SITUATA/ Rrugë të rrëzuara, ura të prishura, qindra banorë evakuohen nga shtëpitë...

SITUATA/ Rrugë të rrëzuara, ura të prishura, qindra banorë evakuohen nga shtëpitë e përmbytura

94
0
Shares


Një shtëpi e përmbytur pas daljes nga shtrati të lumit Erzen, në fshatin Sukth i Ri, në Durrës, më 7 janar 2016. Si pasojë e reshjeve të shiut të rëna gjatë ditëve të fundit janë përmbytur shumë fshatra në të gjithë vendin. Foto: LSA / MALTON DIBRA



Disa qindra shqiptarë u evakuuan nga shtëpitë e tyre të përmbytura, përgjithësisht në Shqipërinë e mesme, pas shirave të furishme që nxorën lumenjtë nga shtrati duke shkaktuar rrëshqitje dherash dhe shembje në rrugët kombëtare.

Shirat e dendur të dy ditëve të fundit shkaktuan dëme të konsiderueshme në Shqipëri duke dëmtuar shtëpi, rrugë e ura në një zonë të gjerë nga jugu në veri, ku dëmet më të mëdha u shkaktuan në Shqipërinë e mesme. Moti u përmirësua gjatë orëve të fundit dhe niveli i reshjeve ra, ndërsa shqiptarët filluan të bëjnë llogaritë për dëmet e pësuara.
Drejtoria e Emergjencave Civile raportoi për disa raste kur autoriteteve iu desh të ndihmonin disa dhjetëra familje nga shtëpitë e përmbytura në Tiranë, Divjakë, Shijak dhe Lezhë.
“Në orët e paradites është çarë argjinatura e lumit Shkumbin, pranë fshatit Çermë dhe strukturat e emergjencave u kanë bërë thirrje banorëve të largohen nga banesat që preken nga përmbytjet”, thuhet në njoftim për shtyp të qarkulluar nga Ministria në mesditë.
“Në Bashkinë Rrogozhinë ka përmbytje si pasojë e daljes së lumit Shkumbin nga shtrati. Aktualisht janë marrë masat për evakuuimin e banorëve, në zonat më të prekura”,  shtoi ajo.
Në Tiranë, disa familje të përmbytura nga Lumi i Tiranës në zonën pranë Babrrusë, u dërguan për strehim të përkohshëm në palestrën e një shkolle. Një urë e vogël mbi Lumin e Tiranës e cila lidh zonën e ish-Uzinës “Dinamo” me Paskuqanin u dëmtua dhe policia urdhëroi ndalimin e qarkullimit të automjeteve.
Në fshatin Bërzhitë, në jug të Tiranës, një rrëshqitje dheu detyroi evakuimin e katër familjeve. Zona në fjalë është prekur në të shkuarën nga rrëshqitje masive dheu të shkaktuara nga mospërfundimi i punimeve në autostradën Tiranë-Elbasan.
Dëmet më të mëdha duket se u shkaktuan nga lumi Erzen në Shijak dhe në Sukth, ku rreth 80 familje u detyruan të largohen nga shtëpitë që u mbuluan nga disa centimetra ujë.
Sipas Ministrisë së Brendshme, në zonën e Mallkastrës ka pasur gjithashtu përmbytje, pas fryrjes së Lumit Seman që ka dalë nga shtrati.
Ndryshe nga Mallakastra situata paraqitet më e qetë në pjesën tjetër të qarkut Fier, ku Lumi Gjanica dhe Lumi Vjosa mbeten “brenda parametrave”, dhe prezencë uji është regjistruar vetëm në Njësinë Adminsitrative Mbrostar.
Situata është përmirësuar gjithashtu në qarkun Lezhë, pas përmbytjeve të ditës së djeshme në fshatin Pllane, njësia administrative Zejmen.
sukth, permbytje 1

Një shtëpi e përmbytur pas daljes nga shtrati të lumit Erzen, në fshatin Sukth i Ri, në Durrës, më 7 janar 2016. Si pasojë e reshjeve të shiut të rëna gjatë ditëve të fundit janë përmbytur shumë fshatra në të gjithë vendin. Foto: LSA / MALTON DIBRA

Sipas Ministrisë së Brendshme aksi rrugor Pllane – Zejmen – Lezhë kalohet me vështirësi nga automjetet e vogla për shkak të dherave, të cilat kanë rënë në rrugë nga prurjet e përroit.
Në fshatin Fushë-Kuqe të Bashkisë Laç ka pasur prezencë uji në sipërfaqe toke bujqësore si pasojë e reshjeve të rëna ditën e djeshme, por nuk raportohet për dëme materiale.
Nga prurjet e lumit Mat ka mbushje të liqenit të Shkopetit dhe për këtë arsye janë hapur portat dhe shkarkohet deri në 600 metër kub për sekondë nga hidrocentrali i Shkopetit, por sipas Ministrisë kjo ‘nuk krijon probleme.’
Në qarkun e Dibrës, ku të mërkurën rrezikua të çahej argjinatura e Lumit Drin gjendja është përmirësuar, pasi prurjet e lumit janë ulur dhe ai nuk paraqet më rrezikshmëri.
Në qarkun Shkodër ka pasur probleme me qarkullimin rrugor për shkak të shembjeve të pjesshme në aksin Fierzë – Fushë Arrëz në fshatin Mishka, si dhe bllokimit me inerte në aksin rrugor Pukë – Iballë.
Ndërkohë akset malore Qafë Thore-Bogë dhe Qafë Mali – Fierzë vazhdojnë të jenë të pakalueshëm për shkak të reshjeve të dëborës.
Probleme ka pasur dhe me qarkullimin rrugor në qarkun e Elbasanit. Si pasojë e rrëshqitjes së një masivi të madh dheu, aksi rrugor Elbasan – Librazhd në vendin e quajtur Xibrakë tek ish-magazinat e Rezervave të Shtetit, u bllokua për rreth 1 orë të enjten. Pas ndërhyrjes me mjete të rënda u hap njëri krah i rrugës dhe kalimi kryhet nën mbikëqyrjen e Policisë Rrugore.
Gjithashtu aksi rrugor Gramsh – Elbasan është i pakalueshëm për shkak të shembjes së urës në vendin e quajtur “Pompa e Çekinit.”  Edhe në fshatin Polis Valë, njësia administrative Shushicë e Bashkisë Elbasan është dëmtuar ura mbi përroin Gostimë për shkak të prurjeve të shumta të përroit.
Media sociale u mbush me raportimet e qytetarëve mbi shembjet e gurëve mbi rrugë apo mbi shembje të pjesshme të rrugëve.

Përmirësohet rezerva energjetike, probleme në transmetim
Edhe pse reshjet kanë shkaktuar probleme të shumta anembanë vendit ato kanë sjellë gjithashtu rritje në prurjet e lumenjëve, duke stabilizuar rezervën energjetike në kaskadën e Lumit Drin pas disa muajsh thatësire.
Rritja e prurjeve i ka dhënë mundësi Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare,KESH, të rrisë prodhimin e energjisë nëpërmjet agregateve të saj në hidrocentralet mbi Lumin Drin, duke e reduktuar ndjeshëm importin.
“Duke i trajtuar prurjet nëpërmjet ngarkimit maksimal të mundshëm të agregateve të vet dhe njëkohësisht duke redukutar me rreth 75 % importin e energjisë elektrike të kontraktuar për periudhën kohore 02-15 janar 2016, për t’i rimarrë në një kohë të përshtatshëm gjatë javëve në vijim”, tha KESH nëpërmjet një njoftimi për shtyp të mërkurën.
“Në kushtet aktuale me prurje të mëdha dhe pas reduktimit të importit, KESH po prodhon (me kapacitetet gjeneruese të HEC Koman dhe HEC Vau Dejës) për plotësimin e nevojave të konsumatorëve tariforë vendas dhe njëkohësisht për të optimizuar bilancin energjetik mes KESH dhe KEK në kuadër të marrëveshjes dypalëshe të shkëmbimit”, shtoi Korporata.
KESH gjithashtu njoftoi se përveç administrimit të riskut hidrologjik në kaskadën e Drinit, Korporata po administron dhe riskun hidrologjik që vjen nga HEC-et e vegjël, privatë dhe konçesionarë, të cilët kanë katërfishuar kapacitetin e prodhimit të energjisë elektrike brenda një harku kohor prej 24 orësh – nga 50 MW në mbi 200 MW.
sukth, permbytje 3

Një shtëpi e përmbytur pas daljes nga shtrati të lumit Erzen, në fshatin Sukth i Ri, në Durrës, më 7 janar 2016. Si pasojë e reshjeve të shiut të rëna gjatë ditëve të fundit janë përmbytur shumë fshatra në të gjithë vendin. Foto: LSA / MALTON DIBRA

Ndryshe nga KESH që ka regjistruar një përmirësim të situatës së prurjeve në hidrocentrale, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE, ka hasur në vështirësi në furnizimin e klientëve të saj për shkak të situatës emergjente të krijuar nga përmbytjet, ku disa zona vazhdojnë të mbeten pa energji elektrike.
“Nuk kemi situatë emergjente me përjashtim të zonave të përmbytura ku fiderat e stakuar janë për efekt sigurie, si pasojë e rrezikut nga prezenca e ujit pranë përmbytjes së kabinave në zonat e prekura nga dëmtimet e argjinaturës së Shkumbinit dhe dalja nga shtrati e lumit Erzen”, tha OSHEE nëpërmjet një njoftimi për shtyp të enjten.
Pikërisht në një nga këto zona në fshatin Dushk të Lushnjes, banorët kanë protestuar të mërkurën kundër mungesës së energjisë elektrike, pasi nuk furnizohen rregullisht që prej 1 janarit për shkak të defekteve në linjën e amortizuar të transmetimit.
Sipas OSHEE-së në terren ndodhen në gatishmëri 1800 punonjës të cilët po punojnë për riparimin e avarive të shfaqura në linjat e tensionit të mesëm dhe të ulët.
“Nga informacioni i orës 14.00 janë 30 fidera pa energji nga 1200 fidera që janë në total në rrjetin e shpërndarjes,” përfundoi kompania që numëron rreth 1 milion konsumatorë.

Autor: BIRN
BIRN
Tiranë

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY