Një 50-vjeçar është vënë në pranga nga Policia e Tiranës fillimisht për dhunë në familje, pasi kishte rrahur në mënyrë sistematike babanë e tij të moshuar. Më pas u zbulua se kishte rrahur edhe fqinjët e tij, babë e bir, në rrugën “Hoxha Tahsim”. Arsyeja e dhunës rezultoi të ishte përndjekja e vajzës 25-vjeçare të fqinjit, së cilës ai i kërkonte lidhje në mënyrë të vazhdueshme.
Burime zyrtare të Policisë së kryeqytetit thanë se shërbimet e Komisariatit nr. 1 arrestuan Edmond Vangjelin, pasi u denoncua për dhunë në familje nga i ati 82 vjeç. Gjatë deklarimeve të tij në Polici, i moshuari pretendoi se djali e rrihte në mënyrë sistematike, për shkak se i kishte kërkuar të mos e ngacmonte më vajzën e fqinjit.
Por historia e dhunës nuk mbyllet me kaq. Veç kallëzimit të babait të Vangjelit, shërbimet e Policisë kanë nisur verifikimet e deklarimeve të tij, duke pyetur fqinjët, shtetasit I. S., 50 vjeç, dhe djalin e tij, A. S., 24 vjeç. Këta jo vetëm që konfirmuan deklarimet e 82-vjeçarit, por bënë gjithashtu kallëzim për dhunën fizike që Edmond Vangjeli kishte ushtruar ndaj tyre. Tri kallëzimeve për dhunë fizike iu bashkëngjit edhe një denoncim i katërt, kësaj here për përndjekje. Vajza e fqinjit, 25-vjeçarja A. S., pasi u mor në pyetje nga Policia, tha se 50-vjeçari Vangjeli e përndiqte prej një viti dhe ajo i kishte treguar babait dhe vëllait të saj për këtë situatë.
Duke dashur të mos e çojnë çështjen në Polici, meqenëse ishin komshinj, ata ia kishin treguar problemin babait të autorit, duke i kërkuar që të fliste me të birin, në mënyrë që të mos e ngacmonte më vajzën.
Megjithatë përndjekja, me kërcënime për t’u lidhur, mesazhe e telefonata shqetësuese ndaj vajzës, jo vetëm që kishte vazhduar, por autori ishte “hakmarrë” edhe ndaj të atit të moshuar, duke e rrahur për disa ditë me radhë.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/