Në intervistën e tij për “Studio e hapur” të Eni Vasilit, në TV “News 24”, Ilir Meta demonstroi nervozizëm dhe pakënaqësi ndaj disa deklaratave të ambasadorit amerikan në Tiranë Donald Lu.
Sipas Metës, “nuk është ora e dorës, tregues i standardit të korrupsionit”.
Më herët ambasadori Lu, kishte deklaruar në një takim me gjyqtarët se “shihni orën e dorës tuaj, në se ajo është më e shtrenjtë se makina ime, jeni të korruptuar”.
Duket Ilir Metës, nuk i ka pëlqyer kjo deklaratë, ndërsa tregoi se vetë mban në dorë një orë “Swatch”, relativisht e shtrenjtë.
Pakënaqësia e Ilir Metës u duk edhe kur ndërsa Eni Vasili “i kujtoi” një deklarim të ambasadorit Lu, sipas së cilës “flet për ministra deputetë, gjyqtarë e prokurorë të korruptuar. Pse e di ai që ka ministra, gjykatës dhe prokurorë dhe ju e Rama nuk e dini?”.
Dhe reagimi nervoz i Ilir Metës ishte edhe një “këshillë” për ambasadorin Lu i cili sipas Metës, duhet ti adresohet prokurorisë.
“Ju për këtë çështje duhet të pyesni ambasadorin. Qëndrimi im është ky, cilindo që ka fakte, prova, evidenca për çdo qytetar për korrupsion duhet t’ja çojë drejtësisë, kryeministrit ose mua” u shpreh midis të tjerave Ilir Meta.
Reforma në drejtësi. Reformë që ka armiqtë dhe miqtë e vetë. Nisem nga një shkrim i një kolegu. Darka e ambasadorit amerikan, i cili është shprehur se kjo reformë ka miqtë dhe armiqtë e vetë… Rama e do, Meta s’e do…
Nuk e marr dot përsipër të komentoj opinionet, shkrimet. Media është e lirë. Nuk mund të komentoj marrëdhëniet e ambasadorit me gazetarët. Nuk kam se si ta besoj sepse raportet e mia me ambasadorin e SHBA janë të shkëlqyera, parimore, transparente, bashkëpunuese që i shërbejnë reformave. Kemi pasur bashkëpunim të shkëlqyer edhe për dekriminalizimin. Kemi qenë të interesuar ta mbyllim këtë proces sa më shpejt. Kemi pasur dhe kemi bashkëpunim shumë të mirë edhe për reformën në drejtësi.
Pra, nuk e besoni se ambasadori është shprehur kështu?
Nuk kam se si ta besoj.
E do Meta reformën në drejtësi njësoj sa Rama?
Më shumë nga të gjithë. Vendi e ka shumë të nevojshme. Absolutisht që Ilir Meta dhe LSI jo vetëm që nuk kanë ndonjë shqetësim të madh nga reforma në drejtësi por as nuk kanë ndonjë synim për të kapur sistemin e drejtësisë. Ju e dini se Ilir Meta ka qenë edhe kryeministër. Ilir Meta është akuzuar dhe publikisht dhe Ilir Meta se ka pasur problem të ballafaqohet sepse në fund fare vlejnë faktet. LSI ka qenë për konsensusin dhe ka qenë i bindur se konsensusi do të vijë nga Venecia. Dhe Venecias nuk i ikën dot as doktori. Doktori kur erdhi çështja e kutive tha, ta çojnë në Venecia. Ta sjellë Venecia i hap unë. Sepse nuk mund ta bëj unë, sa herë të ketë zgjedhje të hap kutitë. Ata nuk e çuan në Venecia dhe kutitë nuk u hapën. Të gjithë janë me Venecian. Tani e kemi të zgjidhur reformën. Venecia ka vendosur trasenë dhe standardet e reformës.
Mbetemi te reforma në drejtësi, doja të dija mendimin tuaj në lidhje me artikulimin e ambasadorit Lu për politikanë e gjyqtarë të korruptuar… Sa ju kushton ora që keni në dorë?
Nuk mendoj që është ky standardi për të folur për reformën. Është ora më e mirë në botë për mua, se frekuentoj pishina e sauna është më e lira dhe më e pazëvendësueshmja. Por reforma është diçka më komplekse. E kam dëgjuar dhe pajtohem me disa shqetësime të tij…
S’ma thatë markën e orës…
Po deshe edhe ta fal po jam mësuar me të, është “Sëatch”… Mendoj që reforma në drejtësi kërkon transparencë dhe vizion, që duhet të vijë te studioja juaj… Këtu duhet të vijnë ekspertë ndërkombëtarë të opozitës dhe të mazhorancës. Reforma duhet të dalë në dritë, të gjithë janë dakord me Venecian, kryeministri, zoti Basha, doktori i pari fare, ne kemi qenë që në fillim. Problemi i parë është që duhet konsensusi, kërkon ndryshime kushtetuese. Duhet besimi që nuk do ikin disa gjyqtarë e prokurorë. Unë kurrë se mendoj që mund të vihet në diskutim integriteti i Xhezair Zaganjorit edhe pse nuk voton për LSI, se besoj kurrë që Bashkim Dedja merret me gjëra të tilla. Nuk do kemi vitin zero. Ne kemi një gjykatë Kushtetuese që ka treguar pavarësi të lavdërueshme edhe gjatë koalicionit të PD, ka dhënë vendime që nuk mund ti kenë pëlqyer qeverive. Jam për të vendosur standarde, kush i kalon të qëndrojë në sistem të tjerët të shikojnë punën e tyre, të merret me ta drejtësia. Reformën e garanton transparenca dhe standardet.
Çështja e 3/5 që sugjerohet ndryshe nga Venecia është diskutuar ndryshe edhe sot?
Duam s’duam ne reforma është e pandalshme, nuk ka diskutim që ka një vullnet të qartë politik për të bërë reformë. Të gjithë pranojnë po sipas Venecias, pse sepse është institucioni më i rëndësishëm në Europë për çështjet e ligjit dhe të drejtat e njeriut. Ka vlerësuar që duhet të jetë radikale reforma sepse po të mos kishte këtë bindje nuk do kishte qenë dakord me riformatimin e KLD. Po të mos kishte probleme KLD… Po të ishte situatë tjetër nuk e jepte Venecia këtë.
Në një deklarim zoti Lu flet për ministra deputetë, gjyqtarë e prokurorë të korruptuar. Pse e di ai që ka ministra, gjykatës dhe prokurorë dhe ju e Rama nuk e dini?
Ju për këtë çështje duhet të pyesni ambasadorin. Qëndrimi im është ky, cilindo që ka fakte, prova, evidenca për çdo qytetar për korrupsion duhet t’ja çojë drejtësisë, kryeministrit ose mua.
Zoti Meta çfarë do të ndodhë në pranverë?
Së pari unë them të mos e shtyjmë deri në pranverë reforma në drejtësi. Them ta afrojmë. Sa më shpejt por pa u nxituar. Sa më shpejt por me transparencë. Reforma duhet të vijë tek studioja juaj. Ne i japim mbështetje të plotë reformës së certifikuar sipas sugjerimeve të Venecias. Është çështje e padiskutueshme dhe e pa negociueshme.
Kush do të futet në burg në pranverë?
Ambasadori ka folur në parim. Pyesni ambasadorin. Kush ka shkelur ligjin duhet të ketë frikë.
Parashikohet një skenar serb?
Nuk flas me skenare, me paramendime. Ai që di diçka duhet ta bëjë publik që sot. Venecia do të sjellë riorganizim që do ta shkundë këtë sistem. Qytetarët të mos zvarriten, të mos paguajnë për drejtësi. Reforma bëhet për të dhënë atë sistem drejtësie që meriton populli shqiptar. Pastaj se kujt i prishen pushimet është çështje tjetër. Të ndëshkohen të gjithë zyrtarët, politikanët, qeveritarët, kush shkel ligjin. Por nuk bëhet reforma për këto çështje. Reforma në drejtësi bëhet për të zhvilluar ekonominë e këtij vendi. Problemi më i madh sa veta do të fusim në punë. Janë gati 80 mijë vetë që janë larguar nga vendi.
Keni besim se do arrihet konsensus?
Unë kam pasur gjithmonë besim dhe e kam shprehur. Siç kam pasur besim për dekriminalizimin. Jam i bindur se edhe reforma në drejtësi do të shkojë ashtu siç duhet.
Sa besim keni se ky ligj, do ta përmirësojnë sistemin dhe nuk do të jenë vetëm disa operacione estetike?
Besimi im si individ, si një qytetar por edhe si një politikan nuk ka të bëj thjesht me emrat. Ka të bëjë me riorganizimin e këtij sistemi, me shkundjen e këtij sistemi, por jo me zerimin e tij. Nuk mund të kthehemi edhe njëherë, siç ishte reforma e plepave, që në emër të anti-komunizmit u hoqën të gjithë gjyqtarët. Jemi në një stad ku e dimë se çfarë nuk funksionon, sistemi ka nevojë për një shkundje. Duhet një reformë e thellë, gjithëpërfshirëse.
Unë ndahem me çdo njeri që i shikon gjërat bardh e zi. Unë mendoj se ajo çfarë na duhet është vendosja e standardeve.
Si ndiheni për faktin që keni drejtuar një parlament të krimininalizuar?
Nuk më ka pëlqyer as kjo fjalë. Por ne bëmë një kompromis për rikthimin e PD në parlament, e pranuam për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Na erdhën dy drafte, një i njëanshëm nga PD dhe një nga qeveria më i plotësuar, por ne nuk mund ti pranonim, gjetëm konsensusin. Të them që jam ndjerë mirë, nuk e them dot. Të them që mbaron dekriminalizimi këtu nuk e them dot. Ne vërtetë kemi marrë masa, por gjuha që përdoret në parlament, nuk mund të themi që është një gjuhë e dekriminalizuar. Akuza e shpifje agresive, ndaj kam kërkuar grupeve parlamentare të miratojnë kodin e etikës.
Do përpiqeni ta kulturoni parlamentin?
Është një përgjegjësi e partive. Kreu i parlamentit nuk është ministër që mban përgjegjësi për ministrinë e tij. Kryetarët e partive dhe partitë vetë duhet të japin shembullin duke sjellë në parlament kualitete sa më përfaqësuese. LSI e angazhuar më së miri. Ne nuk kemi pasur probleme. Kemi kërkuar përgjegjësi nga kandidatët, duke i paralajmëruar se do të përjashtoheshin nga gara. Jemi pak të kujdesshëm me përfaqësimin me biznesmenë.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/