Duke marrë shkas nga pasqyrimet e fundit në media, Posta Shqiptare ka sqaruar sot nëpërmjet një njoftimi zyrtar, akuzat e hedhura ndaj saj, prej ministrisë së Financave, pas dështimit të lotarisë së kuponëve tatimorë.
Sipas Postës Shqiptare, mësohet se, “… mbi lotarinë e kuponit tatimor se i gjithë sistemi informatik për përzgjedhjen e fituesve është zhvilluar nga Ministria e Financave dhe po i njëjti institucion ka vendosur edhe rregullat dhe kushtet e lojës. Për sa i përket rolit të Postës Shqiptare në këtë proces, ajo ka përmbushur me mjaft përpikëri dhe korrektesë marrëveshjen dypalëshe duke vendosur në dispozicion informacionin e mbledhur mbi bazën e vetëdeklarimit të klientit për numrin e kuponëve tatimorë në copë dhe në vlerë. Në asnjë moment Posta Shqiptare nuk ka pasur të drejtën për të verifikuar apo për të ndërhyrë në përmbajtjen e zarfeve të pranuar në sportelet e saj”.
Në vijim të shpjegimit të rolit të saj, Posta Shqiptare sqaron më tej se, me dorëzimin e zarfeve detyrimi i saj ka mbaruar.
“Pas dorëzimit të zarfeve nga qytetarët, Posta ka vijuar me dorëzimin e tyre pranë Shtypshkronjës së Letrave me Vlerë duke përmbyllur këtu të gjitha detyrimet e saj në lidhje me këtë proces. Gjithashtu, kërkojmë të theksojmë se Posta Shqiptare nuk ka pasur asnjë përfaqësues të saj pjesëtar të komisionit përzgjedhës të fituesve të kësaj lotarie”.
Reagimi i Postës Shqiptare vjen pasi ministria e Financave, për dështimin e shorit të lotarisë së kuponëve, fajësoi pasaktësitë nga hedhja gabim në sistem e të dhënave nga punonjësit e Postës Shqiptare.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/