Bizneset, pesimiste për rritjen ekonomike

Bizneset, pesimiste për rritjen ekonomike

77
0
Shares

Çdo dështim i mundshëm i ekonomisë këtë vit për t’u rritur mbi 3% është i justifikuar. Në pritshmëritë e sipërmarrjeve private në vend, pikëpyetjet janë më të shumta se kurrë ndonjëherë tjetër. Mbarëvajtja e industrisë nxjerrëse do të varet nga çmimet në tregun botëror. Tregtia me pakicë, industria ushqimore, shërbimet, industria e riciklimit e shumë sektorë të tjerë i kanë varur shpresat te lufta deri në fund e informalitetit. Tek-tuk, optimizmi nuk mungon, por më shumë se asnjëherë më parë janë shtuar të panjohurat e “ushtrimit” ekonomik, si në kahun e zhvillimeve të brendshme edhe në atë të ecurisë botërore. Në fillim të 2015-s, sipërmarrjet i kishin më të qarta idetë me çfarë do të përballeshin.

Fasoni, luftë për mbijetesë

Prodhuesit e veshjeve e këpucëve duken të lodhur nga barra e krizës ndër vite.

“2016-n nuk e presim mirë”, thotë Flamur Hoxha, sipërmarrës i kompanisë Kler. Sipas tij, “dy-tre vitet e fundit, mbarëvajtja e punës ka qenë më mirë nga ç’pritej. Pritshmëritë kanë qenë të ulëta pasi në këto vite sipërmarrjet nuk kanë investuar në teknologji. Z. Hoxha thekson se këtë vit, industria ka arritur në “maksimumin e lodhjes”. Pas tre vitesh qëndrimi në vend, sipas tij, “nuk do të jemi konkurrues për 2016-2017. I gjithë sektori është i plogësht. Nuk kemi kërkuar rritje çmimi te klientët, nuk e kemi rritur produktivitetin, ndërsa kemi pasur rritje të kostove”.

E lodhur nga kriza duket edhe sipërmarrësja Lindita Legisi, e cila thekson se “për momentin nuk kemi dëshirë për t’u rritur”. Përpjekjet, sipas saj, do të fokusohen tek ruajtja e të njëjtit nivel aktiviteti krahasuar me 2015-n. Mes problemeve të shumta të sektorit, ajo thekson oraret në dogana. Pavarësisht se fasonit iu premtua se do të punohej pa orar, ato vijojnë të kenë vonesa në kufi si në hyrje edhe në dalje të mallrave jashtë.

Sipas administratorëve në industrinë e veshjeve dhe këpucëve, gjatë këtij viti, do të reflektojnë negativisht në këtë sektor, si kushtet e brendshme të të bërit biznes, edhe faktorët e jashtëm. Flamur Hoxha thotë se “kemi presion në rritje për të punuar në ato kushte që kemi pasur para shumë vitesh nga klientët e huaj”.

Intervistë me Drejtorin Ekzekutiv të AlbChrome, z. Luan Saliaj

Optimizëm për industrinë e kromit

Si e mbyllët vitin 2015? Në planet tuaja, viti ishte ambicioz, por pati shumë probleme me uljen e çmimit të mineraleve në botë?

Viti që lamë pas mund të cilësohet i suksesshëm për AlbChrome. Objektivat e vëna u arritën më së miri, madje edhe u tejkaluan në disa aspekte. AlbChrome arriti të përmbushë objektivat e prodhimit të kromit, si dhe të shitjes së ferrokromit. Prodhimi i kromit gjatë 2015-s pati rritje me rreth 10% krahasuar me vitin 2014 apo një rritje me rreth 45% krahasuar me vitin 2013. Në të njëjtën kohë, prodhimi i ferrokromit pati një rritje të konsiderueshme krahasuar me vitin 2014 (rreth 30% më shumë). Në të njëjtën kohë, shitjet (eksportet) në sasi patën një rritje të konsiderueshme me rreth 30% krahasuar me vitin 2014 apo me rreth 70% krahasuar me vitin 2013.

Një risi tjetër në AlbChrome gjatë 2015-s është rritja e ndjeshme e cilësisë së ferrokromit. Në muajin gusht, Metalbulletin, revista lider për klasifikimin e metaleve, për herë të parë e radhiti AlbChrome në kategorinë e 5 prodhuesve të ferrokromit me cilësinë më të lartë në bote siç janë Vargon Alloy, Suedi dhe Kazkrom.

Përmendim edhe implementimin e ndryshimeve të planifikuara në ndryshim teknologjie (siç ishte implementimi i teknologjisë dopio-nivel në UFK Elbasan) si dhe vijimi i investimeve në projekte, të cilat sigurojnë një të ardhme të mirë. Hapja e thellësisë mbetet projekti më i rëndësishëm dhe gjatë 2015-s u arrit të përfundojë me sukses një pjesë e mirë e këtij projekti.

Po pritshmëritë tuaja për këtë vit cilat janë? Planet tuaja për investime e prodhim?

Me gjithë vështirësitë e mëdha të tregut të ferrokromit (bazuar në rënien e ekonomisë kineze dhe tregut të metaleve në përgjithësi), AlbChrome parashikon një rritje të shitjeve me 10% krahasuar me vitin 2015. Për sa i përket prodhimit të ferrokromit, pritet të ketë një rritje me 15%. Kjo në sajë të investimeve në rritjen e kapaciteteve në Uzinën e Ferrokromit në Elbasan. Prodhimi i kromit pritet të rritet gjithashtu me 10% krahasuar me vitin 2015.

Pas një konsolidimi gjatë vitit të kaluar, 2016 pritet të jetë i suksesshëm në fushën e investimeve. Kështu, do të përfundojë projekti i hapjes së thellësisë, pusi numër 09. Një hap shumë i rëndësishëm në zgjatjen e jetës të minierës dhe në të njëjtën kohë në rritjen e prodhimit të kromit. Gjithashtu, në 2016-n pritet të fillojnë punimet në instalimin e një furre të re në Uzinën e Ferrokromit Burrel, çka do të rrisë ndjeshëm prodhimin e ferrokromit në këtë njësi prodhimi.

Cilat mbeten për ju sfidat e brendshme dhe të jashtme të sektorit?

Sfidë mbetet rënia e çmimit të ferrokromit, e cila pritet të vijojë edhe gjatë vitit 2016. Faktorë të tjerë të jashtëm, të cilët kërkojnë vëmendje, mbeten luhatjet në furnizimin me energji elektrike dhe lëndë të parë në përpunimin e ferrokromit (koks apo kuarc).

Faktorë të brendshëm mbeten vështirësia për të gjetur staf teknik të kualifikuar në fushat art minerar por edhe në metalurgji, megjithëse AlbChrome prej 2 vitesh po investon edhe në këtë aspekt.

Tregtia me pakicë

Më shumë se rritje, presim ristrukturim

Intervistë me Julian Manen, zv.president i menaxhimit të tregtisë me pakicë dhe pasurive të paluajtshme, grupi Balfin

Si e parashikoni tregun e shitjeve me pakicë, qendrat tregtare, veshje, elektronikë, ushqimore etj., në 2016-n krahasuar me 2015-n. Cili pritet të jetë trendi në këta sektorë?

Tregun në përgjithësi e shoh me një rritje të vogël për vitin tjetër. Pra, një trend rritjeje normal që ndodh nga viti në vit. Në disa sektorë të veçantë si elektronika mund të ketë rritje pak më të madhe për shkak të sezonaliteteve. Kjo mund të ndodhë duke pasur parasysh faktin që Shqipëria do të marrë pjesë në Kampionatin Europian që mund të sjellë shitje më të mëdha televizorësh. Në sektorët e tjerë pritet një rritje e lehtë dhe nëse lufta ndaj informalitetit vazhdon me ritme të mira, do të kemi strukturim të tregut drejt rrjeteve të strukturuara dhe të organizuara. Kjo do të ishte pozitive për tregun në përgjithësi ndërsa edhe shteti mund të mbledhë më lehtë taksat. Ka përpjekje të shumë bizneseve të vogla për të konkurruar me mënyra inovative dhe kjo ka shtuar konkurrencën në treg, gjë që është pozitive për vetë tregun, pasi rrit konsumin duke ulur çmimet.

Qendrat tregtare dhe bizneset e strukturuara kanë rritje të klientelës dhe të të ardhurave, por për shkak të konkurrencës informale kanë fitime më të ulëta. Sigurisht, që volumi total i blerjeve mund të rritet nëse në treg do të ketë likuiditet si pasojë e financimeve të qeverisë apo atyre private të huaja. Kjo do të rriste tregun e brendshëm dhe rritja do të ishte e ndjeshme.

Cilat janë prirjet në tregun shqiptar? Ku po orientohen shqiptarët dhe a ka ndonjë gjë nga e cila po heqin dorë, apo e kanë reduktuar shumë nga shporta e tyre?

Vihet re një orientim i lehtë i konsumatorit drejt produkteve më cilësore, pavarësisht se çmimi mund të ketë një ndryshim të vogël. Ky është një trend normal që ndodh nga viti në vit dhe që është diçka pozitive për tregun në përgjithësi. Është e vërtetë që lufta ndaj informalitetit e filluar nga qeveria vitin e kaluar pati një ndikim të vogël në tkurrjen e tregut në muajt e parë, por në afatgjatë kjo është një reformë që duhet bërë. Duke filluar nga 2016-a, kjo do të ndikojë pozitivisht në treg. Për këtë arsye ka pasur një ulje të shpenzimeve të shqiptarëve për tre-katër muajt e fundit të 2015-s, gjë që pritet të ndryshojë gjatë 2016-s. Duke qenë se ekonomia jonë nuk është e bazuar mbi prodhimin, por kryesisht te remitancat dhe investimet shtetërore, rritja e konsumit do të varet shumë nga këta faktorë. Remitancat varen kryesisht nga ekonomitë rajonale që duhet të kenë një trend pozitiv të vogël për vitet në vazhdim, ndërsa për investimet nga buxheti i shtetit, rol do të luajë lufta ndaj informalitetit. Nëse rezulton e suksesshme do të ketë më shumë taksa të mbledhura dhe si rrjedhojë, edhe më tepër investime publike. Pra, më tepër sesa rritje në vetvete për vitin tjetër pritet një ristrukturim i tregut dhe kalim i të ardhurave nga “rruga” në njësitë e organizuara.

Industria e riciklimit

Në “dorë” të qeverisë

Sipas kreut të Shoqatës së Ricikluesve, Bardhyl Baltëza, “nuk është bërë asnjë hap përpara në 2015-n”. Industria e riciklimit dhe e paketimit, sipas tij, ka qëndruar në vendnumëro, ndërsa priste politika lehtësuese.

Planet e industrisë së riciklimit duken të zbehta për këtë vit. Baltëza, sipërmarrës i fabrikës së prodhimit të kartonit në Durrës, thotë se këtë vit do t’i kushtojë më shumë rëndësi paketimit për produktet bujqësore. Për këtë arsye, ai tregon se “do të hap një pikë tregtimi në Lushnjë për t’i shërbyer bujqësisë, ku do të punësohet 8 veta”.

Përtej investimeve modeste, planet e industrisë së riciklimit, varen shumë nga politikat e qeverisë. Vullnet Haka, administrator i Everest Ie, thotë se “pikëpyetja më e madhe për ne është nëse do të vazhdojë lufta antiinformalitet. Apo qeveria do ta lërë me kaq”. Sipas tij, luftimi i informalitetit mund të çojë në ristrukturim të biznesit dhe të përmirësim të konkurrencës. Por, ai sheh se, ata që kanë punuar në të zezë vijojnë të vazhdojnë në informalitetin e tyre. “Një pjesë e mirë e tregut e mbajnë faturën sa për “hipotekë” dhe pastaj blejnë pa faturë. Nëse do të vazhdohet kështu, nuk shoh perspektivë në rritje”. Sipërmarrësit e këtij sektori e shohin me shumë dyshim 2016-n. Drejtuesit e kompanisë së prodhimit të ambalazheve plastike fleksibël, thonë se kanë investuar vitin që lamë pas. “Brenda 2015-s kemi bërë 2 milionë euro investim, për të strukturuar produktet për tregun e brendshëm dhe të jashtëm”, thotë z. Haka, ndërsa thekson se duhet nxitje edhe nga jashtë kompanisë për të investuar. A ka mbështetje?! Aktualisht, industria e riciklimit po punon me kapacitet 30-40%. Ndaj, para se të bëjë investime të reja, thotë Haka, “industria duhet të shfrytëzojë këto që ka”. Sipas tij, qeveria jo vetëm nuk e ka liberalizuar, por e ka bllokuar importin e mbetjeve të riciklueshme, ndërsa lejon eksportin e tyre”

Ndaj, gjithçka për 2016-n e ka në dorë qeveria. “Nëse ajo kupton se ka pak shanse të tërheqë investime nga jashtë, një mundësi e mirë është nxitja e riinvestimeve brenda vendit. Nëse qeveria, përmes politikave ekonomike do të japë sinjale pozitive, ne do të jemi të gatshëm për të investuar”, thotë Vullnet Haka.

Bankers planifikon 65 milionë dollarë investime

Pavarësisht problemeve të hasura me tregun ndërkombëtar, por edhe me qeverinë shqiptare, Bankers Petroleum, ka bërë të ditur se do të investojë 65 milionë dollarë këtë vit. Burimi i investimeve sipas kompanisë, është siguruar nga të ardhurat e gjeneruara nga operacionet dhe burimet cash të kompanisë.

Aktiviteti i Bankers do të përqendrohet në vazhdimin e Programit të Metodave të Dyta për Prodhimin e Naftës, duke shpuar puse të reja në gjysmën e dytë të vitit dhe duke ruajtur nivelet aktuale të prodhimit. David French, president dhe shef ekzekutiv u shpreh se “ne kemi hartuar një strategji të përbashkët dhe program investimi të financuar plotësisht që rrit fleksibilitetin tonë operacional duke i dhënë njëkohësisht fuqi bilancit financiar të kompanisë.

Kompania ka hyrë në një marrëveshje eksporti të naftës për një vlerë prej 74.5% të Brentit: Ndërsa drejtuesit e kompanisë Bankers thonë se janë në diskutime për kontrata shitjeje në tregun vendas të një pjese të prodhimit të tij dhe pret që të ketë çmime të njëjta me ato të eksportit duke reduktuar kostot e transportit dhe të eksportit.

Sipas kompanisë, një total prej 25 milionë dollarësh i programit të investimeve do të alokohet në facilitete dhe infrastrukturë ku përfshihet optimizimi i puseve ekzistuese dhe disa përmirësime që synojnë uljen e kostove operative, rritjen e kapaciteteve trajtuese dhe menaxhimin e nevojave për trajtimin e ujit.

Viti i vështirë për prodhuesit e tjerë të naftës

Por, për shumë kompani të tjera të kërkimit e nxjerrjes së naftës, pritshmëritë për këtë vit janë pesimiste. Burime pranë këtyre kompanive bëjnë të ditur se, “në diskutimet për programin e punës që është bërë me institucionet shtetërore partnere, vendin më të rëndësishëm e zuri ecuria e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare, realitetet e reja që nivelet e tilla të ulëta kanë prodhuar në industrinë e naftës. Sipas tyre, kompanitë po bëjnë një prognozë të situatës dhe pritshmërive për të ardhmen e afërt e afatmesme, si dhe cilat janë masat që do të ndërmerren për të përballuar një situatë të tillë në prag kolapsi për të gjithë industrinë nxjerrëse.

Shoqëritë koncesionare të nxjerrjes së naftës, thonë se fokusi kryesor është përqendruar te minimizimi ekstrem i kostove. Janë bërë “ndërhyrje kirurgjikale” në të gjithë hapësirën e grafikut të kostos dhe në përfundim është arritur reduktimi i tyre në një nivel të pranueshëm (natyrisht me pasoja, të cilat kanë rënduar kryesisht pjesën e Burimeve Njerëzore dhe cilësisë së produktit të bërë gati për shitje).

Në bazë të marrëveshjes së arritur me institucionet shqiptare, kompania Transoilgroup, për vitin 2016, ka përgatitur dy skenarë në lidhje me programin e zhvillimit për këtë vit. Skenarët kanë si pikë reference çmimin e naftës në tregjet ndërkombëtare. Duke qenë se pika e barazimit të shpenzimeve me të ardhurat (duke përfshirë dhe shpenzimet kapitale dhe produktivitetin e puseve) arrihet kur çmimi i naftës është 6 dollarë për fuçi, atëherë skenarët e miratuar kanë një kufi ndarës – çmimin e fuçisë 60 dollarë.

Në skenarin kur çmimi i naftës do të jetë poshtë 60 dollarë për fuçi, (skenari pezullo) kompania nuk do të kryejë investimet e parashikuara për shpimin e 10 puseve të reja gjatë vitit 2016. Prodhimi do të qëndrojë në nivelet aktuale. Shpenzimet kapitale në këtë skenar do të jenë në rangun e 2 milionë dollarëve.

Ndërsa në rastin kur çmimi i naftës kthehet përsëri mbi 60 dollarë (skenari aktiv) kompania do të vazhdojë me shpimet e reja të puseve. Kusht për aktivizimin e këtij skenari është që çmimi i naftës të tregojë qëndrueshmëri në kuota mbi 60 dollarë për fuçi.

Shpenzimet kapitale në këtë skenar kapin shifrën e 22 milionë dollarëve për gjithë vitin fiskal (ose i ponderuar për pjesën e kohës së mbetur që nga momenti i aktivizimit të këtij skenari).

Në situatën aktuale, ku çmimi është poshtë nivelit 35 dollarë për fuçi, ku kompania operon me humbje financiare, humbjet do të mbulohen nga kontributet e aksionerëve.

Beralb

Bakri, nuk dihet kur rifillon.

Edhe pse në shtëpi, Nazmi Kumanova i përgjigjet interesit të “Monitor” për planet e biznesit këtë vit. Sipas administratorit të Beralb, kompania e vetme e bakrit që ndaloi aktivitetin në shtator, nuk parashikon ende një rifillim të punës. Sipas Kumanovës, çmimi aktual i mineralit të bakrit është 4600-4700 dollarë/ton. Ndërsa, çmimi që do të nxirrte në punë inxhinierët e minatorët e Beralb, duhet të jetë mbi 6500 dollarë për ton. Aktiviteti i kësaj kompanie pritet të ndikojë në një nivel të ulët eksportesh të mineraleve.

Fratari: Sektori i ndërtimit do të përmirësohet këtë vit, ja arsyet

Viti 2016 do të jetë pozitiv për sektorin e ndërtimit. Është e natyrshme që pas një periudhe të gjatë bllokimi të fillojë dhënia e lejeve të ndërtimit, tha Hajredin Fratari, ndërtues dhe njëkohësisht presidenti i Konfindustrisë Shqiptare. Sipas tij, Bashkia është e interesuar të rrisë arkëtimet, meqenëse ka pesëfishuar taksën e lejes, por kompanitë që e kanë të bazuar aktivitetin tyre në punët publike (kryesisht kompanitë e rrugëve) do të kenë ulje të aktivitetit për shkak të rënies së investimeve me fonde publike.

Kërkesa për këtë vit do të jetë e përqendruar për apartamentet e lira, kryesisht nga çiftet e reja. Kërkesa pritet të ketë nxitje edhe nga një plan i qeverisë për të dhënë 3800 kredi të buta.

Nga informacionet që kemi, kërkesa në këtë linjë të tregut do të jetë për rreth 5000 banesa me çmime të ulëta, thotë Fratari.

Ndërtimi do të mbështetet këtë vit në mënyrë të veçantë nga planet rregulluese, të cilat tashmë për shumë qytete, duke përfshirë edhe Tiranën, janë të miratuara, me përjashtim të planeve që mungojnë për disa komuna përreth Tiranës dhe që tani janë pjesë e bashkisë së madhe.

“Vetëm nga taksa që paguhet për marrjen e lejes futen në arkën e pushtetit lokal rreth 22 miliardë lekë të vjetra në vit”, pohoi presidenti i Konfindustrisë. Por ndryshe nga Tirana, sektori i ndërtimit në rrethe do të ketë ecuri të dobët, përveçse investimeve në zonat turistike, nëpërmjet fshatrave turistikë në bregdet dhe ka të ngjarë që të zhvillohet edhe ndërtimi i pistave të skive në zonat malore.

Biznes Albania, 2016-a më optimiste

Biznes Albania është më optimiste për vitin 2016. Dozat e shtuara të optimizmit janë injektuar që gjatë vitit të kaluar tek disa prej përfaqësuesve të shoqatës, nisur nga shlyerja e detyrimeve të prapambetura shtetërore ndaj tyre. Sipas presidentit të kësaj shoqate, Luan Bregasi, nga pikëpamja ekonomiko-financiare, që vitin e kaluar sipërmarrjet patën një situatë më të qëndrueshme krahasuar me krizën e përhapur në rajon. Në pritshmëritë pozitive të industrive të mëdha, vlerësohet të kenë ndikuar edhe masat e fundit për rimbursimin e TVSH-së. Ato që po u “gëzohen” rimbursimeve brenda afatit kanë riaktivizuar dëshirën për të investuar. Në këtë kategori, sipas Biznes Albania-s futen edhe sipërmarrjet e fasonit. Pjesë e pritshmërive më të mira këtë vit, sipas Biznes Albania-s është edhe pritja e qeverisë për një rritje mbi 3% të ekonomisë, çka ka rritur besimin që edhe mund të investohet. Pavarësisht se planet e biznesit po vlerësohen gjithnjë e me më shumë vështirësi nga bankat, një faktor lehtësues për sipërmarrjet e mëdha duket prirja e qeverisë për t’u financuar nga jashtë, duke u lënë hapësirë financimi sipërmarrjeve vendase.

Por, shpresa më e madhe e sipërmarrjeve të mëdha lidhet me formalizimin e ekonomisë. Duke filluar nga rrjetet e shitjes me pakicë deri te shërbimet, sipërmarrjet e organizuara e të deklaruara plotësisht janë shumë të interesuara që lufta ndaj informalitetit të shkojë deri në fund, pasi i vë ata në kushte të barabarta konkurrence. /Monitor/

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY