Skema e rindërtuar grafikisht e vrasjes së Gazmend Çollakut
Prokuroria e Krimeve të Rënda i ka drejtuar hetimet për pengmarrjen dhe më pas vrasjen e Gazmend Çollakut, në një pistë tërësisht të re, atë të gjobëvënies. Në krye të herës, u ngritën dyshime të forta se vrasja e Çollakut mund të kishte lidhje me vrasjen e dy të rinjve te “Torra” në Durrës, afro dy muaj më parë, apo dhe me përfshirjen e tij në një rrjet të trafikut të drogës. Por së fundmi, ka dyshime se vrasja ka për motiv një gjobë që kap shifrën e të paktën 800 mijë eurove vënë ndaj një biznesi në qytetin bregdetar.
Nga verifikimet e deritanishme, nuk është direkt Çollaku ai që i ka vënë gjobë një biznesmeni të njohur në Durrës, por një tjetër grup kriminal që vepron në këtë fushë. Për shkak të njohjes me biznesmenin nga njëra anë, por edhe me gjobëvënësit nga ana tjetër, Gazmend Çollaku dyshohet të ketë hyrë garant mes palëve. Me sa duket gjërat nuk kanë ecur si duhet dhe për shkak se shuma prej 800 mijë eurosh nuk është dorëzuar në kohë dhe në vendin e përcaktuar, dyshohet që grupi kriminal që kishte vënë gjobën, është hakmarrë duke marrë peng e më pas ekzekutuar në mënyrë makabre Çollakun.
Prokuroria për Krime të Rënda ka identifikuar pronarin e subjektit që i është vënë gjobë dhe pritet ta marrë në pyetje. Gjithashtu, është ende e paqartë mënyra se si Gazmend Çollaku ka rënë në dijeni të vendosjes së gjobës së majme.
Pengmarrja
Gazmend Çollaku u mor peng në mes të Durrësit nga katër persona, që mbanin uniforma të ngjashme me të policisë. Pengmarrësit udhëtonin me një makinë “Audi” me targa gjermane. Policia e ndoqi mjetin deri në Marikaj, por më pas humbi gjurmët. Gazmend Çollaku u gjet disa orë më vonë, i vrarë dhe i hedhur anë rrugës në fshatin Murqin Krujë.
Viktima ishte i lidhur këmbë e duar dhe pasi ishte keqtrajtuar, ishte qëlluar me disa plumba në kokë. Mënyra se si është ekzekutuar, fakti që u gjet i lidhur në këmbë e duar, për hetuesit është një mesazh i fortë që vrasësit kanë dashur të dërgojnë.
Ndërkaq, ka dyshime të forta se Gazmend Çollaku, i cili lëvizte me një makinë të blinduar, mund të jetë “marrë në pyetje” nga vrasësit, përpara se të ekzekutohej me katër plumba në kokë. Këto dyshime kanë lindur pasi Çollaku rezulton të jetë keqtrajtuar, madje i janë thyer këmbë e duar përpara se të qëllohej me plumba. Me sa duket, autorët kanë dashur të mësojnë prej tij të dhëna që mund t’u shërbenin për të arritur qëllimet e tyre kriminale. Këto dyshime bëhen edhe më të forta, tashmë që në dritë ka dalë një pistë e re në të cilën janë përqendruar hetimet
(“Gazeta Shqiptare”)
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/