Publikimi prej gazetarit Artan Hoxha i përgjimeve telefonike nga prokuroria të një biznesmeni që bisedon për afera me politikanë të njohur ka ngjallur reagime të shumta në qarqet e juristëve dhe vëzhguesve të jetës politike.
Ata pohojnë që pak rëndësi se si kanë dalë dokumentat nga institucioni dhe kanë rënë në duar të gazetarit, por është për të ardhur keq që prokuroria herë ka mbyllur hetimet, herë i ka hapur ato, duke treguar pasiguri dhe mungesë profesionalizmi.
Analisti Lutfi Dervishi thotë se media tradicionale vendase ka fshehur kokën si struci, duke shpresuar që skandali do të mbyllet me heshtje, ndërsa institucionet e drejtësisë dhe prokuroria nuk japin asnjë shpjegim, duke nevojën urgjente që ato kanë për t’u reformuar thelbësisht.
“Në historinë e zbulimit të skandaleve dhe ngjarjeve të rënda zakonisht ato kalojnë nëpër tre faza: faza e parë është faza shpjeguese, pra, që dikush duhet të japë shpjegime. Në këtë rast janë persona të prekur dhe ata të përmendur edhe nga ana e drejtësisë. Faza e dytë është faza e hetimit dhe faza e tretë është faza e përgjegjësisë. është shqetësues dhe alarmues fakti që ne ende nuk jemi as në fazën e parë. Elementi i dytë ka të bëjë me median. Media tradicionale ka braktisur dhe është instrumentalizuar për interesa të caktuara dhe harron interesin publik. Në këtë rast kemi një ngjarje me interes publik dhe interesant për publikun dhe megjithatë mediat nuk e ndoqën” – tha zoti Dervishi.
Sipas tij, ky skandal i publikuar nga kolegu Hoxha është një këmbanë alarmi, që bie pikërisht tani kur të gjithë po flasin për reformën në drejtësi.
Juristi Sokol Hazizaj thotë që formalisht prokuroria ka gabuar që nuk asgjësoi dokumentat e atij përgjimi të mbyllur.
Sipas tij, është përgjegjësi e prokurorisë edhe rihapja e çështjes në këtë formë pas disa vitesh në media.
“Se sa serioz ka qenë hetimi i asaj kohe përsëri mendoj se për shkak të fakteve të reja, për shkak të provave të reja, për shkak të një diskutimi pas kaq vitesh mbi provat e asaj kohe – me të cilat proceduralisht nuk ëhstë vepruar korrekt, mund të ketë mangësi. Këto janë detyrime ligjore proceduriale të organit të hetimit. Prokuroria ka vërtetuar në rastin konkret për shkak të mosrespektimit të mosrespektimit të akteve proceduriale, se ka vepruar në kundërshtim me ligjin” – tha zoti Hazizaj.
Ai thotë se prokuroria nuk ka nisur hetime kryesisht mbi të dhënat e përgjimit, duke pushuar hetimet, tregon se aty nuk ka patur fakte bindëse pëe veprimtari të paligjshme.
Por edhe rikthimi pas kaq vitesh i të dhënave nga një hetim i pushuar nga prokuroria nuk është as ligjor dhe as serioz.
Ndërsa analisti Afrim Krasniqi thotë se edhe kjo ngjarje tregoi se elita politike e vendit është tërësisht e korruptuar dhe se ajo ka krijuar një standart të mos-ndëshkimit të korrupsionit.
Zoti Krasniqi thotë se ekziston një “shërbim nderesh” midis prokurorisë, gjyqësorit dhe politikës, duke mbuluar shkeljet e njëri tjetrit.
“Në rastin konkret, më shumë se sa debati mbi gazetarin apo mbi detajet e materialit, do të duhet të kishim një reagim zyrtar të institucioneve përgjegjëse. Ky reagim ende mungon dhe dhe është një zhgënjim i madh, që Shqipëria pas 25 vjetësh nuk ka ende një organ akuze, i cili rasteve të tilla që përbëjnë skandale të mëdha në çdo vend demokratik, nuk i jep një përgjigje ligjore” – tha zoti Krasniqi.
Analistët komentuan si paradoksale edhe sjelljen e medias vendase ndaj skandalit të zbuluar në rastin e këtij përgjimi nga prokuroria.
Ata pohuan se shtypi në Shqipëri bën shërbime politike dhe nuk informon realisht qytetarët, ja pse gazetat nuk e trajtuan pothuajse fare temën e këtij problematik.
Studiuesit shpresojnë se skandali mbi përgjimin e biznesmenit mund të ndikojë pozitivisht në përpjekjet për reformimin e sistemit të drejtësisë, gjykatave dhe prokurorisë.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/