6 faktorët që pritet të ‘shkundin’ ekonominë globale në 2016-n

6 faktorët që pritet të ‘shkundin’ ekonominë globale në 2016-n

115
0
Shares

Anders Borg, ish-ministri suedez i Financave, jep perspektivën e tij se çfarë të presim nga viti ekonomik që kemi përpara, duke filluar nga reformat në Kinë e deri te kërcënimi Brexit.

2016 do të jetë një vit sfidues dhe i vështirë për ekonominë globale.

Rritja globale po rimëkëmbet disi pas disa vitesh ‘apatie’. Norma globale e rritjes së PBB-së prej 3.5%, parashikimi i fundit i FMN-së, është më e ulët se mesatarja prej 4.5% që parapriu dekadën përpara recesionit të madh, por është më e lartë se mesatarja gjatë pesë viteve të fundit.

Rimëkëmbja e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe janë të qëndrueshme, por më të dobëta se sa gjatë një periudhe normale pas krizës. Në Eurozonë, ende bëhet thirrje për një politikë ekspansioniste dhe priten hapa të mëtejshëm në mbështetje të rritjes. Si në SHBA edhe në Europë, nivelet e investimeve janë të ulëta, rritja e produktivitetit është shumë e dobët dhe sektori i eksportit po jep thjesht një kontribut të vogël në rimëkëmbje.

Në të njëjtën kohë rritja po ngadalësohet në Azi dhe tregtia botërore ka gjasa të rritet me një ritëm më të ngadaltë se PBB-ja. Kjo përfaqëson një rimëkëmbje pa një përmirësim të vërtetë në ciklin e biznesit, e kërcënuar nga një sërë faktorësh.

Një: viti i populizmit politik?

2016 mund të kthehet në një vit të ‘shënjuar’ nga populizmi politik. Aktiviteti i dobët ekonomik dhe rritja e ulët e produktivitetit nënkuptojnë se pagat reale dhe konsumi ka të ngjarë të vazhdojnë të jenë zhgënjyese. Kur realiteti nuk përputhet me pritshmëritë, shfrytëzohen ankesat. Donald Trump, Jeremy Corbyn, Aleksis Tsipras, Nigel Farage, Marine Le Pen, Bernie Sanders, Pablo Iglesias Turrión dhe shumë të tjerë po përfitojnë nga stanjacioni i standardeve të jetesës dhe rritja e pasigurisë ekonomike.

Ekzistojnë një sërë faktorësh të cilët po përforcojnë populizmin dhe pakënaqësinë. Siguria e punës po ‘minohet’ nga konkurrenca globale, dixhitalizimi dhe robotizimi. Shanset e reja për punë në të ardhmen kanë më shumë gjasa të jenë kontrata afatshkurtra, me kohë të pjesshme, vetëpunësimi pa përfitime të plota sociale dhe siguracione të plota të punës. Kategoria e punëtorëve të pasiguruar e ashtuquajtur ‘Uber’ është një realitet i ri për t’u trajtuar.

Kërkesat për arsimim, njohuri të ekspertëve dhe aftësi sociale janë intensifikuar dhe kanë rritur ‘kufirin’ për njerëzit që kërkojnë të hyjnë në tregun e punës. ‘Sindikalizmi’ është në tërheqje. Rritja e pasigurisë në tregjet e punës, zbehja e fuqisë në negocimin e sindikatave dhe produktiviteti i ulët po vendosin kufizime të ashpra ndaj negociatave për paga dhe pagave reale.

Në një periudhë kur ekonomitë më të përparuara shfaqin nevojën për qeveri të forta për të zbatuar reformat e gjera strukturore, votuesit favorizojnë masat që japin efekte të shpejta dhe kërkojnë për zgjidhje të thjeshta. Për të rifituar besimin politik, qeveritë duhet të rrisin pagat reale, të krijojnë shanset për më shumë vende pune dhe mirëqenie më të mirë. Kjo mund të ndodhë vetëm nëse rritja ekonomike rigjallërohet nga reformat që rrisin fleksibilitetin e tregut të punës dhe përmirësojnë klimën e biznesit.

Ekziston rreziku i qartë se frika e populizmit politik do të dëmtojë rrugën e ndërmarrë nga liderët për të trajtuar sfidat afatgjata dhe në këtë mënyrë do të krijojë një spirale negative vicioze ku zhgënjimi do të dobësojë më tej besimin te qeveritë.

Dy: pasiguria globale dhe kriza e refugjatëve

Zgjedhjet presidenciale të SHBA-së do të përfaqësojnë një ngjarje të madhe politike gjatë vitit 2016. Nga një perspektivë globale, çështja kryesore që shtrohet është nëse presidenti i ardhshëm do të jetë në gjendje të ‘ripozicionojë’ SHBA-në si forca globale për stabilitet pas letargjisë së qartë të administratës së Presidentit Obama. Një tjetër periudhë e Shteteve të Bashkuara që ‘çalon’ në politikën e saj të jashtme, kombinuar me ngurrimin për t’u angazhuar me forcat ushtarake në rajonet e vështira, do të krijojë probleme të thella të sigurisë.

Europa ka nevojë të rrisë aftësinë për t’u përballur me problemet e reja të sigurisë, edhe pse kjo nuk ka gjasa pa udhëheqjen e SHBA-së. Ngjarjet tragjike në Paris kanë krijuar momentin e duhur për formimin e një koalicioni SHBA, Francë, Mbretëri e Bashkuar dhe, papritmas, edhe Rusisë, së bashku për rezistencë ndaj ambicies së Shtetit Islamik (Daesh) në krijimin e një Kalifati.

Duket se SHBA dhe Europa duhet të jenë të gatshëm të veprojnë në mënyrë aktive kundër terrorizmit islamik ekstremist në Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut dhe Afganistanit në një periudhë afatmesme, si dhe afatgjatë. Lënia e zonave dhe rajoneve të mëdha nën kontrollin e Daesh, Boko Haram, Al-Shabaab apo talebanëve është një risk për sigurinë globale.

Krizat e refugjatëve në Europë do të jenë një faktor i rëndësishëm gjatë 2016-ës. Vlerësimet e OKB-së tregojnë se mbi një milion njerëz kanë hyrë në Europë me qëllim për të pretenduar azil gjatë vitit 2015. Në nivel global, UNHCR-ja ka deklaruar se numri i personave të zhvendosur me forcë ka arritur pothuajse 60 milionë në vitin 2015, një rritje prej rreth 40% që nga viti 2014.

Gjermania, Suedia, Hungaria, Austria dhe Italia kanë qenë vendet më të prekura në Europë (Hungaria dhe Suedia kanë shënuar numrin më të lartë për frymë, dhe Gjermania numrin më të lartë në terma absolutë). Gjatë javëve të fundit, flukset hyrëse kanë rënë. Kjo pjesërisht për shkak të motit të ashpër. Fakti që Bashkimi Europian ka arritur një marrëveshje të gjerë politike me Turqinë mund të jetë gjithashtu një faktor.

Përveç kësaj, Daesh do të përballet me përpjekje më të forta kundërsulmi gjatë 2016-s. Nëse Daesh do të mundet dhe nëse do të zbehet pasiguria në Siri dhe Irak, atëherë situata ka të ngjarë të përmirësohet. Megjithatë duhet të theksohet se rreth 4 milionë refugjatët e konfliktit në Siri-Irak do të vijojnë të qëndrojnë në vendet fqinje (në Turqi 2.2 milionë, 1.1 milionë në Liban dhe 650,000 njerëz në Jordani).

Modeli historik kërkon disa vite që të normalizohet numri i refugjatëve pas një periudhe konflikti. Sfida e intensifikuar nga talebanët në Afganistan mund të rrisë gjithashtu numrin e personave që pretendojnë azil në Europë (rreth 100,000 njerëz kanë ardhur nga Afganistani drejt Europës gjatë vitit 2015). Numri i refugjatëve që vijnë në Europë ka shumë gjasa të jetë më i ulët në vitin 2016, por do të mbetet shumë më i lartë se mesatarja afatgjatë për vitet 2016 dhe 2017.

Pasoja afatshkurtër ekonomike e flukseve të larta të emigracionit do të jetë një rritje disi më e lartë e PBB-së në Gjermani dhe Suedi, për shkak të rritjes së përkohshme në shpenzimet publike. Pasojat e një popullsie në rritje janë pozitive në terma afatgjatë, duke reduktuar presionin demografik të një popullsie në plakje. Rritja e globalizimit të brendshëm, nëse përdorim termin e Angela Merkelit, konsiston potencialisht në një forcë më të larmishme të punës dhe një ekonomi më kreative.

Në terma afatshkurtër, detyra e integrimit për numër të tillë të madh njerëzish do të jetë një sfidë. Në Suedi përvoja historike ka treguar se emigrantët nga Siria janë integruar mirë në tregun e punës. Megjithatë, integrimi i një numri të madh njerëzish që vijnë nga një vend shumë më pak i zhvilluar (PBB-ja për frymë në Siri ishte 5000 dollarë amerikanë përpara konfliktit, e një shifër pak më e lartë se 10% e nivelit në Suedi dhe Gjermani), do të jetë i komplikuar .

Për të forcuar integrimin, vendet duhet të rrisin fleksibilitetin e tregut të punës, të rrisin shpenzimet në përpjekjet e edukimit elementar dhe masat aktive të tregut të punës si dhe të organizojnë në mënyrë më efektive shërbimet sociale, por kjo do të jetë shumë e vështirë si në Gjermani ashtu dhe në Suedi. Parashikohet se ka të ngjarë që papunësia do të jetë disi më e lartë në vitin 2017 dhe në vitin 2018 dhe kjo do të zbehë disi presionin e pagave dhe të inflacionit.

Tre: referendumi për Brexit

Një faktor kyç në formësimin e së ardhmes politike të Europës në dekadat që do të vijnë është referendumi mbi anëtarësimin e Mbretërisë së Bashkuar në BE. Referendumet shoqërohen gjithmonë me pasiguri. Ngjarje të papritura mund t’i orientojnë rezultatet në çdo drejtim. Kryesisht parashikohet se Mbretëria e Bashkuar do të qëndrojë në Bashkimin Europian. Pasojat ekonomike dhe politike të lëvizjes britanike drejt izolimit janë shkatërruese.

Balanca politike në Europë do të zhvendosej nga ideja e një Europe të hapur për tregti të lirë dhe tregje dinamike, duke e kthyer ekuilibrin drejt një perspektive më burokratike dhe centralizuese. Europa dhe Britania e Madhe, të dyja do të vendoseshin në një pozitë shumë më të keqe konkurruese përballë Shteteve të Bashkuara, Kinës, Japonisë dhe Indisë. Për Mbretërinë e Bashkuar, pasojat ekonomike afatgjata ka të ngjarë të shfaqen thellësisht shqetësuese.

Pa pjesëmarrjen e plotë në Bashkimin Europian, roli i Londrës si qendër financiare e Europës herët apo vonë do të vihej në pikëpyetje. Populistët po krijojnë përshtypjen se është pa kosto largimi i Mbretërisë së Bashkuar nga Europa, por ky është një iluzion i rrezikshëm. Referendumi danez u shoqërua me një valë trazirash financiare në vitin 1992 dhe implikimet e Brexit do të kishin një ndikim edhe më të gjerë.

Një faktor që vlen të kujtohet është se votuesit shpesh duket se favorizojnë status quo kur pasiguria është e lartë. Kur pothuajse të gjithë ekspertët ekonomikë, partitë tradicionale politike dhe pjesët më të mëdha të sektorit të biznesit po argumentojnë për një ‘po’, ky duhet të jetë rezultati më i mundshëm, por në epokën e populizmit pasiguria mbetet e lartë, deri në momentin e numërimit të votave.

Katër: roli i Rusisë në botë

Një faktor tjetër politik që kontribuon në pasigurinë financiare është Rusia. Në fund të vitit 2015, Presidenti Putin e ka ripozicionuar me shpejtësi Rusinë në një forcë konstruktive që po përballet me Daesh në Siri dhe Irak. Ripozicionimi është padyshim i brishtë. Putini nuk është tërhequr në parim nga qëndrimi agresiv në konfliktin në Ukrainën lindore. Deri tani ndërhyrja ruse duket se ka dhënë më shumë mbështetje për presidentin Al-Assad se sa ka shkaktuar dëme ndaj Daesh.

Në terma afatgjatë, Rusia ka të ngjarë të humbasë fuqinë nën regjimin aktual. Normat e ulëta të fertilitetit dhe vdekja e parakohshme e banorëve të saj nga alkooli, kombinuar me varësinë e tepërt për burime natyrore në vend se sa produktiviteti dhe inovacioni, po ‘minojnë’ perspektivat afatgjata. Por, në terma afatshkurtër, çdo vend fqinj që tregon shenja dobësie po përballet me rrezikun se Rusia do të përpiqet të shfrytëzojë situatën. Presidenti Putin është shfaqur si një mjeshtër për të ‘lundruar’ në epokën e populizmit dhe mund të rikthejë retorikën antiperëndimore në çdo kohë.

Në vitet e ardhshme, investimet në Rusi do të perceptohen si të rrezikshme. Në Rusi, rimëkëmbja solide do të ndodhë vetëm në qoftë se investitorët e huaj binden se kthesa në politikën ruse të fund të vitit 2015 është hapi i parë drejt një Rusie të hapur për bashkëpunim dhe të gatshme për të reformuar strukturat e saj arkaike ekonomike. Deri atëherë, shumica e investitorëve do të qëndrojnë pasivë dhe do të shpresojnë për ‘zbutjen e thundrës’ ruse.

Pesë: rritje e dobët, tregje të lëkundur

Rritja globale do të jetë e dobët vitin e ardhshëm. Për më tepër, ne ka gjithashtu të ngjarë të shohim trazira të konsiderueshme në tregjet financiare. Kombinimi i rimëkëmbjes në SHBA dhe, edhe pse më e dobët, në Europë, si dhe ngadalësimi i rritjes në Kinë po krijojnë pasiguri për tregjet financiare. Masat e jashtëzakonshme të politikës monetare gjatë viteve të fundit kanë ‘pompuar’ para afatshkurtër në sistemin financiar botëror.

Në kombinim me likuiditetin e ulët në tregje, pjesërisht për shkak të strukturave të reja rregullatore që po riorganizojnë kudo sistemin bankar, kjo ka përcaktuar modelin për turbullira. Faktori kyç që vendos për shkallën e problemit do të jetë inflacioni në SHBA dhe reformat në Kinë. Në qoftë se inflacioni po rritet në SHBA dhe Rezerva Federale perceptohet të jetë ‘udhëheqësi’ për këtë, kjo ka të ngjarë të rrisë normat e interesit të SHBA dhe të përforcojë vlerësimin e dollarit.

Kryesisht parashikohet se inflacioni do të mbetet i ndrydhur në SHBA. Rimëkëmbja e dobët konsumatore dhe shfrytëzimi shumë i ulët i burimeve nuk ka gjasa të nxisë inflacionin e udhëhequr nga kërkesa. Potenciali për rritje të përshpejtuar të produktivitetit jashtë lëvizjes së gjerë të udhëhequr nga teknologjia që po zhvillohet tashmë duhet gjithashtu të mbajë nën kontroll presionin e kostos.

Modelet tradicionale që po përdorin Rezerva Federale dhe bankat e tjera qendrore për të parashikuar inflacionin janë të prapambetura dhe nuk kanë gjasa të kapin lëvizjen e shpejtë të zhvillimit teknologjik me të cilin po përballemi.

Mbështetur në një produktivitet më të lartë se sa pritej është gjithashtu e mundur që norma e papunësisë të bjerë gradualisht pa nxitur spiralen tradicionale të pagave dhe inflacionit.

2016 potencialisht mund të jetë viti kur implikimet e transformimit dixhital të bëhen tema dominuese. Potenciali është i qartë. Shumë kompani start-up kanë njoftuar shifra të forta të rritjes ekonomike për vite, por ndikimi makroekonomik deri tani ka rezultuar në anën më të dobët për shkak se rritja ka ardhur nga një nivel i ulët.

Kjo po ndryshon gradualisht çdo vit. Kur gjithmonë e më shumë njerëz i bëjnë pazaret e tyre apo veprimet bankare online nënkuptohet gjithashtu se theksohen më tepër implikime më të gjera. Presioni që firmat ekzistuese të përshtaten me rritjen e konkurrencës ka të ngjarë të tregojë se po tkurren çmimet dhe marzhet e fitimit.

Një ndikim edhe më problematik mund të jetë frenimi i rritjes së punësimit gjatë rimëkëmbjes. Deri më tani kjo nuk ka ndodhur në ekonomitë e zhvilluara. Tregu i punës në SHBA ka qenë i fortë, dhe kjo ka qenë edhe tendenca në Mbretërinë e Bashkuar, Gjermani dhe vendet nordike.

Gjashtë: reformat e Kinës

Nëse pritshmëritë e inflacionit në SHBA janë një faktor kyç në formësimin e vitit financiar 2016, reformat në Kinë janë në një tjetër shkallë. Në qoftë se Kina është në gjendje të lëvizë gradualisht përpara me ribalancimin e ekonomisë, duke filluar nga investimet e deri te konsumi, kjo mund të hapë rrugën drejt një rritje më të qëndrueshme dhe rikthimit gradual të optimizmit në sektorin e biznesit kinez.

Qeveria kineze ka deklaruar shumë herë, jo më larg se në takimin e fundit në Davos dhe në samitin Dalian, ambicien e saj për të ecur përpara me reformat drejt hapjes së ekonomisë dhe me vazhdimin e transformimit drejt një ekonomie tregu.

Rreziku që kanoset është se këto reforma janë të varura në aftësinë për t’u përballur me rezistencën e grupeve të veçanta të interesit, përfshirë ndërmarrjet shtetërore dhe qendrat më konservatore të pushtetit. Për ekonominë globale është me shumë rëndësi të monitorohet çdo shenjë se reformat po përshpejtohen dhe se po ‘shtypet’ rezistenca ndaj ndryshimit.

Çdo shenjë se tkurrja e kredisë po pengon rritjen do të nënkuptonte se është e nevojshme që Banka Popullore e Kinës, PBOC, të nxisë politikën monetare në një drejtim ekspansionist. Në një skenar të tillë, RMB do të dobësohej dhe kjo do të nënkuptonte amortizimin e raundit të dytë në pjesën tjetër të Azisë. Në çdo skenar të tillë, ne do të shohim turbullira të vazhdueshme edhe në tregjet e mallrave. Çmimet e mallrave kanë të ngjarë të kontribuojnë në mjedisin me inflacion të ulët. Do të duhet kohë përpara se të shohim rimëkëmbjen e superciklit.

Është e rëndësishme të theksohet rëndësia e Kinës për pjesën tjetër të vendeve në zhvillim. Rritja në Azi, Amerikën Latine dhe Afrikë është përforcuar nga rritja e kërkesës për mineral hekuri, bakri dhe naftë nga Kina. Nëse Kina arrin të përballojë sfidat e brendshme, kjo do të kontribuojë në rigjallërimin e optimizmit në tregjet në zhvillim.

Megjithatë është e rëndësishme të theksohet se rilindja në tregjet në zhvillim ka një bazë më substanciale se thjesht të qenët derivat i Kinës. India, Indonezia, Bangladeshi, Filipinet, Brazili, Meksika, Kolumbia, Nigeria, Etiopia dhe Afrika Lindore kanë qenë në gjendje të përshpejtojnë rritjen, pavarësisht pushtetit të tyre. Reformat politike kanë përmirësuar qeverisjen.

Janë reduktuar pengesat ndaj tregtisë. Barra rregullatore dhe kosto e të bërit biznes janë ‘zbehur’. Është përmirësuar niveli arsimor i fuqisë punëtore. Revolucioni celular e ka bërë informacionin të arritshëm pothuajse kudo dhe ka rritur transparencën politike.

Ekonomitë në zhvillim do të jenë nën presionin e tregut gjatë vitit 2016. Në qoftë se Rezerva Federale përshpejton rritjet e normës dhe PBOC amortizon RNB, kjo do të krijonte tensione për ekonominë globale. Në këtë mjedis mjaft të vështirë, do të ketë një moment kritik në qoftë se presioni i jashtëm përkthehet në shtytje për reformat ekonomike. Nëse qeveritë në Brazil, Turqi, Nigeri apo Rusi do ta perceptojnë presionin e tregut si argument për përforcimin e reformave strukturore, kjo do të ndryshonte lojën. Deri më tani, përgjigjja nuk ka qenë aspak bindëse.

Është e rëndësishme të marrim në konsideratë optimizmin bazë që globalizimi po sjell në tregjet në zhvillim. Sipas parashikimit të FMN-së për vitin 2016 do të ketë më shumë se 3.4 miliardë njerëz që jetojnë në vende me PBB që rritet më shpejt se 6%. Një normë rritje prej 6% do të thotë se ekonomia e përgjithshme do të trefishohet në dy dekada.

Ky është transformimi më i shpejtë nga varfëria në historinë e njerëzimit. Nëse 2016 do të sjellë rigjallërim të historisë së tregjeve në zhvillim apo një vit zhgënjimi, mbetet ende një çështje e hapur, dhe sa më shumë që presioni i tregut perceptohet si një argument për reforma, aq më i mirë do të jetë rezultati.

2016 ka të ngjarë të jetë një vit i vështirë. Rritja ekonomike po intensifikohet, udhëhequr nga rimëkëmbja në SHBA dhe ekonomitë e tjera të avancuara, por populizmi, rreziqet gjeopolitike dhe trazirat e tregut ka të ngjarë të ‘errësojnë’ optimizmin. /Monitor/

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY