqësimin e tij në çështjen penale konkrete, për akuzën penale ndaj të arrestuarit kallëzues. Nga përmbajtja e prokurës rezulton se avokati është emëruar përfaqësues i të pandehurit vetëm në këtë çështje penale për veprën trafikim narkotikësh.
Në këto kushte, rezulton se të gjitha këto veprime janë kryer para noterit, fakt që ai e ka pasqyruar edhe në deklaratat se para tij janë paraqitur personalisht deklaruesit D. N., dhe M. N., të cilët deklaruan se vajza e tyre të shkojë jashtë shtetit me nënën e saj. Ky fakt paraqet rrethanë të rreme, pasi bazuar në personat e pyetur dhe provat e tjera, shtetasi D. N., nuk ka qenë para noterit, pasi deklarata noteriale nuk është nënshkruar prej tij. Në të njëjtën mënyrë, rrethanë të rreme paraqet edhe fundi i deklaratave, kur thuhet se “deklarata pasi iu lexua deklaruesve me zë të lartë dhe të qartë dhe u shprehën se janë dakord me përmbajtjen e saj, me vullnet të plotë dhe të lirë e nënshkruan rregullisht para meje
noterit”.
Nga ana tjeter, këto rrethana të rreme për prezencën dhe identifikimin e shtetasit D. N., nga noteri, provojnë se para noterit ka shkruar dhe nënshkruar në emër të tij shtetësja M. N. Në këtë menyrë, deklaratat noteriale janë falsifikuar drejtpërdrejt nga shtetësja M. N., dhe nisur nga fakti se kjo ka ndodhur para noterit dhe natyrisht do të pasqyrohej si rrethanë e rreme në deklaratë (tek pjesa hyrëse e deklaratave ku thuhet se para noterit janë paraqitur porositësit D. N., dhe M. N., dhe kërkuan redaktimin e deklaratës noteriale dhe në fund kur thuhet se deklarata pasi u lexua, u nënshkrua rregullisht nga palët), rezulton se i pandehuri L. V., ka falsifikuar deklaratat noteriale, në bashkëpunim me shtetasen M. N., duke qenë se ato janë hartuar nga noteri. Veprimet e përbashkëta të të pandehurve, kanë sjellë pasojën e falsifikimit të mësipërm. Në këndvështrim të personit të interesuar dhe përfituesit prej tij, e pandehura M. N., ka ekzekutuar falsifikimin, ndërsa noteri gjithashtu ka falsifikuar deklaratat me paraqitjen e rrethanave të rreme duke i hartuar, nënshkruar dhe vulosur pa praninë e palës tjetër deklaruese, duke lejuar personin tjetër të falsifikonte shkrimin dhe nënshkrimin e bashkëshortit të saj. Pa bashkëpunimin e noterit, në këtë drejtim, për të larguar pengesën e mosprezencës së deklaruesit para tij për dhënien e pëlqimit, nuk mund të kryhej ky falsifikim, pasi ai ishte personi që në sajë të detyrës së tij lëshonte dokumentin e falsifikuar.
Sa më sipër, me veprimet e tij shtetasi L. V., në detyrën e noterit ka konsumuar elementët e veprës penale të falsifikimit të dokumenteve nga personi që ka për detyrë lëshimin e dokumentit, e kryer në bashkëpunim me të pandehurën M. N., parashikuar nga neni 186/3 e 25 i Kodit Penal. Me veprimet e tij ai ka cenuar marredheniet juridike qe mbrojne veprimtarine e rregullt te organeve te ngarkuara me sherbim publik per leshimin e dokumentave zyrtare te rregullta, si dhe nga veprimet e tij jane demtuar interesat e ligjshme të shtetasit kallëzues dhe njekohësisht deklarues D. N., pasi deklarata është bërë pa dijeninë dhe pëlqimin e tij.
Nga ana objektive veprën penale e ka konsumuar nëpërmjet hartimit të aktit noterial prej tij, pa praninë e të dy palëve (deklarues), sikundër citohet shprehimisht në ligjin nr. 7829, datë 01. 06. 1994 i ndryshuar “Për noterinë”, nenet 46 dhe 49 të tij. Nga ana subjektive, vepra penale është kryer prej tij me dashje, pasi ai si person i ngarkuar me detyrë publike i njeh rregullat e caktuara në ligj për hartimin e akteve noteriale.
E pandehura M. N., me veprimet e saj kanë konsumuar elementët e veprës penale të falsifikimit të dokumentave, e kryer në bashkëpunim me noterin, parashikuar nga neni 186/2 i Kodit Penal. Nga veprimet e saj jane demtuar interesat e ligjshme të shtetasit kallëzues dhe njekohësisht deklarues D. N., pasi deklarata është bërë pa dijeninë dhe pëlqimin e tij.
Nga ana objektive veprën penale e pandehura e ka konsumuar nëpërmjet shkrimit dhe nënshkrimit të shtetasit D. N., në deklaratë noteriale, drejtpërdrejt prej saj.
Nga ana subjektive vepra penale është kryer nga të pandehurit me dashje, me qëllim hartimin e një dokumenti me të dhëna të rreme.
Nga ky veprim ka ardhur pasoja, pasi deklarata e falsifikuar është përdorur në pikën e kalimit kufitar, për udhëtimin e të miturës jashtë shtetit, pa dijeninë e babait të saj.
Sa më sipër, në mbështetje të nenit 331 të K. Pr. Penale, Prokuroria ka derguar per gjykim ceshtjen me te pandehur shtetasit L. V., i akuzuar për veprën penale të “Falsifikimi i dokumenteve” në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 186/3 – 25 i kodit penal dhe M. N., të akuzuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve” në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 186/2 i Kodit Penal.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY