Në disa rajone të vendit ka pasur reshje dëbore, të cilat kanë shkaktuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve në rrugë. Probleme të tilla janë shfaqur në qarqet e Korçës, Kukësit dhe Shkodrës, kryesisht në akset Korçë-Dardhë, Bilisht-Kapshticë, Krumë-Qafë Prush (Kosovë), Kukës-Shishtavec si dhe Qafë Thore-Theth, në Shkodër.
Strukturat e Policisë së Shtetit, të Emergjencave Civile bashkë me ato të pushtetit lokal, po punojnë për lehtësimin e gjendjes, duke angazhuar forca dhe mjete për pastrimin e rrugëve, por edhe duke paralajmëruar automjetet për vendosjen e zinxhirëve. MPB, nëpërmjet Emergjencave Civile ka shpërndarë mjetet e saj borëpastruese dhe fadroma në disa rrethe si Shkodër, Malësi e Madhe, Pukë, Kukës dhe Dibër.
Të gjitha zonat në vështirësi po inspektohen nga strukturat e Emergjencave Civile dhe nga Policia e Shtetit.
Në gatishmëri janë dhe forcat zjarrfikëse, të cilat janë aktivizuar për zgjidhjen e situatave.
Policia po monitoron gjendjen dhe këshillon qytetarët të kenë kujdes në rastesituatash emergjente për shkak të motit.
Në bazë të të dhënave dhe informacioneve të grumbulluara në Drejtorinë Operacionale të Drejtim-Komandimit të Emergjencave Civile, në vijim ju paraqesim një përmbledhje të problematikave në zonat e prekura, sipas qarqeve:
Qarku Kukës
Në të gjithë qarkun ka pasur reshje bore, e cila ka arritur deri në 10 cm në qytetin e Kukësit dhe 15 cm në qytetin e Bajram Currit. Dëbora e rënë ka shkaktuar bllokimin e aksit rrugor Krumë-Qafë Prush që të nxjerr në Kosovë. Prefekti i Qarkut Kukës ka komunikuar me një firmë kontraktore për të bërë të mundur zhbllokimin e këtij aksi rrugor, duke futur në punë 2 borëpastruese. Edhe aksi rrugor Kukës-Shishtavec ka bllokime në pjesë të caktuara si rezultat i reshjeve të dëborës. Ndërkaq, furnizimi me energji elektrike dhe ujë të pijshëm ka qenë pa probleme.
Qarku Shkodër
Në Malësi të Madhe ka pasur reshje dëbore në zonën e Vermoshit dhe zonën e Thethit. Aksi rrugor Qafë Thore – Theth është i bllokuar. Nga ana tjetër vijon puna për të mbajtur të hapura të gjitha akset rrugore nacionale, të cilat janë rënduar si rezultat i rënies së borës.
Qarku Korçë
Ditën e sotme ka pasur reshje bore në fshatrat Dardhë e Kapshticë. Në doganën e Kapshticës ka pasur një bllokim të aksit rrugor Bilisht – Dogana Kapshticë, por janë marrë masat menjëherë me 2 borëpastruese për pastrimin e këtij aksi rrugor.
Disa probleme në qarkullim janë shfaqur edhe në aksin rrugor Korçë- Dardhë, ku në pjesë të caktuara ka pasur bllokime.
Policia e Shtetit u bën thirrje drejtuesve të mjeteve që qarkullojnë në këto akse të përdorin zinxhirët në automjetet e tyre.
Në qarqet e tjera të vendit ka pasur reshje shiu me densitet të ulët dhe nuk ka pasur problematika për shkak të kushteve të motit.
Pritet të ketë një rritje të nivelit të ujërave në lumenjtë: Shkumbin, Ishëm, Erzen, Mat, Drin dhe Bunë. Informon top channel.
MPB ka njoftuar të gjitha prefekturat ku pritet të ketë probleme të shkaktuara nga kushtet të motit, që të marrin të gjitha masat për përballimin e situatave të mundshme që mund të krijohen.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/