TURIZMI 2016/ Ecuri pozitive, por sfidat mbeten të mëdha

TURIZMI 2016/ Ecuri pozitive, por sfidat mbeten të mëdha

142
0
Shares

Për turizmin, 2015-a ishte një vit me rritje pozitive sa i përket shifrave të numrit të vizitorëve. Sipas Bankës së Shqipërisë për 9-mujorin, numri i turistëve u rrit me rreth 12% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2014.

Gjatë 2015-s u vu re edhe një ndryshim i gjeografisë së origjinës së prurjeve turistike. Nëse para disa vitesh ardhjet ishin kryesisht nga rajoni (Maqedonia, Kosova), në sezonin që lamë pas ishin nga Sllovenia, Sllovakia, Çekia, Polonia, Norvegjia, Suedia, Italia, Austria, Danimarka, Gjermania, Franca.

Për të zgjeruar mbërritjet e turistëve ndërkombëtarë, për qeverinë sfida mbetet hapja ndaj tregut aziatik, kryesisht atij kinez. Për këta të fundit zbatohet edhe liberalizimi sezonal i vizave.

Megjithatë për qeverinë, për vitin 2016, dy do të jenë sfidat kryesore: E para është cilësia e shërbimit. Nëse kjo mungon reflektimi mund të jetë negativ. E dyta është kapaciteti që ka të bëjë me industrinë e mikpritjes, ka të bëjë mbi të gjitha me sa tërheqës është vendi për investimet e huaja dhe vendase.

Miratimi i ligjit të ri për turizmin pritet që të sjellë një disiplinim të kësaj industrie, me fillimin e zbatimit të standardeve dhe klasifikimeve. Ndërsa edhe pse ishte premtuar, nuk u bë e mundur që të përfshihej në Paketën Fiskale 2016, reduktimi i TVSH-së, një kërkesë e mbartur ndër vite e biznesit të turizmit. Për qeverinë kjo do të mund të realizohet vetëm në vitin 2017.

Për vitin 2016, është parashikuar gjithashtu që të bëhen ndërhyrje në infrastrukturë, jo vetëm në atë rrugore, por edhe në sinjalistikë; në infrastrukturën e turizmit detar, konkretisht mikpritjes në porte dhe sidomos përcaktimit këtë vit të tre apo katër porte jahtesh.

Sa u përket investimeve në fushën e turizmit, Ministria e Zhvillimit të Ekonomisë, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes ka artikuluar interesimin e të huajve. Ende nuk bëhet i ditur emri i kompanisë, por flitet për një ofertë investimi nga një prej kompanive më të njohura të tregut të mikpritjes që llogaritet në rreth 330 milionë euro investim, e integruar me aeroport low cost turistik në jug të Shqipërisë. Pra, imagjinoni që një lëvizje në legjislacion, një përmirësim imazhi na çon në nivelin tjetër.

Flet Luan Dervishej, ekspert i turizmit

Një vit jo me surpriza, të merren masa për përmirësimin e cilësisë së shërbimit

Si e vlerësoni gjendjen e turizmit shqiptar në 2015-n? Cilat kanë qenë problemet kryesore?

Në mënyrë që të vlerësojmë zhvillimet e pritshme të turizmit për vitin 2016 duhet t’i hedhim një sy performancës në arritjen e numrit të turistëve dhe ndikimin në ekonomi, si dhe në raport me pritshmëritë dhe konkurrencën, në lidhje me tregje të ndryshme, të destinacioneve të ndryshme brenda vendit, të produkteve kryesore turistike, në lidhje me shërbimet, destinacionet etj.

Për të folur për zhvillimet e një sektori, me gjuhë profesionale, është e nevojshme të bëhet një analizë bazuar në të dhëna të sakta e të plota. Por, të dhënat kyçe, si numri i turistëve i ndarë sipas tregjeve përpunohen më vonë se fundi i vitit ose jo në kohë reale dhe kjo ndikon në dhënien e një panorame të plotë.

Megjithatë, ka disa të dhëna për periudhat deri në muajin shtator për sa u përket mbërritjeve turistike apo ndikimit ekonomik.

Nisur nga kjo analizë, mund të themi se gjatë 2015-s nuk ka pasur surpriza apo zhvillime të spikatura, që mund të veçohen.

Vihet re se trendi i rritjes së numrit të turistëve për këtë vit ka vazhduar, por jo me atë përqindje si në vitet e mëparshme për arsye se tregu kryesor, siç është ai i shqiptarëve nga Kosova dhe Maqedonia (për sa i përket numrave të rinj në mbërritje) është drejt maturimit. Pra, nëse kjo pjesë zë ¾ e tregut dhe kur pjesa tjetër ka rritje me më shumë se 15%, atëherë nuk arrin të ndikojë ndjeshëm në përqindjen e totalit.

Në vlerësimin tim, duke lexuar të dhënat e vitit, besoj se rritja e ardhjeve të turistëve në total do të luhatet nga 10-15%. Këtu duhet të kemi parasysh se mesatarja globale vjetore e rritjes në destinacionet turistike është në rreth 4%.

Pra, si destinacion i ri e në rritje gjykoj se ky trend është mesatar. Po kështu, ndikimi ekonomik mund të sjellë një rritje deri në rreth 10% të të ardhurave.

Për sa u përket tregjeve, duke u bazuar jo në shifra konkrete, por nga çfarë raportohet nga operatorët turistikë dhe çfarë është pasqyruar në media, prurjet më të mëdha kanë qenë nga vendet e Europës Lindore, ndërsa turistët nga kontinenti aziatik kanë qenë në nivele më të ulëta. Ndonëse me vlera totale të vogla, tregjet burimore të Shqipërisë në rang vendesh kanë shifra të turistëve të huaj (mbërritje) që variojnë nga 5,000 deri në 100,000 vizitorë në vit. Shpërndarja e tyre mbizotëron më shumë në gjysmën e parë të vitit. Mendoj se sa i përket këtij diapazoni, trendi ka qenë në rritje më të madhe (mesatarisht 10-15%), por kjo normë është vlerësuar edhe në tregjet e Europës Perëndimore.

Për sa u përket produkteve turistike, bregdeti dominohet nga tregu i vendit dhe nga shqiptarët etnikë të vendeve fqinje dhe është mjaft sezonal. Duke qenë se gjatë këtij sezoni patëm edhe zgjedhjet lokale (që ndikojnë dhe në angazhimet e administratës lokale dhe qendrore, me një orientim apo kushtëzim për të bërë pushime vetëm në muajin gusht) patëm vetëm një pik sezoni. Kjo u shoqërua dhe me ndikimin në performancën e ekonomisë në tërësi, por edhe në atë të financave familjare. Si rrjedhim, kostot për pushimet u panë më me konservatorizëm. Tregu i turizmit të bregdetit nuk pati ndonjë rritje të ndjeshme, si në numra dhe në të ardhura.

Për sa u përket të veçantave në lidhje me këtë produkt mund të themi se gjatë sezonit të kaluar u vu re rritje e numrit të vizitorëve ndërkombëtarë, si të organizuar në grupe nga tur operatorët (kryesisht nga vendet e Europës Lindore), si dhe në mënyrë individuale (këta të fundit mbërritën kryesisht në Sarandë nga Korfuzi).

Në lidhje me turizmin e kulturës, i cili dominohet nga ture individuale apo të organizuara të vizitorëve të huaj, perceptimi im nga burime të ndryshme është se ka pasur një rritje që mund të klasifikohet nga mesatare në të mirë. Eksplorimi i Shqipërisë mbetet motivi kryesor i vizitorëve ndërkombëtarë. Ka përmirësim të infrastrukturës së aksesit, ambienteve urbane dhe aksesit në atraksione, si dhe të informacionit, që ndikojnë në rritjen e numrit të pikave që janë të vizitueshme.

Produkti i turizmit të natyrës, përshirë dhe atë të aventurës (ndonëse ka segmentet më të vogla të tregut) në vazhdimësi ka njohur një tendencë me rritje të kënaqshme nga ana e turistëve ndërkombëtarë. Veçanërisht vizitorët e huaj nga vendet gjermanofolëse, Britania, por dhe ato lindore si Çekia dhe Polonia, preferojnë malet e Shqipërisë.

Krijimi i disa kushteve bazë, si: informacioni, oferta akomoduese dhe ushqimi; shtigjet e shënuara në harta dhe në terren kanë rritur frekuentimin në Alpet e Shqipërisë, por dhe të zonave të tjera natyrore, si liqenet apo mjediset rurale.

Risi është shtimi i numrit të destinacioneve dhe rritja e interesit për tregun vendas.

Për sa i përket ofrimit të shërbimeve dhe infrastrukturës, nuk ka zhvillime për t’u theksuar. Në bregdet, ndonëse po bëhen përpjekje të krijohet një infrastrukturë për shërbimet në plazh, me angazhimin e një agjencie të veçantë (këtu mund të theksohet edhe ndikimi që patën zgjedhjet lokale) organizimi i tyre nuk pati përmirësime. Klima e biznesit nuk ka arritur të ndryshohet dhe incetivat (përfshirë dhe uljen e TVSH-së) nuk u realizuan. Ka përmirësime apo ngritje strukturash për monumentet e kulturës dhe zonat e mbrojtura që do të ndikojnë në përmirësimin e atraksioneve.

Në mënyrë të përmbledhur mund të themi se problemet e turizmit shqiptar vazhdojnë të jenë: niveli i taksave, procedurat e mbledhjes apo kontrollit të tatimeve, infrastruktura që gjithmonë nuk është uniforme apo konsistente (diku ka probleme me dritat, diku me ujin, etj.)

Si do të ndikojë ndarja e re territoriale në shërbimet që do të duhet të ofrojë pushteti lokal në përmirësimin e turizmit?

Ndarja e re territoriale jep më shumë mundësi organizimi apo përqendrimi për të menaxhuar turizmin në nivel destinacioni. Kjo do të thotë se do të duhet të ndërtohen struktura menaxhuese për turizmit në të gjithë bashkitë e reja, ku në mbi gjysmën e të cilave ka atraksione e destinacione turistike.

Por, duke qenë se praktikisht përvojat në këtë drejtim kane qenë të pakta, kërkohet orientim, udhëzime e mbështetje që këto struktura të ngrihen sa më parë.

Deri tani, njësitë e reja janë marrë me mjaft probleme riorganizimi dhe vetëm në fillim të këtij viti do të mund të kenë strukturë të re dhe staf të plotësuar.

Bashkitë duhet të menaxhojnë produktin turistik, si dhe të organizojnë marketingun e njësive të tyre, në harmoni dhe në linjë me prioritete kombëtare e rajonale.

Ato duhet të kenë një platformë bashkëpunimi me sektorin e turizmit dhe të punojnë për përmirësimin e shërbimeve që lidhen me turizmin, si ato publike dhe ato të sektorit privat. Njësitë e reja administrative duhet të punojnë për një klimë të favorshme biznesi, por gjithashtu duhet të ndërtojnë infrastrukturën e destinacionit mikpritës, që fillon me zyrat e informacionit dhe të gjithë elementet e tjerë të shërbimit për vizitorët. Duhet theksuar edhe një herë se në këtë drejtim, Shqipëria është prapa gjithë destinacioneve të tjera.

Miratimi i ligjit, por jo i strategjisë së turizmit, çfarë mesazhesh japin për industrinë?

Për sa i përket legjislacionit, por edhe strategjisë, besoj se duhet të shkojnë në harmoni me njëra–tjetrën, si në përmbajtje dhe në zbatim kohor.

Strategjia është një program me analiza të qarta, vizione dhe plane pune për të gjithë aktorët e turizmit në nivel kombëtar dhe lokal. Legjislacioni përcakton rregulla dhe krijon kushte.

Cili është parashikimi juaj për vitin 2016? Cilat janë sfidat? Po masat emergjente që duhet të merren?

Parashikimet bëhen në bazë të njohjes së mirë të situatës aktuale, trendeve ose asaj që ka ndodhur më parë, ose asaj që është përgatitur. Pra, për dikë që e ka këtë analizë, nuk priten surpriza.

Duke u bazuar në të gjithë këto elemente, besoj se turizmi do të ndjekë trendin e rritjes së vitit të mëparshëm, pa ndonjë surprizë dhe pa ndonjë pritshmëri të madhe apo të veçantë. Ky trend do të ndjekë dhe produktet kryesore që përmendëm më sipër. Problemi themelor që kemi është organizimi i masave, si në nivel strategjik dhe në atë të planifikimit; moszbatimi në kohën e duhur me resurset e nevojshme, në formën e plotë, në koordinim të mirë, si ndërmjet niveleve të qeverisjes dhe ndërmjet sektorëve, me prioritete të bazuara në analiza.

Një kornizë e konsoliduar menaxhimi mund të ndikojë qartë në masat e zbatuara që sjellin përmirësime të dukshme dhe krijojnë rezultate më të mira se trendet e mëparshme. Pikërisht këto janë baza e punës së përshirë në draft-strategjinë e turizmit, ndoshta në hapat e fundit të miratimit të saj.

Duke marrë parasysh riorganizimin territorial, por dhe sfidat organizative në nivel qendror,shuma fusha apo aspekte ekonomike janë nën një “çadër” ministrore, por struktura e turizmit është e kufizuar. Prioritetet në këto aspekte mund të krijojnë premisa me ndikim më të madh në cilësinë e shërbimeve, ndikimi real i të cilave do të ndihet vetëm në vitet në vijim.

Zakonisht përgatitjet e tregut, paketat turistike, paketat fiskale apo incetivat, rezervimet apo përgatitja për shërbime janë bërë deri në fund të vitit. Nëse nuk ka ngjarje të jashtëzakonshme, atëherë rezultati i pritshëm do të jetë ai që do të realizohet në praktikë.

Ne kemi sfida për organizimin e shërbimeve dhe koordinim në nivel lokal që duhet të ofrohen nga bashkitë e reja. Po kështu, kemi traditë që fillojmë përgatitjet për sezonin intensiv me vonesë. Por, këto sjellje duhet të shmangen dhe masat për mbështetjen e turizmit dhe strukturave përgjegjëse duhet të fillojnë që tani.

Flet Nevila Popa, eksperte turizmi

Rritja e numrit të turistëve kërkon aftësi më të mëdha menaxheriale

Si ka qenë turizmi në 2015-n? Cilat kanë qenë problemet kryesore?

Turizmi në Shqipëri gjatë vitit 2015 ka pasur rritje të qëndrueshme nëse i referohemi të dhënave statistikore nga INSTAT dhe Banka e Shqipërisë. Në 9 muajt e vitit 2015, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ka pasur një rritje prej 14,1% të numrit të vizitorëve, dhe 6,7% në të ardhurat nga udhëtimet dhe turizmi. (Burimi: INSTAT dhe Banka e Shqipërisë). Kjo rritje ishte një sinjal pozitiv për të gjithë aktorët e turizmit, e sidomos bizneset private që i jep një shtysë edhe më të madhe për investime të mëtejshme.

Por, nga ana tjetër, ne kemi edhe probleme me funksionimin e kësaj industrie, që lidhen me shumë faktorë, disa prej të cilave janë edukimi në fushën e turizmit, shërbimi, infrastruktura, mjedisi, etj. Çështjet që duken si “problematike” në fushën e turizmit janë të lidhura shume ngushtë me njëra–tjetrën, si p.sh.: Edukimi në turizëm përçon një shërbim më të mirë, profesionalizëm e rrjedhimisht një produkt më cilësor. Dua ta vë theksin tek edukimi dhe ndërgjegjësimi, pasi vetëm duke e kuptuar drejt se çfarë ndikimi i sjell turizmi dhe udhëtimi, si industri në ekonomi dhe punësim, atëherë do të mundem të fokusohemi dhe të punojmë seriozisht me të.

A është bërë mjaftueshëm për promovimin e turizmit dhe si mund të përmirësohet?

Promovimi i turizmit gjithashtu ka ardhur gjithnjë e në rritje, sidomos në dy vitet e fundit me rritjen edhe të buxhetit të alokuar.

Shqipëria merr pjesë rregullisht në disa panaire ndërkombëtare të udhëtimit e turizmit. Me rritjen e buxhetit, ky numër jo vetëm që është rritur, por përcaktimi i pjesëmarrjes në këto panaire është bërë në konsultime me bizneset private. Kjo gjë i shton më shumë mundësitë e lidhjes së kontratave të reja, por edhe të përmirësimit të atyre ekzistuese, duke shtuar numrin e grupeve.

Gjithashtu vlen për t’u përmendur edhe fakti i publikimit të shumë artikujve për Shqipërinë dhe turizmin shqiptar në shtypin e huaj.

Gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2015, kemi pasur të paktën një artikull në muaj për turizmin në Shqipëri dhe në disa raste edhe dy artikuj.

Rezultatet e promovimit të turizmit me siguri që do të reflektohen në vitin 2016 e më tej.

Promovimi i turizmit mund dhe duhet të bëhet duke përdorur të gjitha kanalet e tij, si p.sh. panairet ndërkombëtare, konferencat e rëndësishme, artikujt e ndryshëm në gazeta dhe revista prestigjioze të turizmit apo ekonomisë, pasi rezultatet e tyre i vlejnë bizneseve të turizmit, apo edhe atyre që janë të lidhura me të.

Nëse i referohemi një fakti, që dua ta përmend se si janë të lidhur artikujt promovues me ardhjen e vizitorëve : Gazeta prestigjioze “Le Figaro” e ka renditur Shqipërinë, si një nga pesë destinacionet për t’u vizituar në 2016. Po në këtë vit, kompania ajrore “Transavia” do t’i fillojë fluturimet direkte Paris – Tiranë nga mesi i muajit prill 2016.

Kjo gjë është rezultat i punës së mëparshme, pasi në vitin 2015 revista franceze prestigjioze “L’Express” e renditi Shqipërinë në vendin e tretë më të mirë për t’u vizituar dhe po në këtë vit “Transavia” filloi fluturimet e para direkte Paris – Tiranë nga muaji korrik 2015.

Duke vlerësuar efektet pozitive të një promovimi të strukturuar, dua të përmend hapësirat e pafundme që përcjell promovimi online i Shqipërisë, pasi u jep mundësinë vizitorëve potencialë të marrin informacione në 24 orë të çdo ditë të vitit. Në këtë çështje, ka shumë vend për t’u përmirësuar dhe për t’u shfrytëzuar në mënyrë më të efektshme.

Me miratimin e ligjit, cilat do të jenë efektet në industri, veçanërisht për standardizimin dhe kategorizimin e njësive akomoduese?

Miratimi i ligjit të ri të turizmit besoj se do të japë efekte edhe më të mira në industrinë turistike, po ashtu edhe në njësitë akomoduese. Këto të fundit janë disa nga pikat kyçe që prodhojnë efekte në cilësinë e produktit turistik në Shqipëri, pasi facilitetet e mira (pastërtia, siguria, komforti, shërbimi, ushqimi, etj.) me shumë gjasa ngjallin kërshëri të mëtejshme për të vizituar më shumë atraksione apo për të marrë pjesë në aktivitete të ndryshme kulturore, sportive, edukative etj. Dhe anasjelltas, të gjitha llojet e aktiviteteve ku marrin pjesë vizitorë të ndryshëm, mundësojnë më shumë net-qëndrimi në njësi akomoduese.

Besoj se standardi i njësive të strukturave akomoduese që parashikohet në ligj dhe që do të shoqërohet me aktet nënligjore brenda tremujorit të parë të 2016-s, do të ndihmojnë shumë një zhvillim të ri dhe cilësor të hotelerisë në Shqipëri. Bizneset e këtij sektori, punonjësit në hotele apo lloje të tjera strukturash akomoduese do të njihen me metodat më të mira dhe profesionale sesa ato që kanë përdorur më parë, do të kenë mundësi edukimi në vazhdimësi për këtë fushë, konkurrenca do të jetë edhe më e shëndetshme, bizneset do të vlerësohen për të gjitha ato cilësi që përçojnë te vizitorët. Sigurisht që kjo nuk do të jetë e lehtë dhe për më tepër do të kërkojë një kohë optimale për t’i arritur, dhe unë besoj që standardi do të ketë një periudhë tranzitore për strukturat akomoduese që janë operacionale, në mënyrë që t’i jepet kohë edhe përshtatjes me këto koncepte të reja, por ndërkohë për investimet e reja, do të përcjellë një manual ndihmues në mënyrë që investimi të jetë sa më cilësor. Standardi gjithashtu do të ofrojë një çmim të drejtë në raport me cilësinë e produktit, dhe kjo gjë është shumë e rëndësishme për eksperiencën e çdo vizitori në Shqipëri, por edhe për turizmin.

Cili është parashikimi juaj për vitin 2016? Cilat janë sfidat? Po masat që duhen të merren?

Parashikimi im për vitin 2016 është shumë pozitiv! Do të kemi më shumë gjasa rritje jo vetëm në numër, por çka është më e rëndësishme në net-qëndrim dhe të ardhura. Kjo rritje parashikohet edhe nga Këshilli Botëror i Udhëtimit dhe Turizmit për 10 vitet nga 2015 – 2025, dhe kjo rritje do të jetë mesatarisht 4.1% çdo vit (kontributi i sektorit në PBB). Gjithashtu nga të dhënat e INSTAT dhe Bankës së Shqipërisë në dy vitet e fundit, trendi duket pozitiv, sidomos në rritjen e të ardhurave, pasi nga një bilanc negativ ndërmjet shpenzimeve dhe të ardhurave, kemi kaluar në bilanc pozitiv. Siç e përmenda edhe më lart, parashikimet janë reale, pasi kemi fluturime direkte që fillojnë nga prilli 2016 (Transavia), por edhe operatorët shqiptarë tregojnë për shtime të kërkesave për grupe në 2016.

Sfidat e 2016-s sigurisht nuk do të jenë aspak të lehta, pasi vetë zbatimi i akteve nënligjore të turizmit do të jetë sfidë jo e vogël për qeverinë si dhe bizneset e turizmit, por e mundshme që të kapërcehet me sukses, duke e trajtuar si një partneritet ndërmjet sektorit publik dhe privat. Gjithashtu, sfida do të jenë edhe infrastruktura, energjia, pastërtia, shërbimi etj. Sfidat çdo vit do të vijnë duke u vështirësuar, pasi rritja e numrit të vizitorëve dhe e kohëqëndrimit të tyre kërkon gjithnjë e më shumë aftësi menaxhimi të biznesit, atraksioneve, aktiviteteve, destinacioneve e shumë të tjera.

Masat emergjente për vitin 2016 nuk do t’i vlerësoja si “emergjente” për shkak se nuk jemi në një situatë të tillë, por prioritet do të duhet t’i jepet pastërtisë në plazhe, ujit të detit, menaxhimit të bregdetit, aktiviteteve të ndryshme që duhet t’u shtohen pushimeve të sezonit. Megjithatë, dua t’i vë rëndësi përsëri edukimit në turizëm, duhet vërtet të jetë sa më adekuat; të kemi studentë që vërtet duan të diplomohen në turizëm pasi do të punojnë në këtë sektor; studentë që diplomohen suksesshëm nga shkollat profesionale në turizëm dhe punësohen nga bizneset private; lektorë dhe profesorë që udhëheqin studentë të kësaj fushe në sfidat e bukura që jep turizmi. Është vërtet një zinxhir shumë i gjatë dhe kompleks ky i turizmit, dhe prandaj ka nevojë për dëshirë, pasion dhe vullnet për të kapërcyer sfidat dhe për të qenë të suksesshëm në tregun ndërkombëtar. /Monitor/

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY