Rezultatet e vrojtimit të aktivitetit kreditues të tremujorit katërt të vitit 2015 treguan për një lehtësim të standardeve të kreditimit të bizneseve dhe për një vijim të prirjes lehtësuese të standardeve të kredisë dhënë individëve, sipas Bankës së Shqipërisë. Zhvillimet pozitive në kredinë dhënë bizneseve u shënuan kryesisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Ndërkohë, për konsumatorët bankat vijuan të lehtësojnë standardet si kredinë për blerje banese, ashtu edhe për kredinë konsumatore.
Faktorët kryesorë që ndikuan në lehtësimin e standardeve të bankave si për kredinë dhënë bizneseve, ashtu edhe për kredinë dhënë individëve, rezultuan: konkurrenca në sistemin bankar, vendimet e Bankës së Shqipërisë, niveli i likuiditetit të bankave dhe zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme.
Bankat zbatuan një politikë lehtësuese kreditimi kryesisht nëpërmjet termave dhe kushteve që lidhen me çmimin e kredisë, si për bizneset, ashtu edhe për individët. Më konkretisht, bankat raportuan për ngushtim të marzhit mesatar dhe për ulje të komisioneve në tremujorin e katërt.
Kërkesa e bizneseve dhe e individëve për kredi u rrit gjatë tremujorit të katërt të vitit 2015, sipas raportimeve të ekspertëve të bankave.
Përsa i takon kërkesës së bizneseve, ajo u nxit kryesisht nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Ndërkohë, kërkesa e individëve shfaqi rritje më të lartë për kredinë për blerje banese dhe dinamikë më të ngadaltë zgjerimi për kredinë konsumatore.monitor.al
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/