TAKSAT E REJA/ Ja cilat janë të gjitha ndryshimet fiskale të 2016-s

TAKSAT E REJA/ Ja cilat janë të gjitha ndryshimet fiskale të 2016-s

123
0
Shares

Fundi i vitit 2015 shënoi një sërë ndryshimesh fiskale e ligjore, që krijuan konfuzion te biznesi, si për shkak të mungesës së konsultimeve në shumë raste ashtu dhe tërheqjes apo rishikimeve të minutës së fundit nga komisionet kuvendore apo nga Parlamenti.
Deloitte Albania ka përmbledhur disa nga ndryshimet më të rëndësishme të sjella nga Paketa Fiskale 2016, të publikuar në dy Fletore të ndryshme Zyrtare: në Fletoren Zyrtare nr. 244, datë 11.01.2016 dhe në atë nr. 252, datë 22.01.2016. Shumica e këtyre ndryshimeve i shtrijnë efektet nga 1 janari 2016.

I. Ndryshimet në ligjin nr. 9975, datë 28.07.2008 “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar (në fuqi nga 1 janari 2016)

Taksa e rentës për mineralet jo-metalike
Sipas shtojcës nr. 2 të ligjit të amenduar, renta minerare për pjesën më të madhe të mineraleve të grupit III “Qymyret dhe bitumet” dhe grupit IV “Mineralet dhe materialet e ndërtimit” caktohet në Lekë për sasi minerali të shitur. Bazuar në ligjin e mëparshëm, renta minerare për këto lloje mineralesh caktohej në përqindje ndaj çmimit të shitjes me shumicë.

Taksa e primeve të sigurimit
Taksa mbi primet e shkruara, me përjashtim të primeve të sigurimit për produktet e jetës, shëndetit në udhëtim dhe kartonit jeshil, nga 3% e shumës së primit, bëhet 10% e shumë së primit.

Taksimi i automjeteve luksoze
Konsiderohet automjet luksoz autovetura deri në 4+1, e cila plotëson të paktën njërin nga kushtet e mëposhtme:
– Cilindratën të barabartë ose më të madhe se 3,000 cm3;
– Vlerën/çmimin të barabartë ose më shumë sesa 7,000,000 Lekë.
Mbi automjetet luksoze do të ngarkohen dy taksa të reja:
– Taksa e regjistrimit fillestar në masën 70,000 Lekë dhe;
– Taksa e përvitshme në masën 21,000 Lekë.
Ligji ka përcaktuar edhe një listë përjashtimesh nga pagesa e taksës së regjistrimit fillestar dhe taksës të përvitshme.

II. Ndryshimet në ligjin nr. 9632, datë 30.10.2006 “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar (në fuqi nga 1 janari 2016)

Tatimi i thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël
– Për tatimpaguesit me qarkullim vjetor nga 0-5 milionë Lekë, tatimi i thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël do të jetë 0 Lekë në vit (përpara këtij ndryshimi, për tatimpaguesit me qarkullim 0-2 milionë Lekë tatimi i thjeshtuar mbi fitimin ishte 25,000 Lekë në vit).
– Për tatimpaguesit me qarkullim vjetor nga 5-8 milionë Lekë, norma e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël do të jetë 5% e fitimit të tatueshëm (përpara këtij ndryshimi, për tatimpaguesit me qarkullim 2-8 milionë Lekë, norma e tatimit të thjeshtuar ishte 7.5% e fitimit të tatueshëm, por jo më pak se 25,000 Lekë në vit).
Procedurat e deklarimit për tatimpaguesit me qarkullim nga 5-8 milionë lekë mbetet i njëjtë. Ndërsa, tatimpaguesit me qarkullim 0-5 milionë Lekë, duhet të deklarojnë sipas të njëjtave afate por sipas mënyrës së përcaktuar në një Udhëzim të pritshëm të Ministrit të Financave.

Ndryshime në kuadër të reformës territoriale dhe ndarjes së re administrative
Në kuadër të ndarjes së re territoriale, nuk ka më njësi administrative vendore “komunë”. Ky ndryshim është reflektuar në ligj nëpërmjet rishikimit të emërtimeve në tabelat/anekset që përcaktojnë masat e taksës mbi ndërtesat, taksës së kalimit të pronësisë mbi ndërtesat, taksës së zënies së hapësirave publike, taksës së tabelës dhe taksës së fjetjes në hotel.

Taksa e pasurisë së paluajtshme mbi truallin
Ligji i ri shton si objekt të taksës mbi pasurinë e paluajtshme edhe “truallin” (sipërfaqe toke, jo bujqësore dhe jo hapësirë publike, e miratuar për të ndërtuar mbi të). Baza e taksës është sipërfaqja e truallit në m2, në pronësi apo përdorim. Niveli i taksës përcaktohet në aneksin 2.1 të ligjit dhe shprehet në Lekë/m2/vit. Taksa e truallit është përcaktuar sipas 4 kategorizimeve të njësive administrative me vlera që variojnë midis 0.14-0.56 Lekë/m2/vit për ndërtesat për qëllime banimi nga individë dhe 12-20 Lekë/m2/vit për ndërtesat për qëllime biznesi.

Personat subjekte të taksës mbi pasurinë e paluajtshme
Subjekt i taksës mbi tokën bujqësore, ndërtesën dhe truallin, do të jetë edhe përdoruesi i pasurive, i cili në rastet kur nuk disponon dokumente pronësie bën vetëdeklarimin e pasurisë pranë Bashkisë në juridiksionin e së cilës është pasuria e paluajtshme.

Taksa e fjetjes në hotel
Baza e taksës së fjetjes në hotel do të jetë numri i netëve të qëndruara në hotel dhe do të variojë sipas kategorive të mëposhtme:
– Për hotele me 4-5 yje nga 105 në 350 Lekë/natë fjetje/person në varësi të bashkisë ku ndodhet hoteli; dhe,
– Për bujtina, fjetina, motele dhe çdo njësi tjetër akomoduese nga 25 në 140 Lekë/natë fjetje/person në varësi të bashkisë ku ndodhet objekti.
Përpara këtij ndryshimi, niveli i taksës së fjetjes në hotel ishte 5% e çmimit të fjetjes për dhomë ose për person për natë fjetje.

Taksa e tabelës
Ligji ndryshon nivelin e taksimit dhe nënkategoritë e taksës së tabelës. Niveli i ri i taksimit është ndërmjet 0 lekë/vit për tabelat për qëllime identifikuese me madhësinë deri në 2m2 të trupëzuara në sipërfaqen e ndërtesës dhe 90,000 Lekë/m2/vit për tabelat elektronike të lëvizshme apo të palëvizshme në qytetin e Tiranës që vendosen për qëllime reklamimi (përpara këtij ndryshimi, taksa e tabelës varionte nga 120 Lekë/vit në 810,000 Lekë/vit për tabelat me sipërfaqe mbi 18 m2 në qytetin e Tiranës).
Në cdo rast, Këshilli Bashkiak cakton bazën dhe nivelin e taksës së tabelës.

Tarifa e zënies së hapësirave publike për qëllime biznesi
Ligji i ri e klasifikon si ‘tarifë të zënies së hapësirave publike për qëllime biznesi’ atë që më përpara parashikohej si ‘taksë e zënies së hapsirës publike’. Njëlloj si më parë, kjo tarifë llogaritet si detyrim mujor i tatimpaguesit dhe niveli tregues i saj varion nga 60 në 120 Lekë/m2 në muaj. Gjithashtu, njëlloj si më parë, Këshilli Bashkiak vendos nivelin, rregullat bazë të administrimit dhe mbledhjes së kësaj tarife. Por, në ndryshim nga më parë, Këshilli Bashkiak nuk është më i detyruar t’u përmbahet kufijve plus 10% dhe minus 30% nga niveli tregues.

Taksa e ndikimit në infrastrukturë
Me ligjin e ri, baza e tatueshme dhe niveli i taksës së ndikimit në infrastrukturë diferencohen sipas kategorisë/qëllimit të ndërtimit. Konkretisht:
– Në rastin e ndërtimeve me qëllim banimin apo të njësive të shërbimit nga shoqëritë e ndërtimit, të cilat nuk destinohen për turizëm, industri apo përdorim publik, taksa është në masën 4 deri në 8% të ‘çmimit të shitjes për metër katror’ (bazuar në vlerat referuese të vlerës së tregut sipas përcaktimeve në udhëzimin e Këshillit të Ministrave “Për miratimin e kostove mesatare të ndërtimit të banesave nga Enti Kombëtar i Banesave” që miratohet çdo vit),
– Për ndërtime të ndryshme nga këto më sipër, niveli i taksimit mbetet i njëjtë si në ligjin aktual, pra 1 deri në 3% ‘të vlerës së investimit’ apo 2 deri në 4% për qytetin e Tiranës, përvec projekteve të infrastrukturës publike (0.1% e vlerës së investimit) dhe ndërtesave ne proçes legalizimi (0.5% e vlerës së investimit).

III. Ndryshimet në lidhje me sigurimet shoqërore e shëndetësore (në fuqi nga 1 janari 2016)
Paketa Fiskale 2016 sjell disa ndryshime të rëndësishme në fushën e sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore, përkatësisht në:
– ligjin nr. 10383, datë 24.02.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar,
– ligjin nr. 7703, datë 11.05.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe
– ligjin nr. 9136, datë 11.09.2003, “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë, të ndryshuar.

Profesionet e lira
Për kategori të veçanta personash, të cilët kryejnë veprimtari ekonomike profesionale si të vetëpunësuar, paga për efekt të llogaritjes të kontributeve shoqërore dhe atyre shëndetësore si dhe kriteret e përcaktimit të saj caktohen me vendim të posaçëm nga Këshilli i Ministrave. Ky vendim merr në konsideratë llojin e profesionit, numrin e të punësuarve, zonën ku zhvillohet aktiviteti ekonomik, nivelin e të ardhurave në sektorin publik për profesione të njëjta ose të ngjashme, eksperiencën në profesion dhe statusin e profesionistit.http://www.monitor.al/vendimi-qeverise-per-profesionet-e-lira-ja-pagat-e-e-reja-te-references-per-efekt-te-kontributeve/
Përpara këtij ndryshimi, për të gjitha kategoritë e të vetëpunësuarve, paga për efekt të llogaritjes së kontributeve ishte: për kontributet shoqërore – sa paga minimale për efekt të llogaritjes së kontributeve; për kontributet shëndetësore – sa dyfishi i pagës minimale për efekt llogaritje kontributesh.

Anëtaret e papaguar të familjes

Lihet në diskrecionin e Këshillit të Ministrave përcaktimi i rasteve dhe detyrimit të pagesës së kontributeve shëndetësore dhe shoqërore për punonjësit e papaguar të familjes që punojnë e bashkëjetojnë me kategori të caktuara të të vetëpunësuarve.

Pensionistët e vetëpunësuar

Pensionistët e vetëpunësuar, të cilët marrin pension dhe ushtrojnë, të vetëm, veprimtari ekonomike profesionale, përjashtohen nga detyrimi për të paguar kontribute sigurimesh shoqërore e shëndetësore lidhur me veprimtarinë e tyre.
IV. Ndryshimet në ligjin nr. 61/2012, datë 24.05.2012 “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar (në fuqi nga 1 janari 2016)

Videokamera tek depozituesi i miratuar

Administrata doganore ka të drejtë t’i kërkojë depozituesit të miratuar, instalimin në magazinën fiskale të sistemeve mbikëqyrëse me video-kamera, si dhe ruajtjen e imazheve për një afat të përcaktuar nga ajo. Në rast se ka filluar procedura hetimore/gjyqësore, këto imazhe ruhen deri në përfundim të procesit hetimor dhe/ose gjyqësor.

Mbajtja, tranportimi ose shitja e mallrave të akcizës pa pullë fiskale

Përveç gjobës, kallëzimit penal dhe konfiskimit të mallit që aktualisht parashikon ligji, shtohet sanksioni i sekuestrimit të mjetit të tranportit, kur shkelja konstatohet gjatë transportit, me mundësinë e heqjes së masës vetëm në rast të vërtetimit që pronari i mjetit nuk është përfshirë në shkelje.

Markimi/shënjimi i karburanteve

Mbajtja, shitja apo transportimi i nënprodukteve të naftës të pashënjuar/markuar apo që nuk e kanë markuesin apo ngjyruesin në sasinë e duhur, sanksionohet si më poshtë:
– Konstatim për herë të parë, gjobë sa dyfishi i detyrimit fiskal në rast se sasia do të ishte markuar/shënjuar por jo më pak se 200,000 Lekë;
– Konstatim për herë të dytë, gjobë sa 3-fishi i detyrimit fiskal në rast se sasia do të ishte markuar/shënjuar por jo më pak se 500,000 Lekë;
– Konstatimi për herë të tretë dhe më shumë, gjobë sa 5-fishi i detyrimit fiskal në rast se sasia do të ishte markuar/shënjuar por jo më pak se 1,000,000 Lekë.
Përveç gjobës, parashikohet edhe konfiskimi i mallit.

Ndërhyrja në markues duke vendos ngjyrues të falsifikuar ose të manipuluar, ose falsifikimi apo vjedhja e shënjuesve/ngjyruesve, përveç ndjekjes penale, dënohen me gjobë, në masën 1,000,000 Lekë.

Niveli i akcizës për cigaret

Rritja e parashikuar për cigaret që përmbajnë duhan për vitin 2016, e paralajmëruar në masën 6,000 Lekë/1,000 copë, është anulluar duke e mbajtur nivelin e akcizës për duhanin në 5,500 Lekë/1,000 copë.

Nga ana tjetër, është përjashtuar nga pagesa e akcizës duhani i prodhuar dhe i grirë apo i përpunuar nga individët privatë dhe i konsumuar nga vetë prodhuesit, nga familjarët, për përdorim vetjak, me kusht që të mos jetë objekt i asnjë veprimtarie shitjeje dhe sasia e prodhimit të mos jetë më e madhe se 25 kg në vit.

Mos rimbursimi i akcizës së nënprodukteve të naftës për vënien në shfrytëzim të zonave naftëmbajtëse

Prej 01.01.2014, është hequr përjashtimi nga akciza i importimit të nënprodukteve të naftës, të cilat përdoren për vendosjen në shfrytëzim të zonat naftëmbajtëse. Ndërkohë, paketa e re parashikon mos rimbursimin e akcizës për nënproduktet e naftës të përdorura për nevojat e veta nga subjektet e kërkimit të naftës dhe të vënies në shfrytëzim të zonave naftëmbajtëse, pavarësisht nga destinacioni i përdorimit.
Lejimi i vendosjes së pullës fiskale në magazina stokimi

Paketa e re parashikon mundësinë e vendosjes së pullave fiskale në magazinat fiskale të stokimit (konkretisht, në momentin e daljes nga magazina dhe të hedhjes për konsum). Përpara këtij ndryshimi, pullat duhet të ishin të vendosura në momentin që kryhej importimi i mallrave të akcizës. Këshilli i Ministrave pritet të përcaktojë me vendim të posaçëm mekanizmat specifike të kontrollit, elementët procedurialë të menaxhimit të pullave me koncesionarin apo të prezencës së pullave fiskale të shteteve të huaja. /Monitor/

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY