GRAFIKËT – VITI 2015/ Edhe eksportet e mbyllin me 4.9 % rënie,...

GRAFIKËT – VITI 2015/ Edhe eksportet e mbyllin me 4.9 % rënie, ecuria më e dobët që nga viti 2009

408
0
Shares

Eksportet shqiptare shfaqen dobësi me 2015 duke e mbyllur vitin me një rënie 4.9 për qind, duke arritur në 243 miliardë lekë. Një vit më parë, eksportet kishin shënuar një rritje prej gati 4 %. Sipas të dhënave historike të INSTAT, ky është zgjerimi më i ulët i eksporteve që nga viti 2009. Konjuktura e pafavorshme ndërkombëtare vitin e kaluar, me uljen e çmimeve të naftës e mineraleve ka qenë arsyeja kryesore e kësaj tendence, ndërkohë që rritja e grupeve të tjera (kryesisht pije ushqimore e duhan, tekstile e pajisje këmbimi) ka qenë shumë e ulët për të amortizuar këtë rënie.
Tkurrja më e madhe e eksporteve është shënuar në zërin e mineraleve dhe energjisë elektrike, që ranë me 25 % për të arritur në 64.5 miliardë lekë. Sipas të dhënave të doganave kjo rënie në vlerë e eksporteve shqiptare në këtë grup i dedikohet çmimeve të ulëta të naftës dhe energjisë në tregjet ndërkombëtare.
i2Çmimet e ulëta sipas ekspertëve ndikuan në dy kahe.
Së pari u dekurajua eksporti në volum i naftës bruto dhe mineraleve të rënda dhe nga ana tjetër për volumet e eksportuara u morën më pak vlera monetare së në vitin 2014. Tkurrja e aktivitetit të “Bankers Petroleum” ka dhënë ndikimin më të lartë. Sipas të dhënave paraprake nga kompania, xhiro e saj u përgjysmua në vitin 2015, si rrjedhojë e çmimeve më të ulëta të naftës. Në nëntor dhe pjesën e parë të dhjetorit kulmoi dhe konflikti “Bankers”-Tatime, me këta të fundit që kërkonin pagesën e detyrimit prej 57 milionë dollarësh, pas një rivlerësimi të aktivitetit të vitit 2011. “Bankers” mbylli gjysmën e puseve dhe “kërcënoi” deri me ndërprerje të prodhimit. Konflikti më pas u zgjidh në pjesën e parë të dhjetorit, teksa kompania pranoi pagimin e detyrimit. Nëse Arbitrazhi do të vendosë në favor të “Bankers”, atëherë këto para do t’i kthehen mbrapsht kësaj kompanie.
i3Eksportet e “minerale, lëndë djegëse dhe energji” zinin 27 % të totalit në fund të 2015-s, nga 34 % një vit më parë. Për sa kohë që konjuktuara e çmimeve ndërkombëtare mbetet e pafavorshme (nafta luhatet aktualisht në 30 dollarë për fuçi), nuk pritet në 2016-n ndonjë kthesë pozitive.
Eksportet e tekstile e këpucëve u rritën me 5 % në gati 90 miliardë lekë për vitin 2015, duke u bërë grupi më i madh i eksportuar në vend, me 37 % të totalit (një vit më parë kryesonin lëndët djegëse e energjia me 34% të totalit). Ndonëse ky grup e ka marrë veten në gjysmën e dytë të vitit, pas rënies në muajt e parë të vitit, sërish ai mbetet larg rritjeve dyshifrore që u panë vitin e kaluar. Industria e tekstileve e këpucëve gjendet në udhëkryq, teksa kostot e punës në vend janë rritur, nga rritja e taksave dhe energjisë, duke e bërë më pak konkurruese me koston e punës, nga njëra anë dhe nga ana tjetër industria, sidomos ajo e tekstileve, ka mbetur e pazhvilluar, duke kryer vetëm disa cikle, çka e pengon të zgjerojë tregun përtej partnerit tradicional, që është Italia.
i4Rënie në krahasim me vitin 2014 shënuan edhe materialet e ndërtimit dhe metalet me rreth 5 %. Ecuria negative e këtij grupi u përshpejtua në nëntor dhe dhjetor, duke shënuar një rënie përkatësisht me 22 % dhe 32 %. Kompania “Kurum” ka kaluar një periudhë të vështirë në muajt e fundit të vitit, duke ndikuar në performancën negative të këtij grupi.
Rënie pësuan edhe eksportet e grupit drurit dhe të letrës me -9.2 për qind, pas rritjes së fortë që ato kishin shënuar vitin e mëparshëm. Kompania “Center Shqiptare”, me qendër në Berat, që vitin e kaluar shënoi një lulëzim të eksporteve të çantave të letrës dhe kartonëve në vendet e BE-së, rezulton të ketë frenuar aktivitetin këtë vit, pas disa problemeve administrative me doganat.
i5Ecurinë më pozitive në 2015-n e kanë shënuar eksportet e “ushqime, pije dhe duhan”, të cilat u zgjeruan me 26 %, për të arritur në 21 miliardë lekë në 2015-m. Në vlerë absolute, ky është grupi që ka pasur dhe rritjen më të madhe gjatë vitit që sapo lamë pas. Pesha e “ushqime, pije e duhan” u rrit në 9 %, nga 6 % në 2014-n, duke u bërë grupi i katërt më i eksportuar në vend.
Grupi i Makinerive dhe pajisjeve u rrit me 16.8 %, i nxitur nga zhvillimi i fasonit industrial. Megjithatë, pas një rritje mbi 30 % në pjesën e parë të vitit, ky grup është ngadalësuar ndjeshëm në muajt e fundit të vitit dhe ka filluar rënien. Në dhjetor eksportet e makinerive e pajisjeve ranë me 23 % dhe kompanitë e këtij sektori nuk presin më ritme të larta rritjeje as në 2016-n.

Dhjetor, eksportet ranë 7.7 %

Ndërsa në muajin dhjetor ulja vjetore e eksporteve u thellua me 7,7 %. Sipas INSTAT ky muaj është ndikuar kryesisht nga grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -9,8 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -5,0 pikë përqindje, “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me -1,2 pikë përqindje.
Në ndryshimin vjetor të eksporteve kanë ndikuar pozitivisht grupet: “Tekstile dhe këpucë” me +4,8 pikë përqindje, “Ushqime, pije, duhan” kanë kontribuar me +2,7 pikë përqindje, “Lëkurë dhe artikuj prej tyre” me +0,3 pikë përqindje.

(“Monitor”) 

 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY