Leksionin e sotëm të Edi Ramës për territorin, PD e ka cilësuar hapjen e rrugës për një tjetër pazar të tij të madh.
Në një deklaratë për shtyp, PD ka bërë të ditur se, “shkatërruesi i Tiranës për 11 vite, ai që mbolli pallate duke ndjekur 20 përqindëshin e duke nëpërkëmbur qytetarin, ai që kur Tirana më në fund u bë me plan zhvillimi e bllokoi atë, ai që i mohoi qytetarëve mijëra vende pune duke ndalur investimet strategjike dhe historike në kryeqytet, Edi Rama, ka sot kurajën dhe fytyrën të dalë e të mbajë leksione për territorin.
Njeriu që gëzon sipas institucioneve ndërkombëtare, 200 milionë euro ryshfete pallatesh, ky që lejoi ndërtuesin e tij personal të kafshojë Parkun e Tiranës, ky që lejon Kokëdhimën të zaptojë bregdetin, ky që i jep Besos së tij nëntokën e Parkut Rinia; ky që bekon ndërtimin pa leje të zonës muzeale të Tiranës nga Xhillari i tij, ky që ka planifikuar tenderin tjetër korruptiv për tjetërsimin e Stadiumit Kombëtar me klientët e tij, ky që ka shtrirë tentakulat e interesave të tij personale e financiare në çdo tokë e truall me anë të firmave dhe studiove të tij, del sot e propagandon për zhvillimin e territorit”.
Duke ripërsëritur qëndrimin, sipas të cilit Edi Rama nuk mbajti kurrë përgjegjësi për krimet në territor, PD, e akuzoi kryeministrin se po fsheh një pazar tjetër të madh me të ashtuquajturin plan të zhvillimit të territorit
“Edi Rama e ktheu bashkinë në laborator të kalkulimeve politike personale e financiare, në lavatriçe të larjes së parave të krimit të organizuar dhe bandave të lidhura me të. Ai nuk mbajti kurrë përgjegjësi për krimet në territor e në mjedis duke korruptuar e blerë Strakoshat e tij në Gjyqësor e prokurori.
Teksa del e predikon të kundërtën e saj që ka bërë vetë që ditën e parë në pushtet, Edi Rama me shfaqjen e radhës po fsheh një pazar tjetër të madh me të ashtuquajturin plan të zhvillimit të territorit{, përfundon deklarata e PD.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/