A ka një mision Lulzim Basha

A ka një mision Lulzim Basha

89
0
Shares

Nga
Namir Lapardhaja

Përditë e më shumë shtohet kori i pesimistëve në këtë vend, ndërsa shprehja “këtij populli mirë t’i bëhet” është kthyer në modë aq sa nga intesiteti i përdorimit e kemi harruar se brenda kësaj “mirë t’ju bëhet” qëndrojmë edhe vetë ne.

Që shqiptarët në masë e kanë humbur besueshmërinë tek politika, kjo nuk është e re.

Herë me të drejtë e herë e ekzagjeruar, përfshirja në togfjalshin “të gjithë janë njëlloj” duket se nuk lë vend për interpretim, ndërsa justifikimi shoqërohet me njëqind pikëpyetje, tek disa prej të cilave ajo që ngelet është vetëm ngritja e supeve dhe mrrolia e fytyrës.

Pesimistët, ndofta me të drejtë, nuk shohin, tanimë, bardh e zi në këtë realitet, por vetëm zi, i cili bëhet përditë zi e më zi.

Edhe pas gjithë kësaj, gjithsesi, shqiptarët duket sikur jetojnë të lumtur me “ushqimin” e përditshëm mediatik, i cili gatuhet me mjaft kujdes në paradhomën propagandistikekryeministrore.

Të reaguarit ka të bëjë me kulturën e një populli dhe sa më i avashtë të jetë ky proces, aq më me dyshim mund ta trajtosh nivelin e tij kulturor.

Investimi në forca të reja politike ose besimi tek shoqëria civile kanë treguar në këto 25 vjet që janë joproduktive.

Të gjitha
nismat e reja politike, me ndonjë përjashtim të vogël, kanë përfunduar në dështim total ose me kthim në vendin e origjinës, partinë mëmë.

Ndërsa
shoqëria civile shpeshherë ka treguar se vetëm civile nuk është dhe se vetëm me interesin e përgjithshëm publik nuk ka aspak të bëjë, gjë që i përjashton edhe ata automatikisht nga të qenurit alternativë dhe nga mundësia e të dhënit ngjyra këtij realiteti të pangjyrë, që përshkruam më sipër.

Në këtë kuptim, e vetmja shpresë dhe valvul shkarkimi i pakënaqësisë popullore ngelet opozita e drejtuar nga
Partia Demokratike dhe më konkretisht nga
Lulzim Basha.

Një vit e gjysmë para zgjedhjeve të përgjithshme politike kjo është sfida dhe misioni i tij: rikthimi i besimit të shqiptarëve tek Partia që ai drejton.

Ka gjithë kohën në dispozicion për të lexuar popullin në çdo shkronjë, ka eksperiencën e nevojshme për të parë mes rreshtave, pjekurinë e duhur për të mos i lënë shqiptarët të jenë thjesht spektatorë të një teatri absurd, por t’i shndërrojë ata në protagonist, ku, së bashku me ekipin që ka ndërtuar, pothuajse, sipas filozofisë së tij, të shkojë, të ulet e t’i dëgjojë për çdo hallin e tyre.

Deri më sot ka dhënë shenja serioze se i përket një filozofie dhe mendësie të bërit ndryshe të politikës, por dhe kaq duket se nuk mjafton.

Lulzim Basha ka treguar e po tregon në vazhdimësi se është i aftë të shkëputet nga gjithë trashëgimia negative e politikës shqiptare, e cila e ka mbërthyer politikën nga të gjitha anët.

Duhet ta bëjë këtë edhe për faktin se nuk ka asnjë spirancë të hedhur tek e kaluara, as si individ, as si trashëgimi, as si kulturë, për shkak të formimit dhe formësimit të tij perëndimor.

Ai ka treguar se i ka shpëtuar demoralizimit që t’i pret krahët dhe që i ndodh çdo shqiptari të ardhur nga Perëndimi, duke i shpëtuar inercisë së turmës dhe populizmit, që nuk i kanë sjellë asnjë të mirë këtij vendi përveç anarkisë së vlerave dhe dëbimit të kontributit të domosdoshëm të intelektualëve dhe ekspertëve.

Basha gradualisht dhe në mënyrë të vazhdueshme po dhe duhet të tregojë se rendi i vlerave po dhe duhet të fillojë në shtëpinë e tij politike, çka do të shtrihet në mënyrë tangente nesër në qeverisjen e vendit.

Pas fitores së tij të madhe me
dekriminalizimin, ai duhet dhe do të kërkojë deinjorantizimin e administratës shtetërore, duke e kthyer atë në kauzë sot dhe duke e fituar atë nesër.

Ka paralajmëruar një aksion të gjerë dhe të madh, që do të nis në këtë fillimviti e do të vijojë edhe më tej. Ngelet për t’u parë. Shqiptarët janë të lodhur nga fjalët. Ata duan të shohin veprime konkrete.

Së pari, të shohin të konkretizuar edhe më tej atë që Basha thotë shpesh se modeli i tij i të bërit politikë është ndryshe nga ai i mëparshmi.

Dhe nëse është kështu, pse jo, ata shumë shpejt mund të shohin tek modeli i Lulzim Bashës një alternativë të besueshme, e cila nuk e sheh rikthimin në pushtet si një mundësi të artë (ri)shpërdorimi, por si një mision, që e kërkon çasti, momenti, koha.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY