Rimbursimi i tvsh për bizneset ka shënuar rënie në janar- nëntor 2015 ndaj të njëjtës periudhë të një viti më pare. Sipas statistikave fiskale të Ministrisë së Financave tvsh e rimbursuar në vlera e neto arriti në 6.5 miliardë lekë nga 7.2 miliardë që ishte më 2014.
Në fund të 11 mujorit tvsh e rimbursuar ndaj biznesit ishte 9.3% më pak. Duke ju referuar ecurisë vjetore , rimbursimi ka shfaqur ecuri më të mirë në pjesën e parë të vitit e nxitur zgjedhjet lokale ku qeveria rriti intensitetin e shlyerjes së faturave.
Në shtator të këtij viti Kuvendi miratoi një ligj të propozuar nga deputetet socialistë, Erion Braçe dhe Ervin Koçi, i cili i jep të drejtën bizneseve që të mos paguajë tatimet nëse tvsh nuk rimbursohet sipas afateve të përcaktuara në ligj, por duket se kjo nuk i ka dhënë një një nxitje më të madhe procesit.
Ligji parashikon ngritjen e një drejtorie të posaçme në Drejtorinë e Përgjithshme, e cila do të ketë tagrin për të miratuar rimbursimin e tvsh-së. Kështu vendimi nuk merret më nga drejtoritë e taksave në rrethe, por qendërzohet me qëllim shmangien e abuzimet dhe interpretimet.
Ligji thotë se nëse personat e tatueshëm, të regjistruar për tvsh-në, rezultojnë me tepricë kreditore dhe paraqesin pranë Drejtorisë së rimbursimit të tvsh-së në DPT kërkesën për rimbursimin e tvsh-së së paguar tepër, brenda 60 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës së tatimpaguesit dhe brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes se kërkesës së tatimpaguesve eksportues, tatimet verifikojnë situatën tatimore të tatimpaguesit.
Pagesa e tepricës kreditore të rimbursueshme kryhet brenda pese ditëve, nëpërmjet sistemit të thesarit, në baze të rregullave të përcaktuara në udhëzimin e Ministrit te Financave. Në rast të kundërt, personit të tatueshëm i lind e drejta e mospagesës së detyrimeve të tjera tatimore në masën e tvsh-së së pretenduar për rimbursim.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/