DOKUMENTI/ Ja si OSHEE vjedh bizneset me mbifaturim

DOKUMENTI/ Ja si OSHEE vjedh bizneset me mbifaturim

424
0
Shares

Shkresa e ERE-s për OSHEE-në

Shumë biznese po e paguajnë energjinë 27 % më shtrenjtë, pasi po faturohen në tensionin e ulët me 14 lekë kWh nga 11 lekë kWh që u takon sipas tarifave zyrtare. Shkresa e ERE u jep të drejtë bizneseve:  OSHEE ka krijuar një kategori të re konsumatorësh, duhet të kompensojë ndërmarrjet.

Faturat e energjisë janë kthyer në një makth për shumë biznese, që po detyrohen ta paguajnë energjinë 27 % më shtrenjtë se tarifa zyrtare, si rrjedhojë e një konflikti me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) për burimin e furnizimit (tension i mesëm apo i ulët).
OSHEE ka kategorizuar në 2015-n shumë biznese si klientë që furnizohen nga Tensioni i Ulët (TU) pika e matjes, ndërkohë që faktikisht furnizohet nga Tensioni i Mesëm (TM) pika e lidhjes.
Bizneset pohojnë se me këtë veprim ata po detyrohen të paguajnë energjinë me 14 lekë për kWh (tensioni i ulët, aq sa e kanë dhe konsumatorët familjarë), nga 11 lekë/kWh që e kanë tarifën bizneset që klasifikohen në tensionin e mesëm, çka çon në një shtrenjtim me 27% të tarifave të energjisë. Ky është një shtrenjtim i dytë, përveç rritjes zyrtare të çmimit në fillim të vitit 2015, kur energjia nga 9 lekë/kWh u bë 11 lekë/kWh. Në raport me fundin e 2014-s, rritja reale e kostos së energjisë është rreth 50% (nga 9 në 14 lekë/kWh) për shumë biznese.
Nga llogaritjet e Entit Rregullator të Energjisë (ERE), ndërmarrjet kanë paguar tepër si rrjedhojë e mbi faturimit rreth 11 milionë euro në vetëm tre muaj (shkurt prill 2015), si rrjedhojë e krijimit të një grupi të ri konsumatorësh dhe rritjes së çmimit mesatar të shitjes së energjisë (shiko më poshtë detajet e shkresës dhe llogaritjeve të mbifaturimit).
Nëse situata nuk zgjidhet (disa sipërmarrës konfirmuan për Monitor se ata vijojnë të tarifohen në tension të ulët), atëherë kosto nga mbifaturimi mund të arrijë deri në 40 milionë euro në vit, sa rreth 10 % e totalit të të ardhurave vjetore të OSHEE.
Enti Rregullator i Energjisë (ERE) i ka dhënë të drejtë bizneseve dhe pretendon se operatori OSHEE duhet të bëjë faturimet sipas Tensionit të Mesëm, dhe më pas të kompensohen humbjet që do të rezultojnë nga përllogaritjet përkatëse.
Shumë biznese po sorollaten me muaj sa tek OSHEE, ERE, Autoriteti i Konkurrencës dhe Ministria e Industrisë dhe Energjisë dhe nuk po gjejnë zgjidhje.

ERE: Në tre muaj OSHEE ka mbifaturuar 11 milion euro
Në një shkresë që Enti Rregullator i Energjisë (ERE) i ka dërguar drejtorit të OSHEE, Adrian Çela në korrik 2015, thuhet se duke filluar nga muaji mars 2015 e në vijim, në ERE janë paraqitur ankesa për sqarim nga ana e disa klientëve të lidhur në tensionin e mesëm në lidhje me aplikimin korrekt të tarifave për këtë grup konsumatorësh, që OSHEE duhet të kryejë në përputhje me vendimin nr. 148, datë 26. 12. 2014 të ERE-s.
Në ankimin e tyre, ky grup konsumatorësh informon se janë tarifuar me çmimin 14 lekë/kWh, që u korrespondon klientëve jo familjarë në 0.4 kvh dhe jo 20/10/6 kV, që sipas vendimit të ERE është përkatësisht 9.5 lekë lekë/kWh dhe 11 lekë kWh. I njëjti veprim vërehet edhe për faturimin e konsumit të energjisë në pik.
Pas seancave dëgjimore, u konstatua që këta konsumatorë kanë të përbashkët faktin që janë të lidhur në tension të mesëm, ndërkohë që pika e matjes është pas transformimit, pra në tension të ulët. Për shkak të mospërputhejs së pikës së lidhjes me pikën e matjes, OSHEE i shkaktohet një humbje ekuivalente me humbjet në pikën e transformimit për të cilën është përgjegjës kjo kategori konsumatorësh.
Por ERE thekson se ky fakt nuk përbën argument që OSHEE të faturojë këta konsumatorë me tarifat e TU.
ERE pohon se OSHEE nuk ka dërguar përllogaritje për kostot shtesë që i janë shkaktuar asaj nga kjo mënyrë faturimi e kompanive dhe as ka prezantuar kërkesë për rishqyrtim të çmimeve me pakicë, ndërsa humbjet teknike i ishin përfshirë që më parë në të ardhurat e miratuara nga ERE. OSHEE ka raportuar dhe një grup të ri konsumatorësh “Klientë të lidhur në 20/10/6 kV dhe matur në TU, me çmim 14 lekë kWh, të njëjtë me çmimin e konsumatorëve familjarë të matur në TU, ndryshe nga vendimi i Bordit të Komisionerëve të ERE-s.
Në shkresat që i ka dërguar OSHEE-së lidhur me ankesat e kompanive të caktuara, ERE i ka kërkuar operatorit të shpërndarjes së energjisë që të kompensojë faturat e bizneseve për vlerën e shtuar, që rezulton nga aplikimi i tarifave të tensionit të ulët.
ERE ka konstatuar se faturimi i këtij grupi të ri konsumatorësh i ka sjellë kompanisë rreth 593.5 milionë lekë të ardhura shtesë për periudhë shkurt-prill 2015 (rreth 4.2 milionë euro).
Shkresa vijon duke pohuar se “Nga analiza e të ardhurave nga shitja e energjisë me pakicë tek konsumatorët tariforë, konstatojmë se për periudhën shkurt-prill 2015 nga realizimi i një çmimi mesatar faturimi prej 11.27 lekë kWH (11.34 lekë kWh duke përfshirë dhe të ardhurat nga energjia reaktive) ka rezultuar se OHEE ka realizuar të ardhura më tepër prej 954.8 milionë lekë” (rreth 7 mln euro).

OSHEE: Bizneset e kanë bërë lidhjen gabim, të spostojnë sistemin e matjes në tensionin e ulët
Ankesat pranë OSHEE kanë qenë të shumta nga ana e bizneseve për faturim të energjisë në tension të ulët me 14 lekë/kWh. Në përgjigjen që OSHEE i ka dërguar një biznesi i sqaron se subjekti furnizohet në tension të mesëm, por sistemin e matjes e ka në tension të ulët. OSHEE sqaron se bazuar në kontratën e furnizimit, Kodi i Matjes përkufizon se pika e lidhjes është vendi fizik ku realizohet lidhja e përdoruesit/konsumatorit me sistemin e shpërndarjes dhe ku është realizuar pika e lidhjes dhe ku sistemi i matjes plotëson të gjitha kushtet teknike dhe të saktësisë sipas këtij Kodi. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë i sqaron bizneset se pajisjet e sistemit të matjes duhet të jenë të instaluara në çdo matje (kur matja kryhet në TM) të sigurt dhe të vendosura në ambiente të veçanta apo në vende ku mund të lexohen qartë dhe lehtësisht të kontrollueshëm nga përfaqësues të autorizuar nga Furnizuesi.
Zgjidhja e vetme që jep OSHEE është që biznesi për të kaluar në tarifimin në tensionin e mesëm duhet të realizojë spostimin e sistemit të matjes nga tensioni i ulët në tensionin e mesëm dhe përballimi i masës së investimit do të realizohet nga konsumatorët jofamiljarë, duke zbatuar me rigorozitet kërkesat teknike të OSHEE, kodit të matjes, kodit të shpërndarjes dhe rregullores së pikës së lidhjes.
Përfaqësuesit e biznesit pohojnë për ‘Monitor’ se investimet për ndërtimin e kabinave me tension të ulët kërkojnë 6-7 mijë euro investim, që sërish do të ishte një kosto e shtuar për ta në prodhim dhe jo të gjithë mund ta justifikojnë këtë investim. Një sipërmarrje që shpenzon 60-70 mijë kWh në muaj mund të nxjerrë këtë investim në një vit (përmes kursimit në tarifimin e energjisë), ndërsa ndërmarrjeve të vogla që nuk shpenzojnë shumë energji do t’u duhet gati tre vjet të nxjerrin leverditë e këtij investimi.
Për më tepër, diferenca e sistemit të matjes (tension i ulët me të mesëm) është vetëm te humbjet në transformator (bizneset janë lidhur me tensionin e mesëm përmes transformatorëve, që është investim i vetë kompanive), që luhatet në rreth 1% të sasisë së energjisë dhe ndikon në çmim vetëm me 0.1-0.2 lekë dhe kurrsesi nuk justifikohet tarifimi me 3 lekë për kWh më shumë, që sidomos për industritë e rënda është një kosto e lartë e shtuar.
OSHEE pretendon se këto janë probleme të trashëguara nga disa vite më parë, teksa bizneset janë lidhur me sistemin e matjes me tension të ulët, pasi në këtë mënyrë kanë përfituar 32% të uljes së çmimit për tarifën T3 (nga 2500 lekë/kW kundrejt fuqisë së kërkuar në 1700 lekë/kW), ndonëse shumë prej tyre i kanë pohuar OSHEE se ata nuk e kanë bërë këtë lidhje për të kursyer në tarifën e shërbimit, por sepse kështu e dinin që veprohej. OSHEE pohon se lidhjet e reja po kryhen në mënyrën e duhur dhe nuk kanë pasur probleme.

(“Monitor”)

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY