280 nxënës zhvillojnë mësimin në një gërmadhë që quhet shkollë

280 nxënës zhvillojnë mësimin në një gërmadhë që quhet shkollë

148
0
Shares

Një gërmadhë që quhet shkollë. Muret janë gjithë lagështirë e me suva të rënë. Dyert e shkatërruara. Dritaret në vend të xhamave kanë dërrasa. Tavani, gati për të rënë. Dhe fëmijët që ngrijnë nga i ftohti. Kështu është katandisur shkolla e Mesme të Bashkuar “Dhimitraq Gjata” në fshatin Rrëmbec, rreth 20 km larg qytetit të Korçës. Drejtori i kësaj shkolle, Qerim Kreka, dje deklaroi se situata është skandaloze, pasi që prej 30 vitesh nuk është bërë rikonstruksioni i plotë i ndërtesës, ku mësojnë fëmijët e tre fshatrave. Sipas Krekës, instancat përkatëse duhet të ndërhyjnë menjëherë me investime, në të kundërt 280 nxënës rrezikojnë të mbeten pa mësim. Në lidhje me këtë problem, ka reaguar dhe kryetari i Bashkisë së Maliqit, Gëzim Topçiu. Ai u shpreh se është në dijeni të gjendjes së mjerueshme të shkollës në fjalë. “Kemi bërë një ndërhyrje në prag të vitit të ri shkollor, por kjo nuk është zgjidhje. Ne kemi bërë projektin, të cilin e kemi dorëzuar pranë Ministrisë së Arsimit. Presim që në buxhetin e vitit 2016, të paktën kjo shkollë të financohet, pasi është vërtet në gjendje të vështirë”, tha kryebashkiaku Topçiu. Ndërkohë, në një intervistë për Gazetën Shqiptare, drejtori i shkollës “Dhimitraq Gjata” pohoi se procesi mësimor po zhvillohet jashtë çdo kushti normal dhe se rrezikohet shëndeti i nxënësve dhe i stafit pedagogjik. “Shkolla e Mesme e Bashkuar në fshatin Rrëmbec, prej mëse 30 vitesh nuk i është nënshtruar asnjëherë rikonstruksionit në tërësi të saj, duke përjashtuar disa ndërhyrje të vogla, por pa vlerë. Kjo për faktin se godina është drejt rrënimit. Quhet shkollë, por nuk ka asnjë ambient që të përngjajë si e tillë. Çdo gjë është e shkatërruar. Dyert, dritaret ku në vend të xhamit kemi vendosur dërrasa, mure të nxira nga lagështia, tavani i plasaritur, suvaja e rënë. Kjo është gjendja dhe kjo është e turpshme. Jemi të detyruar të zhvillojmë mësimin këtu, pasi nuk kemi zgjidhje tjetër”, është shperhur drejtori i shkollës.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY