Nga Aredin Shyti te Spiro Ksera
ROLAND QAFOKU *
Raport Ekskluziv
1. AREDIN SHYTI, ish-ministër i Brendshëm (11 maj – 16 qershor 1991)
U arrestua më 25 korrik 1992 me akuzën e vrasje me dashje indirekte të 4 personave dhe plagosjen e disa të tjerëve si shpërdorimit të detyrës lidhur me ngjarjen e 2 prillit 1991 në Shkodër. U dënua me 17 vjet burg. Gjatë trazirave të marsit 1997 u largua nga Burgu dhe prej atëherë nuk ndodhet në Shqipëri.
2. VLADIMIR HYSI, ish-ministër i Brendshëm, (18 dhjetor 1991 – 13 prill 1992).
U arrestua më 5 mars 1996 me akuzën e krimeve kundër njerëzimit, shpërdorim detyre dhe veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës. U dënua me 1.5 vjet burg nga gjykata e shkallës së parë dhe Gjykata e Apelit ndërsa Gjykata e Kasacionit i hodhi poshtë akuzat duke e shpallur të pafajshëm.
3. FATOS NANO, ish-kryeministër (22 shkurt 1991 – 4 qershor 1991)
U arrestua më 31 korrik 1993 me akuzën e shpërdorimit të detyrës në favor të të tretëve. U dënua me 14 vjet burg nga gjykatat. Qëndroi në qeli deri në 13 mars 1997 pas shkatërrimit të burgjeve. Presidenti i Republikës së asaj kohë Sali Berisha dekretoi faljen e tij, ndërkohë në vitin 1999 gjykata e shpalli të pafajshëm.
4. VILSON AHMETI, ish-kryeministër (14 dhjetor 1991 – 14 prill 1992) dhe ish-ministër i Industrisë Ushqimore dhe ish-ministër i Industrisë së Lehtë. U arrestua në mars 1993 për skandalin Arsidi me akuzën vjedhje përmes shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim dhe marrje miti. Ish-kryeministri Ahmeti u dënua me 12 vjet burg, qëndroi në qeli 1 vit e 4 muaj dhe në arrest shtëpie 8 muaj. Më pas Gjykata dhanë pafajësi.
5. SABIT BROKAJ, ish-ministër i Shëndetësisë (11 qershor – 6 dhjetor 1991)
U arrestua më 28 shkurt 1997 me akuzën e organizimit të rebelimit në Jug të vendit si dhe organizator i bandave të armatosura. U la nga gjykata në arrest shtëpie dhe më pas iu dha pafajësia.
6. SAFET ZHULALI, ish-ministër i Mbrojtjes (prill 1992 – mars 1997).
U arrestua më 22 gusht 1998 me akuzën e krimeve kundër njerëzimit së bashku me 5 drejtues të lartë gjatë qeverisjes së PD në atë që u quajt procesi i të 6-tëve të PD. Pas qëndrimit të disa javëve në qeli gjykata e liroi dhe më 10 korrik 2000 prokuroria mbylli hetimet për mungesë provash. Më pas gjykata i dha pafajësi.
7. HALIT SHAMATA, ish-ministër i Brendshëm (11 korrik 1996 – 12 mars 1997)
U arrestua më 22 gusht 1998 me akuzën e krimeve kundër njerëzimit në bashkëpunim së bashku me 5 drejtues të lartë gjatë qeverisjes së PD në atë që u quajt procesi i të 6-tëve të PD. Pas disa javësh lirohet nga gjykata. Më 10 korrik 2001, prokuroria pushoi çështjen për mungesë provash dhe më pas gjykata i dha pafajësi.
8. PERIKLI TETA, ish-ministër i Brendshëm (24 prill – 28 shtator 1998)
U arrestua më 19 qershor 1999 në sallën e gjyqit gjatë procesit për vrasjen e ish-kryetarit të PD, Azem Hajdari. Ai u prangos gjatë seancës për fyerje të trupit gjykues por u lirua pas disa orësh pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
9. OSMAN SHEHU, ish-ministër i Turizmit (1992 – 1993)
U arrestua në 1999 dhe pas disa muaj burg me akuzën shpërdorim detyre u la i lirë. Më pas gjykata e shpalli të pafajshëm.
10. SPIRO KSERA, ish-ministër i Punës, Çështjeve Sociale dhe i Shanseve të Barabarta (2009 – 2013)
U arrestua më 29 janar 2016 me akuzën vjedhje përmes shpërdorimit të detyrës bashkë me disa zyrtarë të tjerë të dikasterit që drejtonte. Gjykata e Faktit vendosi që ai të qëndrojë në burg deri në fund të hetimeve.
* Publikuar në emisionin “Debati në Channel One” të ditës së hënë 1 shkurt 2016





