Mbi 26 mijë fëmijë shqiptarë nën moshën 17 vjeç janë larguar nga vendin në dy vitet e fundit. Shifra jepet nga Eurostat. Ekzaktësisht bëhet fjalë për 26 790 fëmijë të cilët janë larguar bashkë me familjen në përpjekje për të përfituar azil, ku kryesisht kanë emigruar në Gjermani. Ndërkohë që numri i azilkërkuesve shqiptarë në total ka arritur në 100 mijë persona.
Numri i azilkërkuesve shqiptarë në BE gjatë periudhës 2014-2015, nën moshën 17 vjeç u rrit nga 5 400 në 21 390. Tashmë, Gjermania u ka mbyllur dyer azilkërkuesve nga Shqipëria dhe fëmijët bashkë e familjet e tyre po rikthehen në Shqipëri, ku bashkë me kthimin në atdhe ata po i rikthehen dhe shkollës. Rikthimi i tyre në sistemin e edukimit në Shqipëri është një sfidë për të dy palët, pasi gjatë qëndrimit jashtë vendin ata kanë ndjekur shkollën në gjuhë të huaj.
Zv.ministrja e Arsimit, Nora Malaj tha për BIRN se ministria ka dërguar në të gjitha shkollat në fund të vitit të kaluar detajet për masa që duhen marrë në këtë situatë. “Ne po ofrojmë në shkollë programe ekstra dhe mësime për të kapur atë që nxënësit kanë humbur”, tha Malaj. Por, përveç ndihmës akademike, fëmijëve po u ofrohet edhe ndihmë psikologjike. “Po përpiqemi t’i bëjmë ata të ndihën të mirëpritur, sidomos për fëmijët në shkollë të mesme”, thekson zv.ministrja. Vitin e kaluar shqiptarët përbënin masën më të madhe të azilkërkuesve në Gjermani, pas sirianëve. Sipas raporteve nga Gjermania bëhet fjalë për mbi 54 mijë shqiptarë që kanë paraqitur kërkesë për azil në vitin 2015.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/