Qeveria Merkel vendos të censurojë “Facebook”-un

Qeveria Merkel vendos të censurojë “Facebook”-un

51
0
Shares

Kabineti qeveritar në Gjermani ka miratuar projektligjin e ri për të frenuar komentet me bazë urrejtjeje apo lajmet e rreme nëpër rrjetet sociale. Kabineti i drejtuar nga Kancelarja Angela Merkel ra dakord këtë të mërkurë mbi rregulloren që do të vendosë gjoba deri në 50 milionë euro ndaj rrjeteve sociale që dështojnë të heqin në mënyrë të shpejtë materialet ilegale, siç janë fjalimet me baza urrejtjeje apo lajmet e rreme shpifëse dhe denigruese.
Ministri gjerman i Drejtësisë, Heiko Maas tha se kompanitë që ofrojnë platforma “online” janë përgjegjëse për heqjen e komenteve të palejueshme.
“Sikurse edhe nëpër rrugë, nuk mund të ketë vend për nxitje kriminale as në rrjetet sociale”, tha Maas. Ministri shtoi më tej se masa për të luftuar fjalimet e urrejtjes dhe të ashtuquajturat “fake news” do të duhet të ngrihet në nivel europian që të jetë edhe më shumë efektive.
Projektligji, gjithsesi ka nevojë për miratimin parlamentar tashmë.
Rreth dy javë më parë, Heiko Maas tha se përpjekjet vullnetare të rrjeteve sociale për të zgjidhur këtë problem nuk kanë qenë të mjaftueshme deri më tani. Propozimi kërkon nga faqet “online” që të ofrojnë linja ndihmëse 24 orë në 24, si dhe të fshijnë përmbajtjet e raportuara brenda 7 ditësh.
Rrjetet sociale si “Twitter” dhe “Facebook” po përmirësoheshin në trajtimin e përmbajtjeve të paligjshme, vlerësoi Maas, por që të dyja këto kanë ende shumë punë për të bërë. Maas citoi disa hulumtime, që thonë se “Twitter” fshin vetëm 1% të fjalimeve me baza urrejtjeje që bëhen nga përdoruesit e saj, ndërsa “Facebook” vetëm 39% të tyre. “Kjo është ende e pamjaftueshme”, u shpreh ai.
Racizmi dhe urrejtja besohen të jenë bërë mbizotëruese në mediet sociale në Gjermani pas mbërritjes së një numri tejet të madh refugjatësh në vitin 2015.
Çdo përmbajtje që është “qartësisht kriminale” duhet të hiqet brenda 24 orësh, sipas kushteve të vendosura në projektligj. Nëse pas një hetimi rezulton që përmbajtja të jetë kriminale, atëherë ajo duhet të hiqet brenda 7 ditëve. Njerëzit që publikojnë përmbajtje ilegale duhet të informohen mbi fshirjen e tyre.
Projektligji i propozuar u kërkon rrjeteve të punojnë me staf të kompletuar, me sisteme raportuese për çdo orë dhe të emërojnë një person përgjegjës për trajtimin e ankesave. Ky person mund të përballet me një gjobë individuale deri në 5 milionë euro, nëse kompanitë shkelin ligjet që mbikëqyrin publikimin e materialeve.
Maas tha se ligji mund të aplikohet edhe ndaj artikujve të ashtuquajtur “fake news”, nëse rezulton që të jenë gojëlëshuar, diskreditues apo shpifës. “Facebook” nuk komentoi drejtpërdrejt propozimin e këtij ligji, por tha se testimet që ka kryer tregojnë se rrjeti social ka hequr një përqindje më të madhe të përmbajtjeve të paligjshme, nga sa pretendon ministri gjerman i Drejtësisë. Rrjeti social tha se pritet të punësojë rreth 700 persona në Berlin deri në fund të këtij viti për t’u angazhuar në përpjekjet për të shqyrtuar materialet e raportuara.
Gjithsesi, shoqata e tregtisë dixhitale, “Bitkom” e ka kritikuar këtë projektligj. Duke folur për “Financial Times”, ajo tha se kërkesa për të hequr materialet brenda 24 orësh në faqe që kanë mbi një miliard postime në ditë është “krejtësisht e pamundur për t’u zbatuar në aspektin operacional”. TCH

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY